Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Florida Peraj – Shembull i vajzës kelmendase që zgjodhi të jetojë e të punojë në vendlindje

Nga Mirsad Basha

Në një takim në Vermosh pata kënaqësinë të bisedoj me një vajzë të veçantë të Malësisë – Florida Perajn, një ndër vajzat më punëtore, të përkushtuara dhe pozitive të Kelmendit.

Florida është sipërmarrësja e parë nga veriu që më shumë se dhjetë vite më parë hapi bujtinën e saj në vendlindje, duke marrë një vendim të guximshëm – të mos largohet jashtë si shumë bashkëmoshatarë të saj, por të qëndrojë, të punojë dhe të kontribuojë për tokën ku ka lindur, në Vermosh.

Një histori suksesi nga zemra e Kelmendit

“Bujtina Peraj Vermosh” është sot një shembull i mikpritjes tradicionale dhe turizmit autentik malësor. Florida nuk ka ndërtuar vetëm një biznes, por ka krijuar një model të qëndrueshëm të zhvillimit rural dhe të fuqizimit të grave në zonat malore.

Përveç menaxhimit të bujtinës, ajo së fundmi ka marrë edhe një pozicion të ri profesional – është bërë pjesë e stafit të Bashkisë Malësi e Madhe, ku përfaqëson me dinjitet zonën e Kelmendit në rolin e administratores lokale.

Përkushtim dhe vizion për zhvillimin e zonës

Me Floriden bashkëpunoj prej kohësh në fushën e turizmit, dhe pas këtij takimi në Vermosh diskutuam për shumë nisma e aktivitete që pritet të realizohen në të ardhmen – nga promovimi i turizmit, te ndihma për shtresat në nevojë, e deri te organizimi i eventeve dhe festave tradicionale që i japin jetë e identitet Malësisë.

Florida Peraj është shembull i rinisë, i guximit dhe i dashurisë për vendlindjen. Ajo dëshmon se suksesin mund ta arrish edhe në trojet tona, nëse ke pasion, vullnet dhe përkushtim.

Portali “Plava e Gucia Sot” përkrah nisma të tilla që promovojnë rininë aktive, zhvillimin lokal dhe dashurinë për vendlindjen.

Exit mobile version