Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Akademik Fehmi Agani

Fehmi Agani lindi në një kohë kur varfëria dhe terrori serb mbi popullin shqiptar po bënin kërdi. Rrjedh prej një familjeje patriotike nga Plava, e cila si pasojë e dhunës dhe gjenocidit serb si mijëra familje shqiptare, detyrohet të lëshojë vendlindjen e të bëhet jabanxhi në tokën e vet. Edhe një nga pasardhësit e tij të shquar, Mulla Agani qe vrarë e masakruar si pjesëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Të gjitha këto e peripeci e të tjera jetësore lanë gjurmë të pashlyeshme në formimin e karakterit të këtij personaliteti ndër më të merituarit e më të fuqishmit që nxori Kosova. Fehmi Agani lindi, më 23 janar 1932, në Gjakovë, në një familje tradicionale shqiptare me gjendje të dobët ekonomike. Në Gjakovë mbaroi shkollën fillore, ndërsa gjimnazin e kreu në Prishtinë. Studimet për filozofi i mbaroi në Beograd në vitin 1959. Po kështu në Beograd më 1965 i kreu me sukses studimet pasuniversitare në shkencat politike, dhe magjistroi në temën Participimi i punëtorëve në qeverisjen e ndërmarrjeve në Gjermani. Gradën doktor i shkencave të sociologjisë e mori në Fakultetin Filozofik të Prishtinës më 1973, me tezën ”Partitë dhe grupet politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Fehmi Agani një kohë punoi si profesor i shkollave të mesme në Prishtinë, ndërsa më vonë si gazetar dhe redaktor i politikës së jashtme në gazetën “Rilindja”. Në vitin 1965 u zgjodh ligjërues i sociologjisë në fakultetet e Prishtinës. Në vitin 1967 u zgjodh drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Më vonë u zgjodh prodekan dhe dekan i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Ishte themelues i Degës së Sociologjisë dhe Filozofisë, pastaj i Institutit të Sociologjisë, kryeredaktor i revistave “Studia Humanistica” dhe “Thema”. Pas vitit 1981, në valën e diferencimeve ideo-politike (1984), profesor Fehmi Agani u përjashtua nga procesi mësimor. Ai nuk hoqi dorë nga qëndrimet e veta,duke qëndruar gjithnjë në mbrojtje të çështjes kombëtare. Profesor Fehmi Agani që nga viti 1993 ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Në saje të përgatitjes teorike nga sociologjia, politologjia dhe filozofia, profesor Fehmi Agani ishte ndër njohësit më të mirë të rrjedhave shoqërore dhe të proceseve politike në përgjithësi dhe në botën shqiptare në veçanti. Studimet e tij brilante për teoritë shoqërore, për kombin, vetëvendosjen dhe demokracinë janë frymëzim dhe armë e fuqishme për gjeneratat e reja të dhe inteligjencën kosovare. Ai gjithnjë me vizionin dhe konceptin e qartë teorik, ishte në funksion të mbrojtjes së kërkesave themelore të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre legjitime, duke e vështruar çështjen e Kosovës dhe mëvetësinë e saj si komponentë të çështjes së përgjithshme shqiptare. Në procesin e emancipimit social dhe kulturor të popullit, shqiptar akademik Agani luajti një rol të madh në krijimin, ngritjen dhe pavarësimin e institucioneve shkencore, kulturore e kombëtare të Kosovës, nga Instituti Albanologjik e deri te formimi i Universitetit dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës. Nëpër duart e profesor Fehmiut kaluan breza të tërë studentësh dhe nën drejtimin e tij u formuan shumë kuadro shkencore nga disiplina të ndryshme të shkencave shoqërore. Në veçanti duhet theksuar se profesor Fehmi Agani luajti rolin vendimtar në formësimin e filozofisë së politikës argumentuese e të padhunshme figure prominente e artikuluese e kësaj filozofie u bë Dr. Ibrahim Rugova tashmë President historik i Republikës së Kosovës. Funksionalizimi i këtij tandemi si kreatorë të një politike me bazament kombëtar dhe me një mbështetje të fuqishme të kreacioneve dokrinare të politikës bashkëkohore do të bëhen emblema më dalluese e Çështjes Shqiptare në fund të shekullit njëzet që natyrisht mori edhe tipare tjera në hap me momentin historik.

Exit mobile version