Site icon PLAVA E GUCIA SOT

A2-CNN intervistë me akademik Rexhep Qosja:“Vendin ku kalon fëmijërinë e mban me vete deri në vdekje”. Në Vuthaj, me eruditin Rexhep Qosja (video)

Zogjtë nuk po vijnë më aq shumë sa dikur, mirë se vini ju! Kjo ishte fjala e pritjes! Akademiku dukej se ishte menduar gjatë për këto fjalë të para, si të kishte rikthyer në shtëpinë e fëmijërisë kujtime që rrugëtonin nga një stinë e ngrohtë, nga stina e vegjëlisë në këtë kopsht. Hija e pemëve vijonte thuajse të kishte të njëjtën lëvizje, e fortë, njëlloj si era e malit. Shtëpia vijonte të qëndronte hijerëndë për të sepse njeriu Rexhep Qosja nuk e kishte braktisur asnjëherë.

Rikthehej në stinën e nxehtë të qyteteve tona, aty në vendlindjen e tij, në Vuthaj. Çdo verë, me shtatin ndryshe, vërente se si zogjtë ishin pakësuar, por miqtë me të cilët ka shpenzuar fëmijërinë dhe bisedat me ata që ftonte në shtëpinë e tij, thuajse ia zbehnin mendimin se dallëndyshet apo zogjtë nuk i kishin më çerdhet aty.

E rëndësishme ishte që shtëpia e tij e priste gjithnjë stoike dhe dhoma e tij e shkrimit falte aq shumë qetësi. Na priti në ambientet e shtëpisë, ku vetë akademiku Rexhep Qosja, dikur fëmijë, këndonte vargjet e “Lahutës së Malësisë”.

“Vuthaj është vendlindja ime dhe kam kaluar rreth 14 vjet. Thuhet se vendin ku e kalon fëmijërinë, e mban me vete deri në vdekje, nuk harrohet kurrë. Studiuesit e artit, të shkencave thonë se shumë ide, mendime, përshtypje, në masë të madhe frymëzohen prej atyre të fëmijërisë”, tregon Qosja. – – –

Exit mobile version