Gjendja epidemiologjike në Mal të Zi e shkaktuar nga pandemia Covid-19, është nën kontrollë të vazhdueshme nga organet relevante kompetente të Qeverisë. Ditëve të fundit, pothuajse është stabile sepse numri i rasteve të reja me koronavirus është i vogël.
Deri më tani me virusin Covid-19 janë të prekura 12 komuna, në të cilat janë të regjistruara 308 raste, më se gjysma e tyre (160 sish) janë nga Podgorica.
Të dhënat e Institutit të shëndetit publik konfirmojnë se në 298 mostrat e testuara në laboratorët e mikrobiologjisë molekulare të Institutit, gjatë 24 orëve të fundit, në Mal të Zi janë regjistruar tri raste të reja me virusin Covid-19: në Podgoricë – 2 dhe në Budvë – 1. Dy rastet në Podgoricë, janë kontakteve të rasteve të konfirmuara më parë, kurse për rastin e ri në Budvë, burimi i infektimit është në kërkim.
Në 125 mostrat e testuara dje (të shtunën) prej orës 08:30 deri në ora 19:30, janë regjistruar dy raste të reja të prekura me virusin Covid-19. Të dy rastet janë nga Podgorica. Dhe në 173 mostrat e testuara në intervalin kohor 19:40-08:15, është identifikuar një rast i ri me koronavirus. Rasti është nga Budva.
Nga të dhënat e sipërshënuara rrjedh se numri i të regjistruarve me virusin Covid-19, prej rastit të parë e deri më sot në Mal të Zi, ka arritur në 308 (171 meshkuj dhe 137 femra), prej të cilëve 52 janë fëmijë dhe të rinj (20 të moshës 0-9 vjeçare dhe 32 të moshës 10-19 vjeçare).
Pasqyrëza e të prekurve me virusin Covid-19 nëpër komuna:
Podgoricë-160,
Tuz-36,
Nikshiq-32,
Tivarë-23,
Ulqin-22,
Andrijevicë-7,
Bijello Pole-6,
Herceg Novi-6,
Plavë-5,
Budva-5,
Danillovgrad-3 dhe
Tivat-3.
Për trajtim mjekësor në spitalet e Nikshiqit, Tivarit e Beranit dhe në Qendrën klinike të Malit të Zi në Podgoricë, momentalisht gjenden të hospitalizuar 38 të sëmurë nga koronavirusi, por numri e tyre të shtrirë në secilin spital nuk e kemi, ngase gjatë ditëve të vikendit nuk mbahen konferencat për media të organizuara nga Trupi nacional koordinues i cili disponon me të dhënat analitike në fjalë.
Instituti i shëndetit publik, bën me dije se deri më tani në Mal të Zi janë shëruar 55 persona dhe kanë vdekur 5 të sëmurë të infektuar me koronavirus.
Në shtetet e rajonit situata epidemiologjike ende është emergjente, ku më shumë e ku më pak. Gjendja më e rëndë është në Serbi e cila prin në rajon me numër më të madh të të prekurve, por edhe të vdekurve nga virusi Covid-19.
Të dhënat e fundit të organeve relevante kompetente të shteteve në rajon, dëshmojnë se gjendja e të prekurve, shëruarve dhe të vdekurve në 24 orët e fundit është:
Në Shqipëri: 562 të infektuar, 314 të shëruar dhe 26 të vdekur;
Në Kosovë: 510 të infektuar, 93 të shëruar dhe 12 të vdekur;
Në Serbi: 5994 të infektuar, 637 të shëruar dhe 117 të vdekur;
Në Kroaci: 1832 të infektuar, 615 të shëruar dhe 39 të vdekur;
Në Bosnje e Hercegovinë: 1268 të infektuar, 338 të shëruar dhe 47 të vdekur;
Në Slloveni: 1330 të infektuar, 190 të shëruar dhe 74 të vdekur dhe
Në Maqedoninë e Veriut: 1170 të infektuar, 164 të shëruar dhe 49 të vdekur.
Shaban Hasangjekaj