L’UNIVERS (1880) / JA ÇFARË PËRMBAN DOKUMENTI, I FIRMOSUR NGA ALI PASHË GUCIA DHE HODO BEJ SOKOLI NË SHKODËR, MBI REFORMAT E KËRKUARA NGA SHQIPTARËT TE SULLTANI

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 12 Maj 2020

“L’Univers” ka botuar, të dielën e 23 majit 1880, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me reformat e kërkuara asokohe nga shqiptarët te Sulltani, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një dokument drejtuar të gjithë shqiptarëve, nga Shkodra, më 10 maj, dhe  i firmosur nga Hodo beu dhe Ali pasha, ekspozon reformat e mëposhtme, të cilat shqiptarët duan t’i kërkojnë sulltanit :

1° Autonomi të brendshme e cila duhet të përfshijë të gjitha rrethet shqiptare;

2° Konfirmim nga Porta të princit të zgjedhur nga kombi dhe në familjen e të cilit kurora do të jetë trashëguese;

3° Përcaktim të shumës së haraçit vjetor që duhet t’i paguhet sundimtarit;

4° Një numër të caktuar trupash që do t’i furnizohen Sulltanit në rast të një lufte midis Turqisë dhe fuqive të huaja;

5° Evakuim të trupave osmane nga të gjitha kështjellat e fortifikuara të vendit ku ato ende mbajnë garnizone;

6° Mirëmbajtje të marrëdhënieve midis Portës dhe Shqipërisë nëpërmjet të një përfaqësuesi shqiptar në Kostandinopojë;

7° Shkarkim të të gjithë punonjësve osmanë që nuk kanë kombësi shqiptare, dhe zëvendësimin e tyre nga zyrtarë të tjerë të caktuar nga princi i zgjedhur.

Qeveria turke nuk do të fitojë asgjë nga politika e saj dinake.

* (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), https://www.darsiani.com/la-gazette/l-univers-1880-ja-cfare-permban-dokumenti-i-firmosur-nga-ali-pashe-gucia-dhe-hodo-bej-sokoli-ne-shkoder-mbi-reformat-e-kerkuara-nga-shqiptaret-te-sulltani/