Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Jubile i rëndësishëm i ngjarjeve madhore kombëtare 

Epikologu, studiuesi, hulumtuesi dhe veprimtari i denjë dhe i mirënjohur i çështjes kombëtare shqiptare, Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri, në këtë orë përkujtimore për Plavën e Gucinë dhe betejat mbrojtëse në vitet 1879-1880, paraqiti një referat përmbajtësor dhe vërtet konstruktiv me të dhëna të bollshme faktike, të argumentuara me fjalë e shifra, të detajuara mu ashtu siç kanë ndodhur

Në Prishtinë u shënua 145-vjetori i Betejës së Nokshiqit të vitit 1879, ngjarje kjo e njohur si “Epopeja e Nokshiqit” dhe e betejave të janarit të vitit 1880, të njohura për qëndresën heroike të luftëtarëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të mbrojtjes së famshme të Plavës e të Gucisë nga pushtimi i Malit të Zi, me komandantët e shquar dhe të mirënjohur të kombit: Ali Pashë Gucia, Jakup Ferri, Çelë Shabani etj..
Ora përkujtimore e jubileut të rëndësishëm të ngjarjeve madhore kombëtare shqiptare, nën udhëheqjen e Florent Zeqajt, u mbajt në ambientin e Hotelit “Emerald”, më 18 shkurt 2025.
Në fillim të orës përkujtimore u intonua himni kombëtar.
Në praninë e afër shtatëqind pjesëmarrësve, fjalën përshëndetëse e mbajti nokshiqasi në diasporë, Zekë Nokshiqi, nismëtar, veprimtar dhe afarist i njohur në Teksas të SHBA-së, i cili me mallëngjim, admirim, por edhe me emocion iu drejtua të pranishmëve:
“Po dal para jush në emër të nokshiqasve të mi. Sot na keni nderuar me praninë tuaj, duke ardhur nga të gjitha trojet shqiptare në Prishtinën e Kosovës Dardane, për të nderuar sakrificën e heronjve tanë të Betejës së Nokshiqit. Unë si i ri kam dëgjuar nga të parët e mi dhe nga nokshiqasit tjerë për historinë e lavdishme që ndodhi 145 vite më parë në Betejën e Nokshiqit kundër Malit të Zi”.
Në vazhdim ai porositi që të mos harrojmë kurrë se jemi pasardhës të heronjve dhe se amaneti i tyre qëndron mbi supet tona.
“Të gjithë shqiptarët, pa dallim feje, qëndrojnë të bashkuar për ta çuar në vend këtë amanet të shenjtë. Falënderim të gjithëve për prani në këtë eveniment të rëndësishëm e madhor. Më keni nderuar shumë mua dhe Nokshiqin”, është shprehur ai.
Epikologu, studiuesi, hulumtuesi dhe veprimtari i denjë dhe i mirënjohur i çështjes kombëtare shqiptare, Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri, në këtë orë përkujtimore për Plavën e Gucinë dhe betejat mbrojtëse në vitet 1879-1880, paraqiti një referat përmbajtësor dhe vërtet konstruktiv me të dhëna të bollshme faktike, të argumentuara me fjalë e shifra, të detajuara mu ashtu siç kanë ndodhur.
Në vazhdim të këtij aktiviteti madhështor, me përshëndetjet e veta dhe evokimet mbresëlënëse ca minutëshe u paraqitën edhe disa personalitete të njohura të veprimtarive të ndryshme kulturore, artistike, shkencore, ushtarake, shoqërore etj.: ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, Akademiku Prof. Dr. Muhamet Mala, ish-komandanti i UÇK-së në luftën e Koshares, Rrustem Berisha (me prejardhje nga fshati Arzhanicë i komunës së Plavës), ish-komandanti i brigadës 136 “Rugova” të UÇK-së, Salih B. Lajçi, veprimtari dhe veterani i Lëvizjes Kombëtare, Binak Ulaj, veprimtari, diplomati e ambasadori Flamur Gashi dhe veprimtari nga Plava, Ramë Sinanaj.
Fjalën përmbyllëse të orës përkujtimore e mbajti veprimtari e afaristi i njohur në Teksas të SHBA-së, Ramiz Tafilaj.
Pjesëmarrës të këtij aktiviteti madhështor me peshë dhe vlerë për kombin shqiptar ishin edhe nga Ulqini, Shkodra, Lezha, Tirana, Lushnja, Kërçova, Kumanova, Medvegja, Bujanoci, Presheva, kurse shumica ishin nga Plava e Gucia, Tregovishta (Rozhaja), Pazari i Ri (Novi Pazari), Malësia e Gjakovës, Malësia e Madhe e Rugova, si dhe nga viset e ndryshme të Kosovës.
Manifestimi i shënimit të 145-vjetorit të Epopesë së Nokshiqit të vitit 1879 dhe i luftërave mbrojtëse të Plavës e Gucisë nga sulmet e Malit të Zi në janarin e vitit 1880, u konkretizua me program të begatë kulturor e artistik të grupeve, ansambleve folklorike, rapsodëve dhe këngëtarëve. Paraqitja artistike e grupit të valleve “Dardania” nga Tropoja, i drejtuar nga Shpresart Memia, si dhe e Ansamblit folklorik autokton “Rugova” nga Shtupeqi i Rugovës së Pejës, i drejtuar nga Vesel Nikçi, u përcollën dhe u përshëndetën me duartrokitje frenetike.
Mbresa të thella te të pranishmit la edhe lahutari nga Stankajt e Rugovës, Hysen Kuraj, i cili me përcjellje të tingujve të lahutës këndoi këngën kushtuar Betejës së Nokshiqit.
Me vëmendje, por edhe me duartrokitje, u përcoll lista e emrave të individëve dhe e institucioneve të cilën e prezantoi biznesmeni Qazim Destani, që sipas hartuesit të propozimit, Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri, e kanë mbështetur tridhjetë intelektualë të dalluar të institucioneve të larta arsimore e të dy akademive të shkencave e të arteve, si dhe shtatë shoqatave nga Evropa dhe Amerika, më 18 shkurt 2025, luftëtarët e Betejës së Nokshiqit të dhjetorit të vitit 1879 dhe të betejave të janarit të vitit 1880, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu i dekoroi me Urdhrin “Hasan Prishtina”.
Në fund theksojmë se orën përkujtimore e ka përgatitur dhe organizuar Këshilli nismëtar gjashtë anëtarësh, me kryetar Prof. Dr. Zymer Ujkan Nezirin dhe anëtarë Zekë Nokshiqin, Ramiz Tafilajn, Bruno Selimajn, Florent Zeqajn e Binak Ulajn.

Shaban Hasangjekaj

Exit mobile version