Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Zenun Çelaj

Zenun Çelaj

Zenun Çelaj u lind  më 7 prill të vitit 1940, në Vuthaj. Këtu dhe në Guci, më 1954, mbarova shkollën fillore (tetëvjeçaren), si brezi i dytë me mësim në gjuhën shqipe pas Luftës së Dytë Botërore. Nga ata që e mësuan në këtë fazë të shkollimit kujton me respekt e mirënjohje mësuesin e parë, Ahmet Islamin, dhe Ragip Rexhepagajn e Prekë Ndrevashajn, nga të cilët përveç njohurive shkollore  thotë se ka marrë edhe mësime që e kanë udhëhequr gjatë tërë   jetës.

Vitin shkollor 1954/55  vijon mësimin në gjimnazin e Pejës e braktisa atë  pa mbaruar gjysmëvjetorin, për shkak të kushteve të papërballueshme jetësore, për të vazhduar vitin tjetër (1955/56) në Shkollën Normale, po në Pejë, të cilën e mbarova më 1960 në Prishtinë.

Ndërkohë, më 1960 regjistrohet  në Fakultetin Filozofik, dega  Gjuhë e letërsi shqipe. Studimet, krahas punës, i mbaroj më 1965.

Më 1960 punësohet   gazetar në “Rilindje”, e cila qysh dy vjet më parë kishte nisur të dilte përditë. Në këtë gazetë, përkatësisht në “Bujku”, e cila zëvendësoi “Rilindjen” kur kjo u ndalua arbitrarisht nga pushtuesi serb, deri në shuarjen e saj pas luftës në Kosovë.

Në këtë gazetë ka raportuar për zhvillimet në kryeqytet – Prishtinë, pastaj për Organizatën e Rinisë dhe të studentëve të Kosovës, për ekonominë. Një kohë ka qenë reporter i lirë, d.m.th. ka shkruar reportazhe.   Pas vitit 1966 në disa faza ka ushtruar detyrën e redaktorit e të ndihmëskryeredaktorit të gazetës.

Ndërkohë ka bashkëpunuar edhe me periodikun tjetër shqip në Kosovë dhe në Maqedoni. Një kohë ka qenë pjesë e redaksisë së, atëherë, “Zanit të Rinisë”.

Më 1968 ka themeluar gazetën e parë të studentëve të Kosovës, “Bota e Re”. Po ashtu, në vitin 2000 kam qenë kryeredaktori i parë i gazetës së përditshme “Zëri”, që vazhdon të botohet në Prishtinë. Nga viti 2009 jam kryeredaktor i portalit  Koha.net, pjesë e grupit mediatik “Koha Ditore”.

Ka raportuar nga ngjarje të rëndësishme për historinë e Kosovës dhe të shqiptarëve në këtë pjesë të atdheut. Po ashtu ka intervistuar thuaja të gjitha personalitetet politike e shtetërore të Kosovës dhe po ashtu edhe Sali Berishën, atëherë president i Shqipërisë. Por, posaçërisht ndjehet krenar për raportimet nga ngjarjet që bëjnë historinë e Kosovës, si Greva e Urisë e Minatorëve të Trepçës (20-28 shkurt të vitit 1989) dhe mbledhja e Kuvendit të Kosovës, të mbajtur në Kaçanik më 7 shtator të vitit 1990, në të cilën  u miratua Kushtetuta e Kaçanikut, që e shpallte Kosovën Republikë. Në këtë mbledhje ka qenë i vetmi gazetar pjesëmarrës, pra edhe raportues. Për raportimet nga këto dy ngjarje ka qenë i arrestuar dhe akuzat “për rrezikim të integritetit territorial të RF të Jugosllavisë”,    “veprimtari armiqësore” dhe “rrezikim të rendit kushtetues e politik” këto akuza vazhdojnë të “ruhen” diku në Serbi, në bazë të të cilave do të duhej të dënohet.

Por gazetaria, përveç punës së mundimshme e plot rreziqe,  ka edhe anët e magjishme dhe të kënaqësisë. Nga këto kujton udhëtimet, qëndrimin dhe raportimet nga Kina, Koreja e Veriut, Singapori, Japonia, Suedia, Gjermania dhe vende të tjera.

Do të mund të sajoheshin vëllime të tëra veprash me shkrimet e bëra gjatë më shumë se gjysmë shekulli në gazetari, nga reportazhet, hulumtimet, fejtonet, intervistat, përshtypjet, të botuara “Rilindje”, “Zëri i rinisë”, “Fjala”, “Bota e re”, “Zëri”, “Koha ditore”, “Flaka e vëllazërimit” dhe gazeta të tjera.

Përveç punës së gazetarit, ndër vite Zenuni eshët  marrë edhe me përkthime. Veçoj këtu përkthimet e  romanit “Viti i Gucisë” dhe përmbledhjen e tregimeve “Dimri” të Zuvdija Hoxhiqit – Berisha. Po ashtu ka  redaktuar disa monografi kushtuar “Kosovës”.

Është  një nga themeluesit e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë (gjatë viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar sekretar i tij), si dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në dhjetor të vitit 1989.

Për punën në gazetari gjatë viteve ka marrë disa çmime, ndër të tjera – Gazetari më i mirë i “Rilindjes”, Gazetar i Vitit për Kosovën, etj.

Exit mobile version