Përplasja e fundit ndërmjet zëvendëskryeministrit Nik Gjeloshaj dhe Presidentit të Malit të Zi rreth Ligjit për tatimin mbi pronën ka nxjerrë në pah tensione të vjetra politike, por edhe frikën nga një realitet i ri: shqiptarët nuk heshtin më. Reagimi i nënkryetarit të Alternativës Shqiptare, Edon Balidemaj, është një përgjigje e qartë ndaj tendencave për të bllokuar përparimin e Malësisë por edhe trevave tjera shqiptare, dhe jo vetëm, gjithashtu edhe për të ndëshkuar suksesin politik të shqiptarëve. Në një sistem që shpesh nuk fal kur je i zëshëm dhe i suksesshëm, ky reagim është zëri i arsyes dhe dinjitetit politik.
Reagimi i plotë i zt Balidemaj
Suksesi nuk falet! Askund!
Sidomos jo atij që me rezultate tregon se është më i mirë. E të kanë mësuar që i tilli është më i ulët, më pak i qytetëruar, që nuk i afrohet nivelit tënd kulturor, shoqëror dhe ekonomik. Të dehur nga paragjykimet, shpesh futen, edhe pa dashje, në hapësirën publike — dhe zakonisht dështojnë!
Ashtu siç ka dështuar, për të kush e di të satën herë, edhe Presidenti i Malit të Zi! Do të ishte krejtësisht e panevojshme të rreshtohen të gjitha faktet që tregojnë arsyet e qarta pse ka vendosur të përdorë të drejtën e tij kushtetuese dhe ta kthejë për rishqyrtim Ligjin për tatimin mbi pronën. Përbërja e kabinetit të Presidentit të Malit të Zi, i ndërtuar me kuadro të konsumuar, por edhe lidhje politike, familjare e miqësore me njerëz që ende kanë lidhje me “Plantazhet”, historia e “Plantazheve” që nga koha kur quheshin “Agrokombinati 13 Korriku”, marrëdhënia me Komunën e Tuzit, dhe për më tepër, shpresa dashakeqe se projekti i Komunës së pavarur të Tuzit do të dështonte — çojnë këdo që di të lidhë shkakun me pasojën, në të njëjtin përfundim: që Presidenti i Malit të Zi nuk e ka nënshkruar këtë ligj për arsye politike (që të mos them populiste)!
Dhe, natyrisht, është shumë e vështirë të gjendet shkaku i vërtetë i këtij vendimi. Nuk jam psikiatër, Presidentin e njoh vetëm sipërfaqësisht, përmes disa takimeve protokollare, më shumë përmes paraqitjeve publike, por disa fakte nuk mund të anashkalohen: Nik Gjeloshaj është në krye të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, e cila sipas raportit të fundit ka realizuar 20 nga 21 obligime të planifikuara — pra 95.2%! Është në krye të të njëjtit dikaster që deri vonë e ka drejtuar Jakov Millatoviq vetë! Kthehuni te fjalia e parë dhe mos harroni… inatin malazez!
Nik Gjeloshaj është kryetar i Alternativës Shqiptare! Udhëheqës i koalicionit Forumi Shqiptar! Dëshirojë apo jo dikush ta pranojë, pëlqejë apo jo, Nik Gjeloshaj është sinonim i subjektit politik me të cilin lidhen të gjithë treguesit kryesorë të përparimit politik dhe ekonomik të shqiptarëve në Mal të Zi, veçanërisht që nga viti 2019. Nuk do të rikujtoj këtu pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi që nga viti 1881, e cila gjatë qeverisjes së DPS-it u përkthye në një frazë të njohur: “shqiptar i ndershëm”! Nik Gjeloshaj dhe të gjithë ata që përfaqëson Forumi Shqiptar, nuk do të pranojnë kurrë të jenë “shqiptarë të ndershëm” në kuptimin e atij etiketimi: njerëz të heshtur për të mirën e përbashkët të Malësisë, të kombit shqiptar në Mal të Zi, që kënaqeshin me thërrimet e projekteve kapitale që zhvilloheshin larg zonave ku jetojnë shqiptarët. Që nga viti 2019, edhe vendbanimet me shumicë shqiptare kanë filluar të zhvillohen. Kanë ardhur “disa djem të rinj” që nuk pranojnë që interesat personale të mbizotërojnë mbi interesin kolektiv të Malësisë, Gucisë, Ulqinit… dhe të gjithë Malit të Zi! Por, po krijohet edhe një narrativë e re: sepse Niku çdo gjë që kërkon, e kërkon me zë! Qartë! Por jo për vete – për komunitetin e tij kombëtar, dhe kurrë në kurriz të interesave të Malit të Zi! Dhe logjika është e thjeshtë: t’i mbyllet goja atij që flet më shumë!
“No pasaran” — edhe nëse jeni President! Çfarëdo qoftë!
Dhe, në të vërtetë, nuk e përjashtoj as sujetën! Sidomos te ata që pozita nuk është rezultat i përpjekjes personale, karizmës (mos o Zot – karizmës!) apo ndonjë arritjeje, por i ka takuar si pasojë e një rrethane të caktuar. Sepse, po e rikujtoj, edhe kandidatura për president iu dha si — zëvendësim për dikë më të mirë se vetja! Në këtë lojë iluzionesh për madhështinë personale, çdo kritikë shihet si sulm ndaj vetes, sepse e vërteta kërcënon të zbulojë se dikush ka marrë diçka që nuk e meritonte. Në vend që të falënderojë dhe të punojë me përkushtim për të mirën e gjithë Malit të Zi, kalon në një fazë infantile arrogance, e në mungesë argumentesh, mbron veten me screenshot-e! Sidomos kur ato publikohen në ish-Twitter: atje ku Presidenti aktual ka një ushtri të tërë “bot-ësh”, të cilët jo vetëm që nuk fshehin, por edhe promovojnë qëndrime të hapura shqiptarofobe!
Ligji do të miratohet!
Jo për shkak të Nik Gjeloshajt!
Jo për shkak të Komunës së Tuzit!
Por për të mirën e përgjithshme të Malit të Zi!
Dhe do të nënshkruhet!
Pa dëshirë!
Por do të nënshkruhet!
Kjo do të mbetet vetëm një episod tjetër në jetën dhe aventurat politike të dikujt që, rastësisht, nga banka e rezervave, u ul në karrigen e Presidentit të shtetit!
Vetëm të mos i mbetet nofka — “I dobëti”!
Siç thonë japonezët:
“Sujeta e zvogëlon njeriun e madh, ndërsa të voglin — e shëmton!”
Edon Balidemaj
Nënkryetar i Alternativës Shqiptare

