Kreu i Lëvizjes Qytetare URA dhe zëvendëskryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se për qeverinë e pakicës janë ende në pritje të qëndrimit të Partisë Popullore Socialiste (SNP).
Siç njoftoi ai, URA do të respektojë qëndrimin e SNP-së, sido që të jetë ai për çështjen e qeverisë minoritare.
“Sa na përket neve, çdo gjë duhet bërë shumë më shpejt, më konkretisht dhe me efikasitet”, tha politikani shqiptar, raporton rtcg.
I pyetur se kush do të formojë qeverinë e pakicës dhe nëse do të jetë SNP, Socialdemokratët dhe Partia Socialdemokrate, Abazoviq tha se janë ende në pritje të qëndrimit të SNP-së.
“Ata kanë organizimin dhe organet e tyre. Cilido qoftë pozicioni, ne do ta respektojmë atë. Unë do të doja që ata të ishin pjesë e qeverisë evropiane dhe pjesë e vagonit që duhet të çojë në pajtimin në Mal të Zi në planin afatgjatë”, tha zëvendëskryeministri në detyrë i Malit të Zi.
Ndërkohë, deputetët e DPS-së, SDP-së dhe koalicionit shqiptar “Njëzëri”, Partia Boshnjake, SD dhe GP URA, 43 prej tyre, i kanë dorëzuar nënkryetarit të Kuvendit, Strahinja Bulajiq propozimin për mbajtjen e seancës parlamentare më 3 mars.
Kujtojmë se kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiq është shkarkuar javë më parë me votat e disa partive të pozitës dhe opozitës.
Ndryshe, disa parti të minoriteteve si dhe partitë shqiptare kanë pohuar se janë pro që drejtimin e qeverisë ta merr Abazoviqin, i cili ka thënë më parë se nuk do t’i ikte një përgjegjësie të tillë nëse i jepet prej Kuvendit të Malit të Zi.