Sot shënohet një ndër datat më të lavdishme të historisë sonë kombëtare – 115-vjetori i Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe ngritjes së Flamurit Shqiptar në Bratilë, një ngjarje që mbetet simbol i qëndresës, trimërisë dhe dashurisë për lirinë.
Më 6 prill 1911, në kulmin e përpjekjeve për çlirim nga sundimi osman, luftëtarët trima të Hotit dhe të krahinave të tjera të Malësisë së Madhe ndërmorën një aksion të guximshëm për pushtimin e majës strategjike të Bratilës, pranë majës së Deçiqit. Nën udhëheqjen e prijësit legjendar Dedë Gjon Luli, një ndër figurat më të shquara të rezistencës shqiptare, malësorët dëshmuan vendosmërinë e tyre për liri dhe dinjitet kombëtar.
Në këtë moment historik, me urdhër të Dedë Gjon Lulit, luftëtari Nikë Gjelosh Luli ngriti Flamurin Kombëtar kuqezi në Bratilë, duke rikthyer simbolin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në trojet shqiptare pas shumë shekujsh robërie. Ky akt heroik pati jehonë të madhe jo vetëm në Malësi, por në të gjitha trojet shqiptare, duke u bërë frymëzim për kryengritje të tjera dhe përpjekjet e pandërprera që çuan drejt shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912.
Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911 përfaqëson një nga kapitujt më të ndritur të historisë sonë kombëtare. Ajo dëshmoi se shqiptarët, edhe në kushtet më të vështira, nuk e harruan kurrë identitetin, flamurin dhe aspiratën për liri. Sakrifica e malësorëve të Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit, Shkrelit dhe trevave të tjera mbetet një testament i gjallë i guximit dhe besës shqiptare.
Në këtë përvjetor të rëndësishëm, kujtojmë me nderim të thellë të gjithë ata burra trima që u flijuan për lirinë e kombit dhe për ruajtjen e identitetit shqiptar. Kujtimi i tyre mbetet udhërrëfyes për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, që të ruajnë me krenari vlerat kombëtare dhe trashëgiminë historike.
Me rastin e kësaj date të shënuar historike, Portali “Plava e Gucia Sot” përkulet me respekt dhe mirënjohje para veprës së heronjve të Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe bashkohet me të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në nderimin e kësaj dite të lavdishme kombëtare. Lavdi përjetë heronjve të Bratilës dhe Deçiqit! 🇦🇱

