Site icon PLAVA E GUCIA SOT

ARTISTI NUK VDES KURRË, AI JETON NË VEPRËN E VET

 

Para 26 vitesh në Mynih të Gjermanisë pas një sëmundje të rëndë ndërroi jetë piktori dhe mjeshtri i shquar i grafikës Nevzat Belegu në botën e artit i njohur me emrin artistik Karmon Fan Ferri.

Në janar u bënë 26 vjet nga dita kur ndërroi jetë piktori i shquar kosovar  dhe mbnarëshqiptar Karmon Fan Ferri.Vdekja e tij nuk ishte vetëm ndërprerje fizike e jetës dhe veprës së tij të vlefshme por ajo varfëroi artin kosovar dhe atë shqiptar në përgjithësi, emisar i denjë i të cilit ishte ky piktor në Evropë dhe anembanë botës.

Fan Ferri,  apo Nevzat Belegu siç ishte emri i tij i vërtetë u lind më 10 qershor 1946 në Pejë ku mbaroi shkollën fillore dhe shkollën e mesme shumë prestigjioze të artit nga e cila doli pjesa dërmuese e artistëve aplikativë kosovarë.Në këtë tempull të artit ai i zotëroi mjeshtëritë e aplikimit të thesarit kulturor dhe njerëzor  të kësaj treve në art, gjë gjë që u  reflektua në opusin e tij të shkurtër por të begatshëm artistik.

Ambiciet për zhvillim artistik dhe etja për dituri e shpiejnë Fan Ferrin në Akademinë e Arteve në Beograd, ku në Degën e pikturës diplomon në vitin 1975 me notë te shkëlqyer dhe ku krijon stilin autentik artistik me ç’rast vinë në shprehje parimet e tij artistike.

Diploma e Akademisë së Arteve nuk i mjaftoi këtij artisti ambicioz dhe ai i shtyer nga synimi drejt përsosëmërisë arrin në Romë ku i kalon disa vite më radhë duke studjuar kryeveprat e artit antik dhe mesjetar dhe duke u ngritur profesionalisht.Ngritjen e vet profesionale pas Romës e vazhdoi në Mynih të Gjermanisë të profesori i famshëm Mac Zimerman e pas kësaj një kohë e kaloi në  Austri duke i përsosur aftësitë dhe njohuritë e veta nën mbikëqyrjen e profesorit Rudolf Hausner në Universitetin e Vjenës.

Pas shtegëtimit të tij kërkimor nëpër qëndrat artistike të Evropës gjatë të cilit u formua si artist dhe i hapi shtigjet e reja krijimtarisë së vet artistike, Fan Ferri u vendos u kthye në Gjermani dhe u vendos në Mynih, ku jetoi dhe veproi deri në momentet e tij të fundit.Mirëpo, Italinë, djepin e artit nuk mundte ta harrojë dhe herëpashere shkonte atje ku në Romë dhe Firencë e kërkonte Muzën  që ia frymëzonte krijimtarinë.

Lidhur me opusin e Fan Ferrit  dhe vlerat e tij artistike është shkruar mjaft nëpër vende të ndryshme të Evropës ku ka vepruar apo ka hapur ekspozita ndërsa më së paku është shkruar për te në trojet shqiptare.

Në Itali  janë shkruar kritika të jashtëzakonshme për artin e tij dhe kritikët e artit Luciano Perssinoto dhe Licio Damiani e vlerësojnë si piktor i cili “e mbizotëron polivalencën shenjë-gjurmë dhe shenjë-sfond dhe e integron ngjyrën në një rrëfim që shpreh në një kontinuitet thelbin e vazhdimësisë së egzistencës njerëzore me një freski inovuese” ndërsa veprat e tij “shenja të fragmentuara të vazhdimësisë së njerëzimit”.

Për arsye se Fan Ferri jetoi dhe veproj për një kohë relativisht të gjatë në Mynih, është e logjikshme që medijat elektronike dhe të shkruara gjermane i kushtuan mjaft kujdes personalitetit dhe vepres së tij.Një nder kritikët më të shquar gjerman të asaj kohe Jakob Mayer, pas një studimi shumëvjeçar të veprës së Fan Ferrit shkruan se artisti gjithnjë jetonte mes dy polariteteve të kundërta dhe se emocionet dhe intelekti, imagjinata dhe realiteti Fan Ferri i pasqyron brenda njeriut dhe hapësirës që do të thotë se në fillim të krijimit të veprës artistin e udhëheqin ndjenjat dhe gjërat e rastit ndërsa më vonë ai aktivizon intelektin dhe në fund vepra e fiton kuptimin e kompletuar shprehës.Në opusin artistik të Fan Ferrit Mayeri vëren që janë të theksuar a jashtëzakonisht shumë ndjenjat fisnike njerëzore e para së gjithash dashuria ndaj të afërmit.Fan Ferri ka pikturuar piktura me formate të mëdha por edhe ka bërë vizatime e skica të cilat i shndërronte në grafika.Mayeri këtë art e  krahasoi me “action painting” në pikturën amerikane.Historiani i artit dhe kritiku dr.Hivzi Muharremi thotë se krahas ngjyrës në krijimtarinë pikturale të Fan Ferrit zbatohen me të madhe elementet e formës dhe të hapësirës dhe se piktura e tij surrealiste lind shpejt dhe përfundon  me zbrazjen e aksionit gjestikulativ.Sipas Muharremit piktura e Fan Ferrit është pikturë evokuese e jo riprodhuese dhe synon ta arrin unitetin mes gjendjes shpirtërore dhe lëvizjes fizike përmes renditjes së strukturave të ndryshme  të materies.

Fan Ferri gjatë dekadave të tëra ishte promovues i artit por edhe i kulturës shqiptare në Evropë dhe gjatë jetës së vet mori pjesë në shumë ekspozita nëpër qendra artistike evropeiane si në: Mynih (1980,1981,1982,1983,1985,1986), Augsburg(1982), Berlin (1987), Zűrich-Horgen(1985,1987), Meisterschwanden(1987), Budapest(1986), Beograd(1985), Lubjanë (1987), Udine(1987) dhe Trieste (1987) të Italisë, në Kajro(1988) të Egjiptit si dhe në disa ekspozita të tjera shënimet mbi të cilat janë zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë kur nga ana e soldateskës serbe u vodhen apo u dogjen edhe një numër i konsiderueshëm pikturash dhe grafikash të artistit të ndjerë.

Veprat e Fan Ferrit jasht Kosovës ruhen edhe sot e kësaj dite në disa nga institucionet më elite kombëtare gjermane, pastaj në Lubjanë, Sarajevë dhe qendra të tjera të ish Jugosllavisë, në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Prishtinë si dhe nëpër kolekcionet private të adhuruesve të artit nëpër Evropë e madje edhe përtej oqeanit.

Në Kosovë Fan Ferri, për fat të keq, mori pjesë pak ekspozita ndërsa në Sallonin XIII Pranveror në vitin 1986 e mori çmimin e parë për grafikë.Gjurmë të pashlyeshme ka lënë  në Pejë ku edhe e kaloi pjesën më të bukur të rinisë dhe ku pos pikturës së bashku me kitaristin Ehat Musa dhe disa shokë të tjerë mirrej edhe me  muzikë.

Artisti dhe njeriu Karmon Fan Ferri vdiq tejet heret për një artist: në moshën 46 vjeçare në Mynih të Gjermanisë ku edhe u varros dhe ku eshtrat e tij prehen edhe sot.Edhepse vdiq në moshë te re megjithatë pas vetës la një opus të begatshëm.

Institucionet kulturore të Kosovës, artin, traditën  dhe kulturën e së cilës i promovoi gjatë tërë jetës anembanë botës thuajse e kishin harruar në tërësi këtë vigan të artit duke i dhënë prioritet vlerave të dyshimta komerciale “artistike”.

Jeta dhe opusi i Fan Ferrit janë shenuar në disa shkrime të botuara gjatë këtyre 15 viteve në të përditshmet tona si dhe në dy botimet e monografisë “Arti bashkëkohor i Kosovës” (1988,2000), madje në të dy botimet ai paraqitet në formë informative  dhe vetëm si mjeshtër i grafikës duke mos u përmendur pikturat e tij tejet reprezentative dhe veprat e realizuara në teknika të tjera.

Një pjesë të borxhit moral ndaj Fan Ferrit e ktheu  Galeria Kombëtare e Arteve  në Prishtinë vitin e kaluar (2017)  kur me rastin e 25 vjetorit të vdekjes së këtij kolosi artistik e kishte organizuar ekspozitën me vepra të zgjedhura nga opusi i pasur artistik i piktorit të ndjerë  dhe për këtë  ekspozitlë ishte  shfaqur interesim i madh jo vetëm të artdashesve nga Prishtina por edhe nga mbarë Kosova e më gjërë.

 

Legjenda nën foto: KARMON FAN FERRI(1946-1992)

Exit mobile version