Acarohen marrëdhëniet Serbi-Mali i Zi: Serbia i ndalon “Montenegro Airlines” uljen në aeroportin e Beogradit

Drejtoria e Aviacionit Civil e Serbisë, miratoi një masë që ndalon uljen e aeroplanëve të “Montenegro Airlines” në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit.

Kjo është bërë në bazë të reciprocitetit njoftojnë nga Drejtoria e Aviacionit Civil e Serbisë.

Kjo është përgjigje në vendimin e Qeverisë së Malit të Zi e cila ka vendosur që prej 01 qershorit t’i hapë kufijtë për shumë vende por jo edhe për Serbinë dhe Republikën Serbe.

“Montenegro Airlines” njoftoi dje se po përgatitet për ripërtërirjen e fluturimeve tregtare, dhe se fluturimet e para do të jenë për në Beograd.

Mirëpo, Drejtoria e Aviacionit Civil e Serbisë vendosi t’i mohojë lejen për kompaninë ajrore malaziase, dhe në shpjegim të vendimit, sipas gazetës serbe “Blic” i cili ishte i pari që publikoi në mënyrë jozyrtare lajmin për ndalimin e aterrimit për Montenegro Airlines, pretendohet se “me vendimin e qeverisë në Podgoricë është shkelur parimi i reciprocitetit për lëvizjen e udhëtarëve midis dy vendeve”.

Kjo, siç pretendohet në kumtesë, “ndikon drejtpërdrejt në reciprocitetin në funksionimin e transportit ajror të përmendur në nenin 13, paragrafi 1 e Rregullores për lëshimin e lejes për transportuesit e huaj ajror për të kryer transportin ajror ndërkombëtar me Serbinë, në dëm të linjave ajrore të regjistruara në Serbi.