Site icon PLAVA E GUCIA SOT

24 vjet nga zhdukja e Ukshin Hotit, ende pa u zbardhur fati i tij

Sot bëhen 24 vjet nga zhdukja e profesorit dhe veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti, i cili kishte mbajtur disa vite burg. I biri i tij, Andini, teksa rrëfen për radio Kosovën kujtime nga fëmijëria e tij , kritikoi Serbinë dhe faktorin ndërkombëtar, se nuk kanë bërë punën e duhur për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit.

Për sa i përket Deklaratës për të zhdukurit, të nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, kryetari i Komisionin Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti, thotë se pa presion ndërkombëtar mbi Serbinë, kjo nuk do të ndikoj në zbardhjen fatit të të zhdukurve.

Intervistë me  Andin Hoti:

Radio Kosova: Zotëri Hoti, që nga 16 maji i vitit 1999-të, babai i juaj, intelektuali i shquar shqiptar, Ukshin Hoti, është i zhdukur. A mund të ktheheni në kohë dhe të na flisni se kur dhe si e kuptuat lajmin për zhdukjen e babait?

Andin Hoti: Në fakt, prej kohës kur babai veç është marrë, është dërguar në burg dhe është gjykuar, prej vitit 1994, unë çdo muaj e kam vizituar babanë tim nëpër burg. Dhe kur them në burg, e kam fjalën për disa burgje dhe jo vetëm një. Burgu i fundit ka qenë Dubrava. Në atë kohë kam qenë në moshë fëmijërore. Ndërkaq kur babi është zhdukur, tashmë 24 vite më parë, më 16 maj 1999-të, ne kemi qenë si familje, unë me motrën dhe nënën në Zvicër si azilantë, për shkak të luftës. Rreth 2 muaj para 16 majit kemi shkuar. Lajmin e kemi marrë atje dhe natyrisht ka qenë i trishtueshëm për mua si një fëmijë 11 vjeç. Kujtimin e fundit që e kam me babanë është ai i dhjetorit të vitit 1998.

Radio Kosova: Si e mbani mend babanë tuaj dhe cilat janë kujtimet tuaja me të si fëmijë?

Andin Hoti: Nuk e di pse, por e them sinqerisht, shpesh fytyra e tij më del përpara, edhe pse kam qenë fëmijë, më pak se 11 vjeç kam qenë. Por, edhe sot e kam parasysh fytyrën e tij prej burgut dhe ato rrobat e burgut, ngjyrë hiri. Ajo çka mbaj mend më së shumti është dhurata e tij që më ka bërë për njërën ditëlindje timen. Është Kulla e Ajfelit, e punuar me fije të çibritit, nga vetë babi. Kjo kullë në atë kohë ka qenë më e madhe se unë. Unë isha i vogël, e Kulla e Parisit ka qenë rreth 1 metër. Pastaj takimet çdo mujore që ishin të vazhdueshme, të cilat i kemi pasur në burgje të ndryshme. Por, atë të fundit që e mbaj mend, ka qenë takimi në Burgun e Mitrovicës së Sremit në Serbi, ku fatkeqësisht në atë takim nuk na kanë lënë as të flasim. Nuk na lanë të flasim sepse gardianët kërkonin që ne të flisnim serbisht. Serbisht nuk donte babi. Unë normalisht nuk e kam ditur serbishten, e as halla ime nuk ka folur. Edhe, mbaj mend grilat e burgut. Grilat kanë qenë ato mes meje e babit të cilat na kanë ndarë. Nuk ka qenë kështu gjithmonë, por në atë takimin e fundit, në dhjetor të 1998-ës kjo ka qenë pamja e fundit që e mbaj mend si fëmijë. Përndryshe më herët, në burgjet e tjera ku ka qenë babi, kemi pasur takime ku jemi ulur në tavolinë dhe kemi biseduar për çështje të ndryshme. Natyrisht, për babin ashtu si për çdo prind, interesi primar i tij ka qenë shkollimi im dhe i motrës. Dhe diskutimet kryesore kanë qenë rreth asaj se si kam kaluar në shkollë e çka kam mësuar të re. Është interesuar shumë qe ne fëmijët e tij të ndjekim rrugën që ai ka pasur – rrugën e arsimimit, rrugën që të mos lëshohemi në rrugë të tjera që natyrisht ka rrezik të marrësh kur je pa njërin prind, edhe pse për ne mami ka qenë edhe babë edhe nënë. 

Radio Kosova: Pra, porosia kryesore dhe pothuajse e çdo hershme e profesor Hotit ka qenë interesimi juaj më i madh për shkollim?

Andin Hoti: Po, porosia e tij kryesore për mua, por jo vetëm për mua por edhe përmes porosive publike të thënieve të tij është që e vetmja rrugë për ne si popull ka qenë arsimimi, në mënyrë që çlirohemi dhe zhvillohemi më pastaj si komb.

Radio Kosova: Para zhdukjes, profesor Ukshin Hoti ishte edhe në burg. A mund të tregoni për dëgjuesit e Radio Kosovës, se pse ishte arrestuar babai juaj dhe për sa kohë kishte qëndruar në burg, deri në momentin e zhdukjes?

Andin Hoti: Babi është arrestuar tri herë. Hera e parë ka qenë në vitin 1981. Ka qenë i vetmi profesor në atë kohë që ka dalë hapur në përkrahje të studentëve, pra, fjala është për protestat studentore. Dhe është dënuar me 9 vite burgim, bashkë me disa intelektualë të tjerë. Prej atyre 9 viteve, pas disa kërkesave të “Amnesty International” për lirimin e tij, babi ka dalë nga burgu në vitin 1985.  Por, pas kësaj babi është izoluar pothuajse totalisht. Është larguar nga puna. Është maltretuar disa herë, edhe në shtëpinë e gjyshit që tash është shtëpi muze. Disa herë ka pasur tendenca të kërcënimeve e të tjera. Na kanë ardhur në shtëpi ushtarakë, policë e formate të tjera të presionit serb të atëhershëm. Herën e dytë kur është arrestuar, babai ka qenë në Prishtinë. Është një foto që edhe është publike. Babi ka qenë në një takim me veprimtarin e shquar – bacën Adem Demaçi. Pas këtij takimi, duke u kthyer për në vendlindje, në fshatin Krushë, policia serbe e kanë ndalur në Drenas, e kanë marrë në pyetje dhe e kanë rrahur shumë keq. Është një foto që është publike edhe në internet, ku babai shihet i gjakosur komplet, me brinjë të thyera e plagë të tjera. Në këtë ndalim ka qenë edhe me një mik tjetër të tij. Shumë shkurt pas kësaj ngjarjeje është arrestuar dhe është mbajtur edhe tre muaj në burg. Hera e fundit – hera e tretë e arrestimit deri në datën e zhdukjes ka qenë në vitin 1994 dhe prej atëherë pastaj ka qenë i dënuarme 5 vite burgim. Natyrisht për çështje kombëtare. Për ngritje zëri në fakt, për Kosovën republikë. Për prishje të atëhershme të sistemit jugosllav. Por, ndoshta edhe siç e ka thënë edhe vetë babi, edhe pse nuk kam qejf të lëshohem në akuza të tilla, ndoshta edhe për prishje të rehatisë së disa individëve këtu në Kosovë, në atë kohë. Dhe, prej atëherë është mbajtur në burg dhe është maltretuar pamëshirshëm. Unë e kam prind, por në këtë rast nuk po flas si prind, por si një njeri të cilin e kam edhe idol. Është thuajse e pamundur ose janë shumë të paktë njerëzit që i përballojnë maltretimeve të tilla si ato që i ka përjetuar babi. Siç ishin maltretimet e tmerrshme në burg. Izolim total. Rrahje deri në atë masë sa ia kanë thyer dorën dhe brinjët. Këto informacione natyrisht se i kam nga ish të burgosurit politikë që kanë qenë me babin, sepse unë nuk i kam ditur. Tendenca e pushtetit serb të atëhershëm ka qenë që kokat e një populli, do me thënë njerëzit më intelektualë të popullit shqiptar t’i minojnë e t’i zhdukin. Këto kanë qenë disa prej formave që ata i kanë përdorur, por çuditërisht babi u ka bërë ballë gjithë këtyre, por që më fund, në luftë është zhdukur nga policia e shtetit serb.

Radio Kosova: Gjatë kohës sa profesor Ukshin Hoti ishte në burg, si jetonte familja juaj dhe a kishit mbështetjen e duhur të njerëzve përreth?

Andin Hoti: Nganjëherë them se ne si popull të gjithë jemi prekur nga pak. Secili shqiptar në Kosovë është prekur nga pak prej maltretimeve dhe luftës në Kosovë, prandaj i kemi disa trauma që ndoshta na kanë mbetur prej asaj kohe. Nuk është e lehtë me u rritë si fëmijë dhe me i pa policinë duke ta bastisur shtëpinë e babit e të gjyshit, apo axhës tash dëshmorë, Ragip Hotit. Unë sot kujtoj tmerre,  kujtoj ndërhyrje, bastisje të policëve me pendrekë e gjana të tjera të ndryshme, vetëm e vetëm që  të mos na lënë rehat neve si familje. Unë fatmirësisht i kam edhe dajat  nga i njëjti fshat, pra nga Krusha e Madhe. Kur ka qenë babi në burg unë kam jetuar me nënën te dajat dhe natyrisht se e kam pasur një trajtim shumë të mirë. Për këtë i falënderoj gjithë fshatin, por edhe kushërinjtë dhe dajat, sepse, ndoshta për shkak të fatit që kam pasur, pasi babin e kisha në burg, më kanë trajtuar në përgjithësi si një fëmijë të veçantë dhe më kanë mbajtur mirë. Por, megjithëkëtë, është e pa mundur t’u ikësh traumave që i kam përjetuar në vazhdimësi nga policët serbë të atëhershëm.

Radio Kosova: Andin, çfarë mbani mend nga ditët e luftë, gjatë kohës kur babi i juaj ishte në burg, dhe a keni menduar ndonjëherë se ai mund të mos kthehej kurrë më?

Andin Hoti: Në fakt, unë në atë kohë nuk e kam ditur as pse babai ishte në burg, sepse kam qenë fëmijë. Nuk e kam ditë as se kur do të lirohet e si do të lirohet. Por e di që, po e them këtë nga kujtimet e nënës, e di që në një moment gjatë kohës së luftës, kjo ka qenë diku në muajin shkurt të 1999-ës, kur unë kam dashtë me ikë nga shtëpia, nëpërmjet dritares, që të shkoj në luftë dhe ta shpëtoj babën. Normal, si çdo fëmijë që besoj se do kishte pasur këto mendime. Kështu që, nuk e kemi pasur as idenë më të vogël, jo vetëm unë por as familja, se babi do të kishte fatin që pati. Ne e kemi ditur që maltretohet dhe se nuk do ta lirojnë aq lehtë, por, në shekullin që kemi qenë dhe në një Evropë të tillë që jemi sot, e cila thirret në drejtësi, me u zhduk dikush nga institucioni më i lartë i sigurisë, të një shteti të atëhershëm, normalisht se ka qenë e vështirë dhe e pa mundur për t’u kuptuar. Pastaj, kemi hyrë në luftë dhe, edhe pse kemi qenë në luftë, ka qenë pak e besueshme që njerëzit që janë brenda burgjeve, njerëzit që janë brenda institucioneve të sigurisë shtetërore të zhduken dhe për këtë të mos merret në përgjegjësi askush. Ende, edhe sot nuk ka marrë përgjegjësi askush për këtë, apo edhe që janë vrarë njerëzit brenda dhe nga një institucion shtetëror i sigurisë. Pastaj, siç edhe e thashë më herët, ne kemi shkuar në Zvicër. Na kanë njoftuar për rastin e babit. Natyrisht, prej atëherë e kam dhe vazhdoj ta kem atë ndjenjën që besoj e ka çdo familjar i personave të zhdukur. Bie me fjet me shpresën se kur të zgjohesh në mëngjes e ke një lajm për familjarin e zhdukur. Të njëjtën ndjesi e kemi pasur dhe e kemi edhe unë, halla por edhe e gjithë familja, se ndoshta nesër do të kemi një lajm për babin që natyrisht është i rëndë.

Radio Kosova: Zotëri Hoti, sot bëhen 24 vjet prej kur fati i profesor Ukshin Hotit, babait tuaj, vazhdon të jetë enigmë, ju si familjarë, a mendoni se nuk është bërë sa duhet për zbardhjen e fatit të tij?

Andin Hoti: E thashë edhe më herët, Ukshin Hoti por edhe disa të tjerë, në luftën e fundit në Kosovë janë marrë prej institucioneve shtetërore të Serbisë. Ukshin Hoti është marrë prej institucionit më të lartë të sigurisë së një shteti – prej burgu. Të tjerët janë marrë prej Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë, por ka raste që janë marrë edhe nga spitalet. Sot jemi në gërmime duke kërkuar njerëz që janë marrë prej spitali dhe vazhdojnë të jenë të zhdukur. Për këto raste, është komplet e pakuptueshme, e para për faktorin ndërkombëtar, sepse ne nuk presim prej Serbisë, se pse nuk kanë kushtëzuar dhe nuk kanë bërë një presion më të madh deri sot, dhe që nuk po e bëjnë as sot, që të zgjidhet rasti i këtyre personave, duke përfshirë edhe babin tim. Sepse, Serbia nuk mundet as më të voglin arsyetim me pas se çka kanë mund të bëjnë dhe çka kanë bërë me rastin e Ukshin Hotit, kur dihet se çdo gjë ka qenë në dorë të tyre – ka qenë në dorë të Serbisë, në dorë të shtetit. Dhe, natyrisht, fatkeqësisht deri më sot, ne si familje e veçmas halla, e cila në vazhdimësi ka qenë e përfshirë në procesin e zbardhjes së fatit të babait, që nga lufta e deri tash, me qindra herë kemi pasur informacione në lidhje me fatin e babit, të cilat gjithmonë kanë dalë jo të sakta. Na kanë dërguar disa herë në vende të ndryshe në Kosovë, Serbi, në Maqedoni, në Mal të Zi e besa edhe në Itali, me shpresën se aty do të ketë informacione për babin. Të gjitha kanë rezultuar jo të sakta. Unë nuk mund t’i fajësoj institucionet e Kosovës dhe për këtë nuk e kam bërë asnjëherë, sepse jam shumë i vetëdijshëm se një institucion ka qenë në kohën e luftës dhe ai ka qenë shteti serb. Pra, Serbia si shtet ka qenë ajo që i ka bërë këto vrasje dhe zhdukje me strukturat e organizuara që i ka pasur të policisë dhe ushtrisë. Unë e di se informacionet për këtë i ka Serbia. Unë jam i dëshpëruar thellësisht me faktorin ndërkombëtar, jo vetëm tash po gjithmonë, sepse është e pabesueshme që të mos i interesojë fare, ose fare pak çështja e të zhdukurve dhe duke mos kushtëzuar Serbinë deri më sot për këto krime që ka bërë ndaj një populli të pafajshëm që vetëm e ka mbrojtur vetën dhe asgjë tjetër nuk ka bërë.

Radio Kosova: Ju tashmë jeni duke drejtuar Komisionin Qeveritar për Persona të Pagjetur. A keni arritur që gjatë kësaj periudhe sa jeni në krye të këtij komisioni, të mblidhni ndonjë informacion shtesë për zbardhjen e fatit të intelektualit me përmasa kombëtare, Ukshin Hoti?

Andin Hoti: Në momentin që kam ardhur në komision, gjëja e parë që kam bërë është se jam munduarqë familjarët dhe drejtuesit e shoqatave të personave të zhdukur t’i bëjë të  kuptojnë se për mua të gjithë personat e zhdukur janë si familjarë të mijë. Do me thënë, nuk e bëjë ndonjë dallim, si kryetar i komisionit po flas e jo si familjar. Dhe, natyrisht në vazhdimësi edhe kërkesat që i kemi bërë për babin ndaj Serbisë, i kemi bërë edhe për familjarët e tjerë. Por, në një rast, për babin ne kemi pasur një informacion të publikuar në televizionin publik, në RTK, dy-tre vite më parëm, nga disa dokumente sekrete që janë nxjerrë prej Beogradit. Normalisht, mua më ka interesuar të hulumtoj për ta çuar përpara këtë rast. Kështu vijmë në fund të vitit të kaluar, kur unë kam pasur disa tronditje të forta emocionesh, sepse, në disa momente kemi menduar se jemi shumë afër zgjidhjes së fatit të babit, që në fund kanë rezultuar negative, në dhjetor të vitit 2022. Por, jemi në 3-4 pista që hulumtojmë në vazhdimësi, jo unë po zyrtarët tanë dhe institucionet relevante që merren me këtë çështje dhe vazhdimisht hulumtojnë. Por, a ka diçka  konkrete, jo. Dhe unë nuk mendoj se mund të ketë diçka konkrete pa i dhënë Serbia informacionet që ka. A e dini çka është më e çuditshmja këtu, në bazë të informatave që i kam nga zyrtarët tanë, por jo direkte, sepse mua nuk kanë mund të m’i thonë, në bazë të takimeve që i kanë pasur zyrtarët tanë me delegacionin e Serbisë. Ka raste kur Serbia ka shkuar në ekstreme të tilla sa që thotë (në bazë të informatave po them gjithnjë) dhe e kushtëzon se nëse na e gjeni ju një serb të caktuar ne e japim Ukshin Hotin. Çka do të thotë kjo? Kjo do të thotë se ata e pranojnë edhe publikisht se kanë informacione për Ukshin Hotin. E pranojnë publikisht se ata po e mbajnë peng fatin e Ukshin Hotit dhe publikisht thonë se nuk po japim informacione për Ukshin Hotin. Ne nuk kemi asnjë informacion për fatin e personit që ata e kërkojnë. Kemi kërkuar disa herë, po mendoj komisioni dhe institucionet të tjera kanë hulumtuar disa herë dhe kanë arritur të gjejnë gjë. Në të kundërtën, po të kishim ndonjë informacion, për cilindo të zhdukur do ta jepnim menjëherë pa asnjë hezitim, sepse e para është çështje humanitare para së gjithash. E dyta, do e lehtësonte familjen e atij personi, por edhe punën e komisionit, sepse, sa më shumë që ne mund të zbardhim fatin e personave të zhdukur neve na lehtësohet puna. Kështu që nuk ka asnjë logjikë që ne të mos i japim informacionet që kemi. Ne i kemi dhënë të gjitha. Ndërkaq, në anën tjetër, Serbia, në prani edhe të ndërkombëtarëve, sepse në takimet që ne i mbajnë janë të kyçur edhe ndërkombëtarët si vëzhgues, pala serbe pranon se di gjithçka mbi fatin e Ukshin Hotit, por se nuk pranojnë të japin informacione. Ky është krim i shumëfishtë. Është shumë e rëndë për mua si familjar që i di këto gjëra, por fatkeqësisht nuk kam mundësi të ndryshoj diçka.

Radio Kosova: Përmendën tre katër pista të dyshimta, a mund të na thoni cilat janë këto, nëse mund t’i bëni publike?

Andin Hoti: Njërën që e përmenda është ajo e RTK-së. Ne ende vazhdojmë të punojmë në atë drejtim dhe i kemi kërkuar, në fakt ia kemi ofruar Serbisë sigurinë e nevojshme, çfarëdo qoftë ajo siguri që të na ofrojë dëshmitarin këtu, të na sjellë në Kosovë dhe ai të na dërgonte te dyshimi që ai ka, sepse kjo nuk do të thotë se ne besojmë në të, por së paku çdo pistë do të shqyrtohej. E dyta ka qenë Burgu i Dubravës që nuk mund t’i them se cilat janë, por jemi në një pistë, kështu që po hulumtojmë me disa informata që i kemi marrë në lidhje me mundësinë e fatit të babait, që ai të ketë qenë afër burgut të Dubravës. Janë edhe dy pista të tjera që ende janë në fazën e hulumtimit.

Radio Kosova: Së fundmi në Bruksel, është nënshkruar edhe një Deklaratë për çështjen e personave të zhdukur, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Sa pritni që zbatimi i kësaj deklarate nga ana e Serbisë të hedhë dritë mbi fatin e mbi 1600 personave të zhdukur nga Serbia në përgjithësi, dhe fatit të Ukshin Hotit në veçanti?

Andin Hoti: Po, kjo deklaratë në fakt është negociuar tashmë e dy vite ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe deklarata është nënshkruar pastaj si pasojë e aneksit të marrëveshjes së Ohrit dhe, as atëherë kur është bërë e as tash nuk mund të them që jam optimist që Serbia mund ta implementojë deklaratën. Ajo që më ka bërë të shpresoj në kohën sa kam qenë në Ohër, sepse edhe unë kam qenë në Ohër, kanë qenë disa paragrafë të tjerë, përveç paragrafit për persona të zhdukur, ku thuhej se të dyja palët, në ketë rast Kosova dhe Serbia, do të marrin sanksione të drejtpërdrejta në rast të mos zbatimit, mos implementimit të paragrafëve të  tjerë, që i bie edhe Deklaratës për persona të zhdukur. Unë mbaj shpresë te faktori ndërkombëtar, te SHBA-ja, mbaj shpresë te Bashkimi Evropian që edhe ata e kanë kuptuar se kjo çështje është vetëm humanitare dhe se kanë kuptuar që kjo çështje nuk pret më, sepse 24 vite janë shumë dhe ne po kemi edhe sot problem të marrim informacione, edhe për shkak se disa prej dëshmitarëve nuk jetojnë më, e disa prej tyre frikësohen edhe publikisht prej Serbisë. Por, unë shpresoj dhe besoj në partnerët tanë ndërkombëtarë që do ta kushtëzojnë Serbinë, do ta shtyjnë Serbinë që me zor ta implementojë deklaratën. Përndryshe, nuk është që kam shumë optimizëm që Serbia ka vullnet të mirë dhe do të implementojë deklaratën, sepse po bëhen 24 vite dhe nëse do donte të implementojë diçka, ajo veç i kish dhënë këto informacione. Deklarata për të zhdukurit është një deklaratë e vullnetit politik që do të punojnë të dyja palët për implementimin e saj, por, pa pasur një vullnet të partnerëve ndërkombëtarë për kushtëzimin e Serbisë, kjo deklaratë nuk besoj se do të zbatohet në praktikë. Ne, pas aprovimit të kësaj deklarate jemi kontaktuar nga Brukseli dhe shumë shpejt presim të takohemi për detajizimin e deklaratës se si do të ecim përpara për marrjen e informacioneve që ne i kemi kërkuar. Natyrisht, Brukseli tash është ai që ndërmjetëson në këtë drejtim. E mira e kësaj deklarate është se tashmë e kemi BE-në të kyçur në procesin e personave të zhdukur. Është një komision i përbashkët që do të themelohet, në bazë të deklaratës, të cilin Bashkimi Evropian do ta udhëheqë. Me kyçjen e BE-së, direkt në këtë proces, shpresoj se edhe shtetet e BE-së do të kuptojnë për së afërmi problemin si dhe hezitimin e pakuptueshëm të Serbisë për të dhënë informacione. Ndoshta, Serbia, për shkak të interesave të saj politike do të pranojë më në fund që të japë informacione për të zhdukurit. E kujtoj Batajnicën, Petrovosellën dhe Peruçac, kanë qenë tri varrezat masive në Serbi, që janë zbardh në vitin 2000-2001. Këto, asnjëra nuk do të ishin zbardh deri sot, kurrë, nëse nuk kish qenë kushtëzimi i partnerëve ndërkombëtarë, ShBA-së dhe BE-së ndaj Serbisë në atë kohë për t’i dhënë informacionet për këto varreza masive. Domethënë, atëherë ka qenë një presion dhe kushtëzim i madh i bashkësisë ndërkombëtare që Serbia t’i japë këto informacione. Ne po presim kushtëzimin e njëjtë të atëhershëm dhe po presim që Serbia përsëri, e kushtëzuar të jetë e detyruar të japë informacione mbi personat e zhdukur, sepse vetë e kanë pranuar deklaratën. Presidenti serb, Vuçiq, vullnetshëm e ka pranuar deklaratën për personat e zhdukur me forcë. Vullnetshëm e ka pranuar se do të trajtojë dhe do t’i japë informacionet e nevojshme, madje siç është e shkruar në deklaratë, edhe dokumentet e klasifikuara. Tash, në dorën tonë është që të kërkojmë sa më shumë informacione të specifikuara nga Serbia, e në dorën e bashkësisë ndërkombëtare është m’i marrë ato informacione nga Serbia.

Radio Kosova: E theksuat paraprakisht se në bazë të deklaratës së nënshkruar në Bruksel, parashihet formimi i një komisioni, ku pjesë e tij do të jetë pala kosovare, ajo serbe dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar. A kanë filluar punimet dhe a ka diçka konkrete në lidhje me formimin e këtij komisioni? 

Andin Hoti: Neve na ka ardhur një dokument propozim nga Brukseli, sepse kjo tashmë bëhet nga Brukseli dhe jo nga ne. Në një afat prej 60 ditësh, nëse nuk gaboj, ne do të takohemi në Bruksel dhe do të finalizojmë detajizimet. Sepse, deklarata e pason pastaj njëfarë aneksi që quhet dhe shpresojmë që brenda 60 ditësh, ky komisioni i përbashkët i kryesuar nga BE-së të fillojë punën dhe pastaj natyrisht do të takohemi. Është edhe një çështje që unë shpresoj se Serbia do të reflektojë dhe ne po e them publikisht se kemi marrë garanci nga bashkësia ndërkombëtare se Serbia do të reflektojë. Andaj edhe shpresojmë se Serbia duhet të ndryshojë qasjen në delegacionin e saj për personat e zhdukur dhe duhet të largojë udhëheqësin e këtij delegacioni i cili ka një të kaluar kriminale. Nëse ndodh kjo, ne shumë shpejt do të vazhdojmë punën.

Pajtim Çuni / Radio Kosova

Exit mobile version