Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Rruga nga Dinosha deri në kufi me Shqipërinë do të përfundohet deri në fund të Marsit 2021

Punimet në rekonstruktimin e rrugës rajonale R-27 Dinoshë – Cem i Trieshit në gjatësi prej 17,3 kilometra, do të përfundohen deri në fund të muajit Mars të këtij viti deklaruan nga Administrata për transport.

Afati i fundit për përfundimin e punimeve ishte nëntori i vitit të kaluar, por është zgjatur për shumë arsye.

Nga Administrata për transport kanë shpjeguar se afati i kontratës është zgjatur për shkak të ndërprerjes së punimeve në disa segmente nga pronarët e tokave për shpronësim, pastaj nevoja për zhvendosjen e ndriçimit publik, zhvendosja dhe instalimi i ujësjellësit në gjatësi prej 3,5 kilometra. Kanë ndikuar edhe pandemia COVID-19 si dhe reshjet e shumëta atmosferike.

Deri më tani janë shtruar 16,5 kilometra të shtresës së poshtme mbajtëse të asfaltit, kurse punët në këtë segment po i kryen kompania nga Podgorica Tehnoput.

Projekti i ndërtimit të rrugës Dinoshë – Cemi i Trieshit është planifikuar me buxhetin kapital të vitit 2019, ku Qeveria e Malit të Zi ndau rreth 9 milion euro.


Vendkalimi kufitar  Shqipëri – Mali i Zi , Grabon – Cem i Trieshiti

Me përfundimin e kësaj rruge, largësia nga Podgorica deri në Guci duke kaluar në pjesën më të madhe nëpër territorin e Shqipërisë do të jetë rreth 75 kilometra, duke e shkurtuar ndjeshëm rrugën që bëhet sot nga Podgorica në Guci përmes kanionit të Moraçës prej 200 kilometrave.

Përfundimin e segmentit nga Dinosha në Cem të Trieshit, e pret objekti i Pikës së kalimit kufitarë për shfrytëzim të përbashkët i cili ka kohë që është ndërtuar në Cem të Trieshit-Grabom në afërsi të Tamares në Këlmend. Për të arritur në Guci pastaj vazhdohet rrugës drejt Vermoshit dhe Pikës së kalimit kufitarë Bashkim – Gërçarë./ Plava e Gucia Sot

Exit mobile version