Site icon PLAVA E GUCIA SOT

BOTA INTELEKTUALE E PLAVË GUCISË- Nëntoger: Mehmet Dermani – Gjonbalaj

Prejardhja, fëmijëria dhe rinia e Mehmetit

I diplomuar në Akademinë Ushtarake të Itali në vitin 1931 me gradat Nëntoger

autor: Skender B Nitaj

Mehmet Dermani – Gjonbalaj, u lind më 31 janar 1911, në fshatin Vuthaj të Plavës, të Malit të Zi. Mehmet Dermani, ishte ndër intelektualët e parë të krahinës, i cili i vuri të gjitha potencialet e tij në shërbim të atdheut. Rrjedh nga familja e madhe e Gjonbalajve, barku Hasanaj, familje kjo e njohur për vlera të larta kombëtare. Babai i Mehmetit, Isuf Dermani ishte i martuar me Sofën, kurse axha i Mehmetit, Rud Dermani me Cucen, kurse këto të dyja ishin vajza të axhës mes veti dhe vinin nga dera e shtëpisë së patriotit të shquar shqiptar Sali Monit të Krasniqes, Malësia e Gjakovës. Isufi përpos Mehmetit, la pas vetit edhe katër vajza: Hyrën (e martuar me Ukë Halil Nitaj nga Drenoci i Deçanit), Zojën (e martuar me Ali Ymerin nga Padeshi i Tropojës), Hatmanin (e martuar me Mustafë Batushën nga Batusha e Gjakovës) dhe Sofën (e martuar me Musë Hasan Lokaj nga Pobërgja e Deçanit). Rudi pati një djalë, Ademin, i cili vdiq në moshën njëzetvjeçare nga një sëmundje e rëndë në kohën e Luftës së Dytë Botërore, si dhe një vajzë, Ajshën (e martuar me Rexhë Sinanaj nga Plava). Mehmeti i pati edhe dy axhë të tjerë, por pa trashëgimtarë.

Familja e Isuf dhe Rud Dermanit, për shkak të dhunës së ushtruar nga forcat ushtarake të Malit të Zi ishin të shtrënguara shpeshherë, t’i linin vatrat e tyre në Vuthaj dhe të vendoseshin gjetiu si në Krasniqe, Shalë e në vitin 1918 emigruan në Shkodër, ku strehë për ta u bë familja e Bajram Currit. Këtu, edhe marrin pjesë aktive në luftërat e kohës, me burra e gra. Kështu, edhe Mehmeti fëmijërinë dhe rininë e vet i kaloi në tundime të mëdha. Por, rrënjët e mira të familjes, nga të dy anët që i kishte, nuk zhgënjyen. Kështu, Mehmeti rritet në një djalë tejet të zgjuar dhe nxënës të shkëlqyeshëm. Shkollën fillore e kreu në Kolgecaj  (Bajram Curr), kurse të mesmen në Shkodër, që të dyja me rezultate të shkëlqyera.

Nga e djathta, Hysen Batusha, Mehmet Dermani,
Rexhep Rama (Balidemaj)
dhe dy miq të tjerë, në Shkodër, vitet e 30-ta

Pas mbarimit të Liceut të njohur (gjimnazit shtetëror) të Shkodrës, në vitin 1929, fitoi bursë shtetërore për të vazhduar për dy vite rresht studimet universitare në Akademinë e Oficerëve Ushtarak në Itali, ku studenti shqiptar Mehmet Dermani vlerësohet jo vetëm për arritjet e diplomës por edhe si intelektual i kompletuar duke zotëruar në të njëjtën kohë edhe pesë gjuhë të huaja. Atij iu bënë shumë kërkesa, iu ofruan poste për të vazhduar punën aty në Akademinë e sapo përfunduar. Por, Mehmeti asnjërën nuk e pranoi. Dëshira e tij ishte vetëm një, që t’i shërbente qoftë edhe me jetën e tij atdheut të vet.

Si në shkollën e mesme ashtu edhe në të lartën ai ra në kontakt me patriotë dhe figura përparimtare. Qysh herët ishte njohur me patriotin Asim Vokshi, me të cilin përpos që e lidhte miqësia familjare, e lidhte edhe ideja revolucionare. Së bashku u shkolluan në Akademitë Ushtarake në Itali, prej nga u kthyen më 1931 me gradat nëntoger. Krahas Mehmetit e Asimit, në Itali studionin edhe dhjetra studentë të tjerë shqiptarë nga treva të ndryshme, të cilët do të jenë edhe bashkëudhëtar në lëvizjet që do të pasojnë, si Tefik Çanga, Hajdar Dushi, Maxhun Nimani, Beqir Ndou, Jah Salihu, Xheladin Hana, Sadik Shabani, Enver Mehmeti etj. (nga kujtimet e prof. Sami Repishtit). Mehmet Dermani, po ashtu ishte ndër shokët më të ngushtë të poetit të madh Millosh Gjergj Nikollës – Migjenit, që në bankat në fëmijëri e gjersa vdiq.

Pasi kthehet në atdhe, kreu detyra dhe ushtroi funksione me rëndësi. Nga viti 1935 deri në vitin 1936, Mehmet Dermani punon si Sekretar Komune në Pukë, kohë kjo që i shërbeu për t’u miqësuar përjetësisht me Migjenin, i cili shërbente mësues në Iballe të Pukës. Këtu, ata, së bashku mirreshin me shkrime, të cilat ishin kryesisht të drejtuara kundër sundimit Zogist e në to aspirohej për një liri dhe demokraci të vërtetë. Ata që e njohën Mehmet Dermanin nga afër, si kushëriri i tij, Shaban Gjonbalaj dhe e shoqja Shpresa Kikino – Dermani, do të tregojnë më vonë, se “shkrimet, Migjeni dhe Mehmeti, i bënin së bashku, por, nga se Mehmeti ishte zyrtar i lartë në pushtetin lokal, nuk mund të përdorte firmën e tij, si autor ose bashkautor i këtyre krijimeve, e po ashtu as Migjeni nuk e përdorte emrin e vërtetë të tij, por vetëm pseudonimin letrar…”. Nuk është rastësi, që periudha më e frytshme e krijimtarisë së Migjenit, ishte pikërisht, koha kur ai punonte dhe vepronte së bashku me Mehmet Dermanin, në Pukë gjatë viteve 1935-36. Pas shumë përpjekjesh, u botua në fillim të vjeshtës së vitit 1936, Përmbledhja e parë me vjersha dhe poezi e Migjenit, e cila nuk vonoi dhe cenzura e Zogut e ndaloi qarkullimin e saj. Një tjetër dëshmi për një raport shumë të afërt mes tyre, e gjejmë edhe te Revista Nëndori, Nr. 5, 1954, fq. 124, e cila kishte lëshuar një “Thirrje Redaksionale” “për sa më shumë kujtime për Migjenin, sipas shembullit të shokut Mehmet Dermani…” . Mehmet Dermani do të goditët rëndë nga humbja e shokut të ngushtë, poetit të mjerimit, Migjenit, i cili nga sëmundja e tuberkulozës vdiq në një sanatorium afër Torinos, me 26 gusht 1938, në moshën 27 vjeqare. Në ndërkohë, Mehmet Dermanin e gjejmë në pozita tjera, në vitin 1937 caktohet Sekretar Komune në Kukës dhe në vitin 1938 Kryetar Komune në Rahovec (Kosovë).

Lufta Antifashiste dhe Konferenca e Bujanit

Sëmundja e tuberkulozit që i lajmërohej kohë pas kohe, do ta ndajë Mehmetin nga shkuarja në pranverën e vitit 1937, në Luftën Antifashiste të Spanjës si vullnetarë, si dhe nga shoku i tij i ngushtë Asimi. Në atë kohë, shumë të rinj nga të gjitha trevat shqiptare, me ideale komuniste dhe antifashiste, organizoheshin dhe dërgoheshin vullnetarë në revolucionin spanjoll. Kështu, Asim Vokshi, më 4 tetor 1937, ra heroikisht duke luftuar në betejën e Fuento del Ebros, në frontin e Katalonisë, në krye të Batalionit të Tretë të Brigadës Internacionale “Garibaldi”, ashtu që idetë e tij revolucionare Mehmet Dermani t’i vazhdojë në atdheun e vet. Që kur thundra e Italisë fashiste shkeli Shqipërinë në prill të vitit 1939, Mehmet Dermani angazhohet në radhët e forcave antifashiste të luftës. Ai bie në sy shpejt nga pushteti fashist, me ç’rast arrestohet por për mungesë provash, vetëm internohet në Shijak. Pas lirimit, ai bëhët organizator dhe luftëtar aktiv kundër pushtuesve fashistë.Me pushtimin e Jugosllavisë në vitin 1941, ra kufiri ndërshqiptar dhe një pjesë e madhe e trojeve shqiptare të Jugosllavisë iu bashkua shtetit shqiptar. Kështu që shumë të rinjë shqiptarë u kthyen në Kosovë  për të organizuar rezistencën që do t’i bëhej okupatorit. Disa prej tyre edhe para ’41-shes mbanin lidhjet me Kosovën, përkundër vështirësive të kalimit në Shqipëri nga regjimi jugosllav. Atje ishin shkolluar, atje u takonin grupeve të njohura patriotike, prandaj këtu gëzonin autoritet të madh në popull. Tashmë këta të rinjë udhëtonin lirisht në këto territore që në përfundim të luftës do të ndaheshin përsëri nga kufiri shtetëror. Mehmet Dermani aktivitetin e vet e përqendron kryesisht në territorin e Malësisë së Gjakovës dhe Plavës e të Gucisë, dhe atë në ngritjen e idealeve për liri dhe bashkim kombëtar tek masat e gjëra të popullit dhe përfshirjen e tyre sa më të madhe në luftën antifashiste, pengimin e luftërave vëllavrasëse dhe në ndërtimin e themeleve për shtetin e ardhshëm të përbashkët të shqiptarëve. Kështu, Mehmet Dermanin e gjejmë në radhët e para të aradhës partizane “Bajram Curri” që u formua në fund të marsit ’43, në Dragobi, e cila ngusht operonte edhe me aradhat e tjera partizane, si “Përlat Rexhepi”, “Emin Duraku” etj.

Kulla e Salih Monit, Bajraktarit të Krasniqes
ku u mbajt Konferenca e Bujanit

Mehmet Dermani ishte njëri ndër organizatorët kryesorë dhe pjesëmarrës në Konferencën e parë themeluese të Këshillit Nacional Çlirimtar për Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit, që u mbajt me 31 dhjetor 1943 e 1 dhe 2 janar 1944, në Bujan të Malësisë së Gjakovës, në kullën e Sali Manit, Bajraktarit të Krasniqes, e cila ndodhej pranë bazës së Shtabit Kryesor të UNÇ të Kosovës dhe të Komitetit Krahinor për Kosovë e Rrafshi i Dukagjinit. Në Konferencë kishte përfaqësues të të gjitha viseve dhe po ashtu të të gjitha nacionaliteteve të Kosovës. Prej 49 pjesëmarrësve, 43 ishin shqiptarë, 3 serbë dhe 3 malazezë. Ndërkohë, 12 të ftuar të tjerë nuk erdhën për arsye të ndryshme. Konferenca e Bujanit doli me një dokument përfundimtar me rezolutë të miratuar, ku thuhet: Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është krahinë e banuar me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron me u bashkue me Shqipërinë. Lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër okupatorit nazist gjaksuer e rrogtarëve të tij, është e vetmja rrugë për me fitue lirinë, në të cilën të gjithë popujt, pra edhe populli shqiptar, do të kenë mundësi me vetëvendosë mbi fatin e tyre, me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje.

Faksimili me nënshkrimet e dokumentit
të Konferencës së Bujanit, ku i vijëzuar
dallohet nënshkrimi i M. Dermanit

Mehmet Dermani, kish angazhuar edhe nipin e tij, Bardh (Ukë) Nitaj në rezistencën antifashiste. Në rastin e Konferencës së Bujanit, Bardhi kishte për detyrë të përcillte delegatët ilegalë për në Malësi.

Gjatë kohës së Ofensivës së Dimrit të fundvitit 1943 e fillimvitit 1944 e ndërmarrë nga okupatori gjerman, Mehmeti është në radhët e para të rezistencës. Për këtë dëshmojnë edhe rrëfimet e ndryshme, të cilat tregojnë se një prej bazave ku strehohej Mehmeti bashkë me shokë të tjerë partizanë, ishte edhe shtëpia e  Bajram Hazir Rrogamit, nga Rrogami i Epërm i Kolgecajve, i cili e ktheu kullën e tij në bazë të rëndësishme të LANÇ.

Pas çlirimit të Tropojës më 16 tetor 1944, u krijua mundësia që të formohej një njësi e re, sipas Urdhërit të Komandës së Përgjithshme të UNÇSh-së (të lëshuar më 25 tetor ’44), më 6 nëntor 1944, në Astë të Tropjës u formua Brigada e XXV-të Sulmuese. (Brigada e XXV-të Shqiptare e Malësisë së Gjakovës). Në përbërje të saj bënin pjesë partizan të batalioneve të zonës, të cilët në fillim arritën numrin rreth 1000 partizanë, tropojanë, hasjanë e kosovarë. Komandant i Brigadës u zgjodh Veli (Niman) Doçi, ndërsa komisar politik Nuri Arapi. Brigada përbëhej nga katër batalione, ku komandant të tyre, ishin Idriz (Rexhep) Mulosmani, Ali (Ibrahim) Balaj, Mehmet (Bajram) Mulosmani dhe Ismail Poga. Mehmet Dermani ishte komisar politik i batalionit të III-të (e më vonë edhe i tërë brigadës). Vlen të përmendet se Mehmet Dermani, Idriz (Rexhep) Mulosmani dhe Mehmet (Bajram) Mulosmani, ishin nipërit e Salih Monit të Krasniqes. Nipi i Mehmetit, Bardhi, u angazhua në Brigadë që nga formimi i saj. Në fillim kryen detyrën e korrierit të batalionit të III-të, kompania e II-të, e pastaj delegat i togut të I-rë të këtij batalioni.Brigada e XXV-të Sulmuese, që në fillim mori detyrën më të rëndë luftarake për t’i ardhur në ndihmë Brigadës së VI-të Sulmuese, që e ndiqte armikun në Malësinë e Shkodrës, drejt Dukagjinit. Brigada do të marshonte, në një terren të largët, malor e të vështirë, në kohë dimri me mbi 1.5 metra dëborë, siç ishin zona e Nikaj-Mërturit, Thethi, Shala e Shoshi, midis vargmaleve të Qafë Kolshit, mbi 2000 metra të lartë si dhe midis Shkëmbit të Rajës e Lumit të Valbonës që tashmë nga dimri ishte i pakalueshëm. Gjatë lëvizjeve në malet e Shalës, në të ftohtë dhe pa ushqim qëndruan plot katër ditë, me ç ‘rast për pasojë shumë luftëtarë ishin mërdhirë këmbë e duar (në mesin e tyre edhe Bardhi), e të cilët për mjekim qëndruan te Bajraktari i Shalës, i cili ishte stërnip i Salih Monit. Bajraktari ishte simpatizant i LANÇ-së, por edhe e respektonte shumë farefisninë që e kishte me Salih Monin dhe tre nipërit e tij, e simpati të veçantë kishte ndaj stërnipit të Salih Monit, Bardhit, i cili ishte më i riu por edhe mjaft i zgjuar. Kështu, brigada u aftësua që të vazhdoj rrugëtimin e vet për në Malësi të Shkodrës për të dalë në breg të Drinit, prej kah tërhiqeshin forcat gjermane nga fronti i jugut. Në breg të Drinit u zhvilluan luftime të rrepta me gjermanët. Brigada e XXV-të Sulmuese përgjatë tërë rrugëtimit: Tropojë – Dragobi – Qafë Bori – Guci – Plavë – Qafë Dielli – Bjellopolje, zhvilloi shumë operacione luftarake për çlirimin e zonave. Në Qafë të Çakorrit u bë një marrëveshje me burrat e Rugovës për të penguar një konflikt eventual vëllavrasës. Pas kësaj, Brigada u kthye në Kosovë dhe me 28 nëntor 1944, në Gjakovë u vendos në kazermat ushtarake në fushat e Bajram Agës.

Brigada e XXV-të Sulmuese, së bashku me Brigadën e III–të dhe Brigadën e V-të ishin pjesë e Divizionit të V–të Sulmues të UNÇSH që gjatë marshimeve e veprimeve luftarake në Kosovë arritën një efektiv në 6.500 partizanë. Së bashku edhe me Divizionin e VI–të Sulmues të UNÇSH (që numëronte një efektiv prej 4.000 vetësh), kjo brigadë kaloi në Sanxhakun e Jeni Pazarit dhe atje zhvilloi luftërat përfundimtare për çlirimin e kësaj treve. Kështu, Brigada në fillim të vitit 1945 u kthye në Kosovë. Në maj të vitit 1945 në Mitrovicë të Kosovës, kjo Brigadë u shpërnda në përberje të tri brigadave të UNÇSH : Br. V–S, Br. VI–S dhe Br. XXII-S.

Mehmet Dermani

Mehmet Dermani, si luftëtar aktiv gjatë luftës antifashiste, kreu me përpikmëri detyrat për çlirimin e vendit dhe në prag të çlirimit mbante shtatë plagë në trup. Paradoks, por te Mehmeti kjo ishte e vërtetë.

Gjatë tërë luftës, një aktivitet të madh pati edhe motra e Mehmetit, Hatmanja, në lëvizjën e grave antifashiste në Gjakovë, e prirë nga Sabrie Vokshi (Bije Vokshi) nga Gjakova, mbesa e Sylejman Vokshit dhe halla e Asim Vokshit.

Nga fillimi i shkurtit 1945, kishte mbërrit një urdhër i Komandës së Përgjithshme, për kthimin e pionierëve-partizanë në Tiranë për shkollim. Në urdhër thuhej: “Meqenëse së shpejti çelen shkollat dhe duke marrë parasysh se kjo kategori ka nevojë më shumë se kushdo tjetër për arsim, kjo Komandë ka vendosur që t’i heqë nga Ushtria dhe t’i vendosë nëpër shkolla të ndryshme…” (Dokumenti i Komandës dhe i Shtabit të Përgjithshëm, V-2, faqe 241). Për instruktor ishte caktuar edhe komisari politik i Brigadës së 25-të Shqiptare, Mehmet Dermani, i cili kishte të kryer Akademinë Ushtarake në Itali. Po ashtu, Bardhi, bashkë me disa të rinj luftëtarë të kësaj Brigade, si më të dalluarit dhe më të shkolluarit, u caktuan për tu shkolluar për oficerë ushtarak në Tiranë (që më vonë do të quhej Shkolla Ushtarake “Skënderbej”).

Mirëpo, dimër i vështirë që mbretëronte në atë kohë, bëri që ky grup të rinjsh që prisnin të shkonin për shkollim në Tiranë, të prisnin që të kaloj dimri dhe të lehtësohet rruga për Shqipëri. Por, siç duket, ky dimër pos që ishte i vështirë, për Kosovën dhe shqiptarët ishte edhe mjaft i kobshëm. Shqiptarët edhe një herë gjatë historisë së tyre ishin protagonistë të një tragjedie që po e përjetonin, ani pse gjatë kësaj lufte ata bënin një luftë të drejtë, luftuan nazifashistët gjermano-ital dhe menduan se lufta që e bënin do të jetë garancia më e fortë se do të gëzonin lirinë dhe bashkimin kombëtar. Porse, edhe një herë gjatë historisë, shqiptarët u (vet)mashtruan, u (vet)tradhtuan… Vlen të përmendim se në shtator të vitit 1944 Shtabi Kryesor i Kosovës u degradua në Shtab Operativ e ky u vu nën komandën e Shtabit Kryesor të Serbisë; në shkurt të vitit 1945 Titoja vendosi administrimin ushtarak në Kosovë, … dhe për pasojë masakra e Drenicës dhe e trevave tjera shqiptare, ploja e Tivarit, … dhe kështu shqiptarët mbetën edhe një herë të ndarë përgjysmë dhe edhe një herë gjysma e kombit mbeti nën thundrën serbo-sllave. Kështu, shqiptarët e Malit të Zi, Rrafshit të Dukagjinit e të Kosovës dhe Maqedonisë u desh të pajtohen me këtë Dimër të Gjatë me shpresë se edhe për ta do të vinte Pranvera e Vonuar.


Vitet e gjata të burgosjeve dhe internimeve
Në këmbë, Hysen e Mustafë Batusha dhe Mehmet Dermani,
ulur, e shoqja e Hysenit – Fahrija, e shoqja e Mustafës – Hatmanja
(motra e Mehmetit) dhe Shpresa Kikino (bashkëshortja e Mehmetit)
në Gjakovë, verë 1947

Në fillim të ’45-shes, Mehmet Dermani u njoh me Shpresa Kikinon, me të cilën në prill lidhën fejesën ndërsa në qershor, të po të njëjtit vit, bënë martesën. Shpresa Kikino, ishte vajza e Riza Kikinos dhe Zejnepe Çuçit, që të dytë nga Gjirokastra. Nëna e Shpresa Kikinos dhe nëna e Enver Hoxhës, ishin vajza të axhës mes vete. Shpresa, e lindur më 1924, kishte të kryer Shkollën Normale për mësuese, në Tiranë. Rizaja dhe Zejnepja paten 5 fëmijë, Lemanën (e martuar me Qazim Gjebrean nga Gjirokastra), Qemajlin (i martuar me Mergjuze Zekon nga Gjirokastra), Dritën (e martuar me Qemajl Kodrën nga Gjirokastra), Shpresën dhe Bardhylin (i martuar me Jalldyze Çorushën nga Kavaja).  Kështu, Mehmet Dermani mbeti të jetojë dhe të punojë në Shqipëri, pa u realizuar ëndrra për bashkimin e trojeve shqiptare, për të cilin ideal kishte luftuar. Në Shqipërinë e pasluftës, kreu disa funksione politike dhe partiake  me rëndësi. Siç u tha, fillimisht iu ngarkua detyra me rëndësi, si shef stërvitje në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Pastaj, më 1946, u caktua Sekretar Partie e Kryetar i Komitetit për Tropojë. Më 8 mars 1947, Mehmeti bashkë me të shoqen, u kthye në Tiranë për të vazhduar Shkollën e Partisë, si dhe u caktua Inspektor i Kontrollit të Shtetit për Tiranën. Më vonë, e shohim në pozita të larta, si anëtar i Sekretariatit Shtetëror për katër resorë e deri te pozita e ambasadorit, porse shpeshherë e pengonte sëmundja, që po e përcillte kohë pas kohe, që nga rinia e hershme. Disa herë shtrihet për shërim në sanatoriumet e Pragës dhe të Tiranës. Është një gjë tjetër që Mehmetin e mundonte më rëndë se sëmundja.

Një nga fotot e rralla të Mehmet Dermanit

Me gjithë këto vlerësime e përgjegjësi që iu dhanë, ai asnjëherë nuk ndihej i qetë për sakrificat e bëra. Arsyeja ishte jo tek përgjegjësitë por më largë përgjegjësive e funksioneve. Vendimet e Konferencës së Bujanit ishin shkelur nga serbo-sllavët dhe agjentët e tyre. Bashkëkohësit e tij tregojnë se në një mjedis familjar u drejtohet shokëve e miqëve të tij: “Shokë, atë ç’ka deshëm të fitojmë me gjak, serbi na e mori me tradhti.” Për këto pikëpamje atdhetare, ai u vu në ndjekje të sigurimit të shtetit duke u akuzuar si antijugosllav. Duke qenë ballë për ballë me Koçi Xoxën, Mehmeti me guxim i drejtohet atij dhe i thotë: “Midis nesh duhet të ndajmë kush është patriot e atdhetar dhe kush është tradhëtar.”

Kështu, shqiptarët, kishin rënë në një robëri edhe më të rëndë, në të dy anët e kufirit. Në Shqipëri rëndonte gjithnjë e më shumë diktatura komuniste e Enver Hoxhës. Pas vdekjes së Stalinit dhe pas Kongresit të 20-të të PK të BRSS-së (1956), Hrushqovi denoncoi kultin e individit dhe dukej se edhe në Shqipëri një gjë e tillë po lëvizë. Por jo! Pas Konferencës së Tiranës, në prillin e vitit 1956, filloi një valë e re arrestimesh të krerëve partiakë e shtetërorë.

M. Dermani & Sh. Kikino

Kësaj vale të arrestimeve e përndjekjeve nuk mundi t’i shpëtonte as Mehmet Dermani, i cili qysh herët kishte qenë halë në sytë e ‘hoxhëve’ dhe ‘shehëve’. Pas kësaj “rrufeje”, Mehmetin e ndjek kalvari i mundimeve e sakrificave mbinjërëzore. Një dasmë e kosovarëve në Rrashbull, në vjeshtën e vitit  1956, do të mjaftojë që të gjendej preteksti për arrestimin e tij. Mehmet Dermani ishte nisur për atje me një makinë së bashku me Bajram Vulën, Zenel Bardhin, Idriz Rexhepin, Mehmet Bajramin, Din Bajraktarin e Xhafer Vokshin, ku tek Ura e Dajlanit, në të hyrë të Durrësit, arrestohet nën akuzën ironike “të tentativës së arratisjes për në Jugosllavi”, ndërsa dihet se kjo ishte e pamundur të bëhej nga ky vend. “Mehmet Dermani është kapur tek Ura e Dajlanit, në të hyrë të Durrësit, ndërsa nga hyrja e Durrësit, vështirë se mundet të arratiset ndokush në Jugosllavi. Është absurde kjo!” – do të thoshte Xhafer Vokshi në mbrojtje të tij. Po kështu ishte akuzuar edhe Liri Gega e Dali Ndreu kohë më parë, e pas tërë kësaj edhe Shinasi Dragoti, zëvendësministër i ndërtimit, me motivacion se gaboi që iu kish dhënë makinë këtyre, për tu arratisur për në Jugosllavi. Kështu, Mehmet Dermani u burgos, ndërsa më 1957, u internua bashkë me të shoqen në qytezën famëkeqe të të përndjekurve politik, në Selenicë të Vlorës. Sërish burgoset, më 1958, nën akuzat bajate të agjitacionit e propagandës (AgjitProp) të Sigurimit të Shtetit me ç’rast mbajti 4 vite në burgun e Tiranës, i ndarë për së gjalli me çdo komunikim familjar. Në kujtimet e tij, Pjetër Arbnori, sjell dëshmitë për peripetitë e kaluara në Burgun e Tiranës. Mes tjerash, ai përmend se si “të burgosurit, shfrytëzonin kohën e kaluar në nevojtoret e burgut, edhe për kontakte të rastit me të burgosurit e tjerë. Guximtarë të tillë që shpërfillnin rregullat e bënin vizita, ishin të burgosur të vjetër si Tuk Jakova, Gjergj Bufli, Njac Serreqi, Viktor Kujxhiu, Mehmet Dermani etj”.

Faksimili i letërkëmbimeve me të afërmit në Deçan

U internua sërish, në Selenicë të Vlorës, ku i kaloi vitet e tjera të jetës, i vetmuar dhe i lodhur nga jeta. Pranë i qëndroi vetëm Shpresa, bashkëshortja besnike e viteve të errëta.

Edhe pse shëndeti i tij ishte i rrënuar, ai nuk i shpëton ndjekjes e dhunimit në qelitë e sigurimit e të hetuesisë së kuqe. Bashkëshortja Shpresa, të tmerron me ngjarjet e jetës së saj dhe të shoqit. Mjaft “dashamirës” të sigurimit të shtetit, bile edhe nga far e fis i bënë thirrje “dashamirëse” e kërcënime të egra për ta ndarë nga i shoqi, se kështu e priste një jetë më e rehatshme për të. Ajo si trimëreshë dhe me ndjenja të thella patriotike, nuk i tradhëtoi idealet, luftën dhe plagët e të shoqit. Motra, Zoja (e martuar në Tropojë), kishte arritur vetëm një herë ta vizitonte të vëllanë (në vitet 80-të), përgjatë gjithë sundimit komunist, e kjo ishte sa një jetë e njeriut.

Edhe në prag të vdekjes u jepte kurajo të shoqes, shokëve e miqve të tij, duke u shprehur: “Edhe për Shqipërinë do të vijë një rreze Dielli.” Mehmet Dermani, vdiq i internuar, në Selenicë, në një ditë të premte, më 25 prill 1986, në moshën 75 vjeçare.

Mehmet Dermani me të shoqen Shpresën (në të majtë)
dhe të afërm të tjerë

Vetëm në ditët e demokracisë, për kontributin e tij dhënë organizimit të Konferencës së Bujanit, më 7 janar 1994, Mehmet Dermani, u nderua (pas vdekjes) me “Urdhërin e Flamurit Kombëtar për Liri, të Klasit të Parë” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha. Më 17 prill 1994, e shoqja Shpresa, që kish mbetur e vetmuar dhe tani jetonte në Tiranë tek nipërit, arriti t’i bart eshtrat e të shoqit nga Selenica dhe t’i rivarros në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku mbi varrin e ri, ngret edhe pllakën përkujtimore. Figura, lufta dhe vepra e tij, janë një amanet i vyer për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

Më 6 janar 1995 Gazeta “Koha e Re” e Tiranës, në faqen 5, sjell artkullin kushtuar patriotit të shquar Mehmet Dermani – Gjonbalaj, “Një erudit shqiptar që iu kushtua çështjes shqiptare” nga Myftar Fana. Më 17 prill 1995, figura e shquar e patriotit u përkujtua në rubrikën Kujtesë nga Televizioni Shqiptar. Më 11 qershor 1996, gazeta Bujku (Rilindja) e Prishtinës, në faqen 7 sjell artikullin përkujtimor “Dhjetëvjetori i vdekjes së Mehmet Dermanit”, nga Skënder (Bardh ) Nitaj.

Shënim: Janë shfytëzuar materiale të ndryshme, nga libra, revista, gazeta, dorëshkrime, rrëfime e dëshmi të bashkëkohësve, si dhe letërkëmbimi i autorit me të ndjerin, gjatë viteve të 80-ta.

Exit mobile version