Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Administratorja e Kelmendit falënderon për pjesëmarrjen në manifestimin “Kelmendi n’Festë

Njësia Administrative Kelmend, me në krye administratoren znj. Florida Peraj, organizoi një mbrëmje madhështore festive me moton “Kelmendi n’Festë”, duke sjellë në Tamarë – zemrën e Kelmendit – atmosferë gëzimi, bashkimi dhe krenarie për traditën.

Ky aktivitet, i organizuar në kuadër të festave të fundvitit, mblodhi në mesin e dhjetorit mysafirë nga Plava, Gucia, Tuzi dhe nga e gjithë Malësia, duke e kthyer Tamarën në një pikëtakim të gëzimit dhe vëllazërisë mbarëkombëtare.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, administratorja Florida Peraj falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe kontribuuesit në këtë manifestim, duke theksuar emocionin e veçantë që sjellin të rinjtë e të rejat kur festojnë së bashku, me energji, dashuri dhe respekt për traditën.

Në fjalën e saj, znj. Peraj shprehu mirënjohje të veçantë për deputetin e Malësisë, z. Bujar Rexha, i cili nderoi aktivitetin me praninë e tij, si dhe për këngëtarët që ndezën atmosferën me muzikë dhe energji pozitive. Po ashtu, ajo falënderoi Canaj SHPK dhe restorantet e Tamarës për bashkëpunimin dhe kontributin në dekorin festiv, si dhe Policinë Bashkiake dhe Policinë e Shtetit për angazhimin dhe kujdesin gjatë mbarëvajtjes së aktivitetit.

“Kelmend, festa e gëzime paç gjithmonë!”, përfundon mesazhi i administratores, duke përcjellë urimet më të mira për komunitetin dhe duke konfirmuar se Tamara mbetet një vatër e gjallë e traditës, bashkimit dhe gëzimit. 

/Plava e Gucia Sot

Exit mobile version