Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Prof.Dr.Mujë Gjonbalaj

U lind me 23.04.1956 në fshatin Vuthaj, komuna e Plavës, Mali i Zi. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen ekonomike në Pejë në vitin 1975 dhe Fakultetin Ekonomik në Prishtinë në vitin 1979. Gjatë studimeve të rregullta ka fituar  çmimin “student i dalluar”, të cilin e ndanë Rektorati i Universitetit të Prishtinës. Në vitin 1981/1982 regjistrohet dhe me 1984 magjistrohet në Fakultetin Ekonomik, të Universitetit të Zagrebit, në temën me titull “Ndikimi i migrimeve të jashtme në zhvillimin ekonomik në Kosovë”. U doktorua në vitin 1995 në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, në temën me titull ”Komponenti Ekonomikë dhe Demografikë i zhvillimit të Popullsisë së Kosovës”. Gjatë vitit 1987/1988 është specializuar në fushën “Evaluimi  i Projekteve sipas Metodologjisë së Bankës Botërore”në Universitetin e Zagrebit.

Pas përfundimit të studimeve të rregullta në vitin 1979, punësohet në cilësi të profesorit në Shkollën e Mesme Ekonomike “Luigj Gurakuqi” në Klinë. Në periudhën 1980-1997 ka punuar në Institutin Ekonomik të Prishtinës. Karrierën e tijë hulumtuese shkencore e fillon në vitin 1980, kur punësohet në Institutin Ekonomik të Prishtinës. Për disa vite (1995-1997) ishte kryeredaktor i revistës shkencore nga fusha e ekonomisë “Economia”.

Në vitin 1997 është zgjedhur në cilësinë e docentit në Fakultetin e Bujqësisë(Departamenti i Agroekonomisë), të Universitetit të Prishtinës. Në vitin 2005 është zgjedhur profesor i asocuar dhe në vitin 2010 profesor i rregullt, për lendet: Statistikë, Statistikë Aplikative, Biometri me Statistikë dhe Evaluimi i Projektit. Në cilësi të bashkëpunëtorit të jashtëm ligjeron në nivelin master dhe në programin e doktoraturës, në  Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Nga viti 2004 në cilësinë e bashkëpunëtorit të jashtëm ligjeron në Universitetin privat”ILIRIA” në Prishtinë.

Në vitin 1999/2000 ishte në cilësinë e zv.ministrit në Ministrinë e  Ndërtimit dhe Rindertimit dhe në periudhën 2002-2004 në cilësinë e këshilltarit të ministirit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë të Qeverisë së Kosovës.

Është anëtar i disa trupave profesional dhe shkencoë si: Instituti Albë-Shkenca, Agjencioni i Statistikave të Kosovës, anëtar i komisionit për publikime në fushën e  ekonomisë në kuadër të Universitetit të Prishtinës, anëtar i asociacionit të ekonomistëve në Kosovë, anëtar i asociacionit të ekonomistëve shqiptarë. Është bashkëthemelues dhe bashkëpronar i institutit për menaxhimin e marketingut dhe të ndërmarrësisë në Prishtinë. Aktualisht është udhëheqës i Departamentit të Agroekonomisë. Është udhëheqës dhe anëtar i komisionit për mbrojtje të temave të masterit dhe doktoraturës në: Universitetin e Prishtinës, Universitetin e Tiranës dhe në Universitetin e Giessenit në Gjermani. Bashkëprofesor në Universitetin verorë ndërkombëtar të Prishtinës (2013/2014). Recensent i punimeve dhe i monografive shkencore në vend dhe jashtë.

Ka botuar 5 monografi si autor apo koautor. Është autor dhe bashkautor i 44 punimeve në revista shkencore në: Kosovë, Shqipëri, Kroaci, Austri, Itali, Rumani, Bullgari dhe Hungari. Është autor dhe koautor i 55 projekteve dhe elaborateve në fushën e zhvillimit ekonomik. Është pjesëmarrës me kumtesa në shumë konferenca shkencore, në vend dhe jashtë, autor i disa artikujve publicistik dhe i vështrimeve kritike në fushën e ekonomisë.

Është pjesëmarrës dhe implementues në shumë projekte në nivel nacional dhe ndërkombëtar në bashkëpunim si: Banka Evropiane për Investime (EIB), USAID (SHBA), GIZ (Gjermani), DfID (Mbretëri e Bashkuar), Intercooperation(Zvicër), Banka Evropiane për Rindertim dhe Zhvillim(IBRD), etj. Ka realizuar vizita studimore në Universitetin e Tiranës, Universitetin Hohenhajm në Gjermani, Universitetin e Bokus në Austri, etj.

Exit mobile version