Ebba dhe shoqja e saj, Zemfira Mukhtarov, 12 vjeçe, u ngjitën mbi një tren të linjës Brooklyn-bound J, duke kaluar mbi urën e Williamsburg-ut, ku besohet se u goditën nga një tra i ulët hekuri. Të dyja u gjetën pa shenja jete mbi trenin që ndaloi në stacionin Marcy Avenue/Broadway.
Familja Morina, e tronditur nga humbja, ka kërkuar që në kujtim të vajzës të mbillen 18 pemë, si simbol i jetës dhe kujtesës së saj. Deri më 13 tetor, miq, të afërm dhe njerëz nga e gjithë bota kishin premtuar mbjelljen e pemëve në nder të saj, njoftoi Farenga Funeral Home në Bronx, ku u mbajtën shërbimet mortore më 7 tetor.Mesazhet e ngushëllimit kanë ardhur nga dhjetëra vende.
“Ebba, nuk të njihja, por lajmi për aksidentin tënd më tronditi thellë. Pushofsh në paqe,” shkroi Jennifer Crane në një postim publik. Ndërsa një tjetër, Nuala Leong, kujtoi: “Të takova një herë në një ditëlindje. Ishte e qartë që ishe një vajzë e jashtëzakonshme. Një shpirt i bukur që iku shumë herët”.
Viktima tjetër, Zemfira, ishte nga Brooklyn dhe e njohur në TikTok për videot e saj të rrezikshme, ku shpesh filmonte veten duke udhëtuar mbi trenat në lëvizje. Familja e saj hapi një GoFundMe, ku u mblodhën mbi 27 mijë dollarë për ceremoninë mortore.
Autoritetet e New York-ut kanë paralajmëruar prej vitesh për rrezikun ekstrem të “subway surfing”, një trend që është përhapur shpejt mes të rinjve në rrjete sociale. Vetëm këtë vit, pesë persona kanë humbur jetën në përpjekje të tilla – një numër që pothuajse barazon totalin e vitit të kaluar.
“Është zemërthyese që dy vajza kaq të reja humbën jetën, sepse menduan se ngjitja mbi një tren ishte lojë”, tha presidenti i transportit publik të New York-ut, Demetrius Crichlow. “Prindërit dhe mësuesit duhet t’u flasin fëmijëve me qartësi: kjo nuk është ‘surfing’, është vetëvrasje”.
Tragjedia e Ebba Morinës ka lënë pas dhimbje dhe reflektim në mesin e bashkëmoshatarëve dhe komunitetit shqiptar në SHBA – një kujtesë e dhimbshme për rreziqet që fshihen pas trendeve të rrezikshme në media sociale.

