Nga nesër edhe Kosova do të hapë kufijtë tokësorë

Nga nesër rihapen çerdhet dhe disa prej kufijve tokësorë, këta janë masat më të reja lehtësuse të Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për media kanë bërë thirrje që qytetarët të vazhdojnë të kenë kujdes edhe pas aplikimit të fazës së tretë të masave, shkruan Koha Net.

Ata tutje kanë shpalosur vendimet të cilat janë marrë në mbledhjen e qeverisë.

Ai ka thënë se fakti që po hiqen masat, nuk do të thotë që duhet të hiqet edhe kujdesi, duke bërë thirrje që udhëzimet e IKSHPK-së të zbatohen në përpikëri.

Ndërkaq ka shtuar se nga nesër do të rihapen çerdhet dhe disa nga kufijtë tokësorë.

“Një ndër vendimet e rëndësishme është ai për liberalizimin e masave në ballafaqimin me pandeminë. Ishte koha kur ne kishim nevojë për masa rigoroze, nga nesër mund të fillojmë më një hapjen e cila nuk është e plotë. Ajo çka po bëjmë është që po i rihapim kopshtet dhe çerdhet nga 0-5 vjet, pastaj po e bëjmë riorganizimin e testit të arritshmërisë, testit të maturës i cili do të mbahet më 4 korrik. Më 13 mars e patëm marrë vendimin për mbylljen e kufijve, sot shfuqizuam vendimin por të gjithë ata që hyjnë në Kosovë obligohen t’i nënshtrohen kontrolleve. Gjithashtu hapen edhe baret, kafenetë, restorantet dhe qendrat tregtare nga nesër”, ka thënë ai.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se në këtë fazë është arritur falë bashkëpunimit me qytetarët.

Ai ka thënë se IKSHPK ka vlerësuar se kushtet janë të mjaftueshme për hapjen e fazës së tretë.

Vitia ka thënë se një javë pas hapjes së kufijve tokësorë do të shqyrtohet mundësia për hapjen e atyre ajrorë.