Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Arkeologjia në Institutin Albanologjik të Prishtinës

Përkundër kushteve, rrethanave dhe ngjarjeve të vështira politike e historike të atëhershme nëpër të cilat kalonte dhe mbijetonte Instituti, punonjësit e Sektorit të Arkeologjisë kanë vepruar në fushën hulumtuese shkencore dhe kanë dhënë kontributin e vet edhe në fushën arsimore në promovimin e kulturës shqiptare në përgjithësi

Nga prof Dr Naser Ferri

Njëri nga institucionet me të rëndësishme kombëtare shqiptare në Kosovë – Instituti Albanologjik i Prishtinës u themelua në vitin 1953 dhe gjatë ekzistencës së vetë 70-vjeçare punonjësit e tij kaluan një Golgotë të vështirë plot katrahura, duke u mbyllur në vitin 1955, duke u dënuar me dënime me burg e duke u maltretuar në mënyra të ndryshme, përfshirë edhe dëbimin me dhunë nga ndërtesa e rrahje nga policia serbe në vitin 1994

Gjatë historisë së vet, Instituti Albanologjik kreu jo vetëm misionin hulumtues shkencor dhe arsimor, por edhe kulturor, politik dhe kontribuoi pa masë në ruajtjen e identitetin kombëtar të shqiptarëve në Kosovë.

Dega e Historisë së Institutit Albanologjik ishte krijuar me rastin e themelimit të Institutit Albanologjik në vitin 1953, por regjimi serbosllav e mbylli Institutin në vitin 1955, ndërsa pas shumë katrahurave e peripecive ishte rithemeluar në vitin 1967.

Sektori i Arkeologjisë i Institutit Albanologjik u themelua në vitin 1977 në kuadër të Degës së Historisë si rezultat i nevojës së zhvillimit dhe i plotësimit të veprimtarisë shkencore hulumtuese të Degës së Historisë.

Në fillim, në vitin 1977 nga Instituti i Historisë së Kosovës kishte ardhur arkeologia Exhlale Dobruna-Salihu, ndërsa në qershor të vitit 1979 pak pasi u diplomua në Universitetin e Zagrebit u pranua edhe Naser Ferri.

Exhlale Dobruna-Salihu ka diplomuar në Degën e Arkeologjisë në Fakultet Filozofik në Zagreb në vitin 1975, ndërsa në vitin 1995 po aty ka përfunduar studimet.

Naser Ferri ka diplomuar në vitin 1978, studimet pasuniversitare i ka përfunduar në vitin 1987 në Degën e Arkeologjisë të Fakultetit Filozofik në Zagreb dhe ka doktoruar në vitin 1997.

Përkundër kushteve, rrethanave dhe ngjarjeve të vështira politike e historike të atëhershme nëpër të cilat kalonte dhe mbijetonte Instituti, punonjësit e Sektorit të Arkeologjisë kanë vepruar në fushën hulumtuese shkencore dhe kanë dhënë kontributin e vet edhe në fushën arsimore në promovimin e kulturës shqiptare në përgjithësi.

Pos punës në hulumtime arkeologjike (në vend dhe ndërkombëtare) dhe punës në përnjohje të terrenit në dhjetëra lokalitete në tërë Kosovën gjatë viteve të paraluftës e posaçërisht pas vitit 1999, punonjësit e Sektorit të Arkeologjisë kanë dhënë kontribut të konsiderueshëm në veprimtari botuese të Institutit.

Bashkë me punonjësit e tjerë edhe punonjësit e Sektorit të Arkeologjisë përjetuan traumat gjatë dëbimit me dhunë nga objekti i Institutit dhe u rrahën mizorisht nga policia e paramilitarët serbë me 8 mars 1994 por nuk u dorëzuan dhe së bashku me kolegë të degëve të tjera vazhduan punën në një shtëpi private në “Breg të Diellit”, duke luftuar për ekzistencë.

Falë mbështetjes dhe ndihmës së drejtorit të atëhershëm të Institutit Albanologjik, dr. Sadri Fetiut, në kohët e turbullta në vitin 1996 kur Instituti ishte privuar nga të drejtat ligjore, financimi e çdo gjë tjetër, është botuar vepra e parë arkeologjike në historinë e Institutit Albanologjik dhe ndër të parat në gjuhën shqipe në Kosovë: “Statusi shoqëror ekonomik i të liruarve ne provincën romake Moesia Superior” i Naser Ferrit.

Në vitin 2003 është botuar studimi i Exhlale Dobruna-Salihut “Plastika dekorative e figurative e gurit në Dardani gjatë kohës romake, Sepulkrale dhe e kultit” në dy vëllime, ndërsa në vitin 2012 është botuar vepra e Naser Ferrit: “Mithologia Viva-Mitologjia e gjallë.”

Disa vjet më vonë, respektivisht në vitin 2016 është botuar vepra e Exhlale Dobruna-Salihu “Saxa loquuntur – Gurët flasin“, kurse në vitin 2019 monografia i autorit Naser Ferri “Peja gjatë antikitetit – Peja during Antiquity“.

Pos veprave të botuara në kuadër të veprimtarisë botuese të Institutit Albanologjik, falë bashkëpunimit me shtëpinë botuese “Dukagjini” të Pejës, në vitin 2001 është botuar edhe studimi: “Monumentet ushtarake të periudhës romake në Mezi të Epërme” i Naser Ferrit, e me financim nga fondet e Qeverisë së Republikës së Kroacisë në vitin 2015 në Zagreb është botuar në gjuhën kroate edhe vepra (e përkthyer, e ripunuar dhe e plotësuar nga vetë autori): “Živa mitologija-Living Mythology“ e autorit të njëjtë.

Botimet shkencore të arkeologëve themelues të Sektorit të Arkeologjisë e kurorëzon vepra “Gjetjet e reja epigrafike e numizmatike të zbuluara dhe të publikuara mes viteve 1980 dhe 2020 – Novitates epigraphicae et numismaticae quae inter annos MCMLXXX et MMXX repertae et ediate sunt“ e autorit Naser Ferri e cila doli nga shtypi këto ditë.

Vlen të përmendet se punonjësit shkencorë të Sektorit të Arkeologjisë kanë marrë pjesë me kumtesa në mjaft tubime shkencore ndërkombëtare në Kosovë dhe jashtë vendit në: 1979-Pejë, Kosovë, 1983-Zhallec, Slloveni, 1986-Pullë, Kroaci. 1988-Bled, Slloveni, 2003-Zagreb, Kroaci, 2004-Tiranë, Shqipëri, 2004-Pullë, Kroaci, 2005-Split, Kroaci, 2006-Pullë, Kroaci, 2007-Pullë, Kroaci, 2008-Pullë, Kroaci, 2009-Split, Kroaci, 2010-Pullë, Kroaci, 2010-Poreç, Kroaci, 2010-Prizren, Kosovë, 2011-Pullë, Kroaci, 2012-Lubjanë, Slloveni, 2012-Pullë, Kroaci, 2013-Caransebeş, Rumani, 2013-Ferrara, Itali, 2013-Pullë, Kroaci, 2014-Zagreb, Kroaci, 2014-Doha, Katar, 2016-Zagreb, Kroaci, 2017-Caransebeş, Rumani, 2018-Caransebeş, Rumani, 2019-Split, Kroaci ku kanë luajtur edhe një rol të diplomacisë kulturore përmes prezantimeve të tyre dhe kanë krijuar ura bashkëpunimi me institucionet simotra nga Evropa e bota.

Pos botimeve të veçanta punonjësit e Sektorit të Arkeologjisë kanë botuar një numër të konsiderueshëm të studimeve shkencore në revistat shkencore kosovare: Gjurmime Albanologjike Seria e Shkencave Historike e Seria Folklor dhe Etnologji (Instituti Albanologjik, Prishtinë), Kosova (Instituti i Historisë, Prishtinë), Studime Shoqërore (Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës), Buletin i Fakultetit Filozofik të Prishtinës, Kosova Archaeologica (Instituti Arkeologjik i Kosovës, Prishtinë), Studime Albanologjike (Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Shkup), si dhe në një varg revistash prestigjioze evropiane: “Arheološki Vestnik” Lubjanë (Slloveni), “Opuscula Archaeologica”, Zagreb, “Histria Antiqua”, Pulla (Kroaci), “Živa Antika”, Shkup (Maqedoni e Veriut), “Godišnjak Centra za Balkanološka Ispitivanja”, Akademija Nauka i Umjetnosti Bosne i Hercegovine – Sarajevë (BeH), “Acta Musei Caransebesiensis” – Tibiscvm, Caransebeş (Rumani), “Dardania”, Vjenë (Austri), “Classica et Christiana”, Universităţii din Iaşi (Rumani), e po ashtu edhe në përmbledhje punimesh nga kongreset e simpoziumet ndërkombëtare jashtë vendit: “Illyrica antiqua”, International Conference Ob honorem Duje Rendić-Miočević, Zagreb 2005, “Zbornik radova sa Međunarodnog Simpozija Dioklecijan, Tetrarhija i Dioklecijanova Palača o 1700 obljetnici postojanja”, Split 2009, “Sepulkralna skulptura zapadnog Ilirika i susjednih oblasti u doba Rimskog Carstva”, Split 2013, “The century of the Brave – Stoljeće hrabrih”, “Roman conquest and indigenous resistance in Illyricum during the time of Augustus and his heirs”, “Proceedings of the International Conference held in Zagreb”, 22–26.9.2014

“Proceedings of International Symposium on Arab-Balkan Relations”, Doha, Katarm 2015. “Atti del IIo Convegno Internazionale, Publicazione del Laboratorio di studi e ricerche Antiche province Danubiane”, Bologna 2015,

“Proceedings of the 4-th International Conference on the Roman Danubian Provinces”, “Traian and the Danubian Provinces”, Zagreb-Ferrara 2017, “Arbëneshët e Zarës – Historia dhe etnokultura e tyre” (Materialet e sesionit shkencor mbajtur më 10 tetor 2016), Instituti Albanologjik, Prishtinë 2018,

“Cambijev Zbornik, Proceedings ob honorem Nenad Cambj”, Split 2019,

“Zbornik radova s međunarodnog znanstvenog skupa ‘Salona od 119. godine prije Krista do kasne antike’”, Split 2022, si dhe në tubime ndërkombëtare shkencore në Kosovë: luslararasi Balkanlarda Sosyal Bilimler Kongresi, Prizren 2010, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë) 2006, 2010, 2011, 2012, Java e Albanologjisë (2010, 2011, 2012, 2017, 2018, 2019, 2020, 2021, 2022).

Po ashtu punonjësit shkencor të Sektorit të Arkeologjisë kanë marrë pjesë edhe në realizimin e monografisë “Tërnovci i Madh nëpër shekuj” (2015), të Monografisë së qytetit të Pejës (2017) dhe kanë bashkëpunuar në realizimin e disa monografive të qyteteve të tjera.

Krahas punës kërkimore e shkencore, punonjësit e Sektorit të Arkeologjisë kanë dhënë kontribut edhe në fushën pedagogjike-arsimore që nga viti 1998 (në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës, Fakultetin Filozofik dhe atë të Filologjisë të Prishtinës, pastaj në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë, në Gjilan e Gjakovë dhe në Fakultetin Filozofik në Zarë të Kroacisë).

Në vitin 2001 punonjësi i Sektorit të Arkeologjisë Naser Ferri ka marrë pjesë në themelimin e Departamentit të Etnologjisë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës ku edhe në vitin 2005, në bazë të konkursit dhe të procedurave të parapara ligjore, e ka arritur titullin e profesorit të rregullt universitar në Universitetin e Prishtinës.

Në vitin 1999 punonjësi shkencor Naser Ferri ishte emëruar për një kohë të caktuar nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës drejtor i parë pas luftës i Muzeut të Kosovës, i cili ishte plaçkitur dhe devastuar nga serbët gjatë së cilës kohë ishin larguar të gjitha simbolet serbe dhe ishte bërë inventarizimi i eksponateve arkeologjike, etnologjike, historike e të natyrës të plaçkitura nga serbët para dhe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Po ashtu studiuesit e Sektorit të Arkeologjisë kanë marrë pjesë si anëtarë apo sekretarë edhe në redaksi të revistave “Dardania Sacra” (2000–2006), “Kosova Archaeologica” (2003–2005), të “Gjurmimeve Albanologjike” Seria e Shkencave Historike (për disa vite me radhë, e prej vitit 2019 Naser Ferri është edhe kryeredaktor i kësaj reviste).

Për nevoja të ngritjes profesionale punonjësit e Sektorit të Arkeologjisë kanë realizuar qëndrimet studimore: në Zagreb, Lubjanë, Romë, Budapest, Munih e po ashtu kanë mbajtur disa cikle të ligjëratave në Universitetin e Zagrebit dhe në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Sllovenisë në Lubjanë.

Në kuadër të bashkëpunimit profesional me institucione të Republikës së Kroacisë, dy veprat e Naser Ferrit (“Mitologjia e gjallë” dhe “Živa mitologjia”) janë përuruar në institucione prestigjioze në: Zagreb, Rijekë, Pullë e Split të Kroacisë.

Aktualisht në Sektorin e Arkeologjisë veprojnë dy hulumtuese shkencore: në vitin 2015 është pranuar Zana Hoxha, ndërsa në vitin 2020 Elza Shipoli (të dyja PhD kandidate), të cilat vazhdojnë traditën e Sektorit të Arkeologjisë duke u ngritur profesionalisht në universitete në Selanik të Greqisë, Zarë të Kroacisë e Budapest të Hungarisë, duke marrë pjesë në tubime të ndryshme shkencore në Kosovë dhe jashtë vendit dhe duke botuar punimet e veta në revista të ndryshme shkencore.

Exit mobile version