Me zemër të thyer dhe me dhimbje të thellë, njoftojmë miqtë, shokët, dashamirët, farefisin dhe të gjithë ata që e njohën, e deshën dhe e respektuan nënën tonë të dashur, se sot, më 25 gusht 2026, në Bruksel, ndërroi jetë e shtrenjta jonë:
HATË GJONBALAJ
e lindur Balidemaj
08.05.1938 – 25.08.2026
Varrimi i së ndjerës do të bëhet në Vuthaj.
Për ditën dhe datën e varrimit do t’ju njoftojmë sapo të kemi informacion të saktë.
Sot zemrat tona u mbushën me një dhimbje të madhe, sepse humbëm njeriun që për ne ishte gjithçka – Nënën tonë.
Nëna jonë e dashur ishte një grua e fortë, e urtë, punëtore dhe me një zemër të madhe. Ajo i përballoi me dinjitet sakrificat, skamjen, vuajtjet dhe vështirësitë e një kohe të rëndë, të cilat ishin barrë për të gjithë njerëzit e brezit të saj. Me mundin dhe duart e saj, e mbi të gjitha me dashurinë e pafundme të një nëne, ajo na rriti, na edukoi dhe na dha forcën për ta përballuar jetën.
Sakrificat dhe vështirësitë e asaj kohe u reflektuan edhe në jetët tona. Me kalimin e viteve, në kërkim të një jete më të mirë për veten dhe familjet tona, ne, fëmijët e saj, u detyruam të merrnim rrugët e mërgimit. Shumica prej nesh morëm rrugën drejt Belgjikës, ndërsa disa drejt Amerikës së largët.
Jeta na shpërndau nëpër botë, por kudo që shkuam, me vete morëm dashurinë, edukatën, sakrificën dhe forcën që na i dha nëna jonë.
Të pikëlluar për humbjen e saj janë:
Djemtë: Salihi, Sokoli, Ademi dhe Naimi, me familjet e tyre.
Vajzat: Butja dhe Ajshja, me familjet e tyre.
Nipat, mbesat dhe stërnipat, si dhe e gjithë familja e gjerë Gjonbalaj dhe Balidemaj.
Redaksia e portalit “Plava e Gucia Sot” i shpreh familjes Gjonbalaj ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e më të dashurës së tyre.

