Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Aktakuza pa asnjë fakt apo dëshmi ndaj shqiptarëve të Shestanit në vitin 1945: U DËNUAN ME QËLLIM TË SHTYPJES SË NDJENJËS SHQIPTARE

Nga Hajrullah Hajdari

Arrestimet e shqiptarëve në zonën e Krajës dhe Shestanit kishin filluar që në maj të vitit 1945. Sipas shkresës së Komandës së Vendit në Ostros, drejtuar Zonës së VI komanduese, më 8 qershor 1945 në Shestan dhe Krajë ishin burgosur 6 veta:Nikollë Pekiq dhe Mujo Mustafiq nga Brisku Naltë, Gjon Vuçetiq,  Stevo Vuçetiq dhe Zef Marstjepoviq nga Shestani dhe Nezir Canoviq nga Martiqi-Krajë me arsyetim se nuk kishin bashkëpunuar me pushtetin. Autoritetet ushtarako-politike dhe shtetërore u kishin bërë thirje popullsisë për mobilizim ndërsa për gjatë kufirit me Shqipërinë ishte vendosur ushtria jugosllave. Kjo nuk u pritë mirë nga popullsia e fshatrave kufitare dhe u përjetua si “dobësi dhe terror ndaj popullsisë shqiptare”.   

Pasi u arrestuan, Leka Perkoliqi, Gjon Maleviqi, Kolë Nrekoviqi dhe Vuk Maleviqi u mbajtën në qeli dhe u torturuan plotë katër muaj, pa lajmëruar Prokurorinë duke u munduar t’i bëjnë të pranonin se kanë punuar për shkëputjen e Shestanit nga Jugosllavija dhe bashkimin e tij  me Shqipërinë. Përkundër vuajtjes të torturave ato nuk pranuan akuzat e montuara.

Megjithatë, Prokurori Publik i Qarkut të Cetinës, më datëm 9 prill 1946 (E nr.21/46), pra pas dhjetë muajve, pranë Gjykatës Popullore të Qarkut në Cetinë ngriti aktakuzën kundër të akuzuarëve: Lekë Perkoliqit, 56 vjeç dhe Gjonë Maleviqit, 38 vjeç, për arsye se në fillim të vitit 1942, duke pasur bashkëpunim politik me pushtuesit italian dhe pushtetin fashist të Shqipërisë me qëllim të shkëputjes së territorit të Shestanit nga Jugosllavia kanë formuar “Komitetin e Zones Neutral të Shestanit”, kanë bërë propogandë në popull për bashkangjitjen e Shestanit Shqipërisë fashiste të atëhershme  dhe për arritjen e këtij qëllimi nga pushteti fashist i Shqipërisë kanë marrë 200 pushkë dhe më ato armë kanë armatosur popullsinë vendase duke kryer veprën e rrezikimit të paprekshmërisë së territorit të Jugosllavisë të paraparë në neni 3 pika 2 në lidhje me nenin 3 pika 1 të Ligjit mbi veprat penale kundër popullit dhe shtetit të dënueshme sipas nenit 4 të njëjtit ligj; kunër Vuk Maleviqit, 50 vjeç, Kolë Nrekoviqit, 47 vjeç, Gjon Vuçetiqit, 22 vjeç, Pavle Margjonoviqit, 32 vjeç, Petar Gjokgjuriqit, 33 vjeç, sepse në janar të vitit 1943, kanë  kryer vepren e vrasjes së partizanëve Millovan Orllandiq dhe Danica Lekiq, të paraparë dhe të denueshme sipas të njejtit ligj. Për vrasjen e dy partizaneve u akuzuan edhe   Lekë Perkoliqi dhe Gjon Maleviqi. Gjykata Popullore e Qarkut në Cetinë pasi formoi lëndën nr. K.16/46, më datën 11 maj 1946 filloi seancën kryesore  gjegjësisht shqyrtimin publik të aktakuzës kundër Lekë Perkoliqit dhe të akuzuarëve të tjerë, për kryerjen e veprës nga neni 3 pika 3 e Ligjit kundra popullit dhe shtetit.Gjykatës të çështjes ishin Golub Gjukanoviq, kryetar dhe  Aleksa Markush dhe Anto Gjuroviq, porotë. Në séancë merrnin pjesë edhe Prokurori publik Ratomir Popoviq dhe në rolin e mbrojtësit avokati Gjuroviq Vukan.

Të akuzuarit nuk pranuan asnjë pike të aktakzës ndaj tyre. Ata theksuan se “Komiteti Neutral i Zones së Shestanit” nuk është formacion i armatosur ushtarak kundër Luftës Nacional-çlirimtare dhe nuk ka zhvilluar luftë ndaj tyre, përkundrazi në bazë të dëshmive të provuara në séancë ky Komitet i ka ndihmuar  jo vetëm partizanët por edhe popullin e kësaj ane. Sipas fakteve të vërtetuara në seancën kryesore partizanët deri në fund të vitit 1943 dhe pjesërisht edhe në vitin 1944 kanë levizur lirshëm në malet e Shestanit. Aktivisti i LNÇ-së Vasilije Llukiqi deklaroi në seancën kryesore se Lekë Perkoliqi, kryetar i Komitetit në fjalë, në një takim me komandën partizane në Mikuliq, në vitin 1943, ka pranuar që në Shestan munden me ardhë grupe të vogla partizanësh. Profesor Danillo Lekiqi nga Tivari po ashtu vërteton se ai së bashku me Dushan Gjuroviqin, mënjëherë pas çlirimit të Crmnicës kanë shkuar të Lekë Perkoliqi me ç’rast Leka ka pranuar të bashkëpunojë me LNÇ-në. Ai po ashtu deklaroi se kur ai dhe familja e tij ishin rrezikuar nga çetnikët, Lekë Perkoliqi ia kishte dhënë fletëkalimin për vehte dhe gruan e tij për të shkuar në Shkodër. Ndërkaq, Bozho Polloviqi po ashtu në seancën kryesore deklaroi se “ më është e njohur se Perkoliqi nëpërmes zonës neutrale ka penguar përhapjen e levizjes çetnike në këto anë dhe nga ata është akuzuar se po lejon kalimin e partizanëve nëpër zonën neutrale”, ndërsa dëshmitari Popoviq Stanko deklaroi se “ nuk më është e njohur se Lekë Perkoliqi dhe Gjon Maleviqi kanë folur ndonjëherë kundër partizanëve”. Nëse këtyre fakteve të provuara në seancën kryesore u shtohen edhe deklaratat e të akuzuarëve të cilët si në procesin e hetimit ashtu edhe në seancën kryesore  nuk pranuan se Komiteti  ka kryer veprime kundër LNÇ-së apo individëve të caktuar duke dhënë shembuj konkret, atëherë shtrohet pyetja: Çfarë vepre penale kishin kryer kryetari  Komitetit  në fjalë Lekë Perkoliqi dhe anëtari ingarkuar për organizimin e ushqimit Gjon Maleviqi?! Nëse aktgjykimi bazohet në deklaratën e Vasilije Llukiqit i cili të akuzuarit i akuzon se “kanë bashkëpunuar me pushtetin fashist shqiptar” pa dhënë asnjë fakt apo dëshmi atëherë lirisht mund të thuhet se faji i vetëm i tyre ishte se ishin vetëorganizuar për mbrojtjen e njerëzve dhe pasurisë së tyre nga çetnikët plaçkitës, ndërsa faji tjetër ishte pse ishin shqiptarë, të cilët në rrethanat e rënduara politike të kohës kërkuan që t’i bashkëngjiteshin shtetit amë!

Sa i përket akuzës nën pikën II e që ka të bëjë me vrasjen e Millovan Orllandiqit dhe Danica Lekiqit të cilësuar nga prokuroria si partizanë, po ashtu gjatë procedurës provuese nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë sjellë vendim për të likuiduar partizanët, përkundrazi është vërtetuar se të akuzuarit nuk kanë pasur njohuri se në shpellën në vendin e quajtur “Krsh Novi” në malin Golik, gjenden partizanët por se janë parë dy njerëz të dyshimtë që sillen rreth kësaj shpelle dhe kështu pothuaj i gjithë fshati u vërsul atje duke mënduar se janë komita ose hajnat e bagëtive për hupjen e të cilëve  Kolë Nrekoviqi dhe Gjon Stankoviqi, pasi disa ditë me radhë kishin kërkuar bagëtitë e humbura, e kishin lajmëruar komandën italiane. Lajmërimin e parë për dy njerëz të dyshimtë që gjenden në shpellë e kishte bërë Kolë Martinoviqi, dëshmia e të cilit më vonë do të merret si bazë. Shestani ishte shpallur zonë neutrale dhe partizanëve kalimi nëpër këtë zone u ishte lejuar vetëm me paralajmërim, gjë që në këtë rast nuk kishte ndodhur. Askush nuk mendonte se në shpellë mund të ketë partizanë, pasi Shestani ishte zone neutrale. Gjonë Vuçetiqi, Pjetër Gjokgjuriqi dhe Gjon Maleviqi kishin deklaruar se kur janë njoftuar se do të shkohet në Golik, për të rrethuar shpellën kanë menduar se në shpellë gjenden komita ose hajnat.Kur është rrethuar shpella, Lekë Perkoliqi ishte me Kolë Martinoviqin, në bazë të deklaratës së të cilit do të bazohet aktgjykimi, ka thirrë me zë:”dorëzohuni se nuk do t’ju gjejë asgjë” , pra Leka ka dashur t’ju shpëtoj jetën. Orllandiqi ka shtënë disa herë me pushkë në drejtim të grykës së shpellës e pastaj ka filluar gjuajtja drejt shpellës nga njerëzit që e kishin rrethuar shpellën. Pavle Margjonoviqi kishte deklaruar se nuk di se kush ka gjuajtur bombë në shpellë por atij kjo gjë i ishte kërkuar nga Don Jakov Vreska. Deklaroi se nuk mendon se bombat kanë rënë brënda në shpellë. Pas breshërive të lëshuara drejtë shpellës u ndëgjuan 3-4 të shtëna brënda në shpellë. Pas ndërprerjes së zjarrit, grykës së shpellës iu ofrua Pavle Stankoviqi i cili pasi vrejti trupat e vdekur të dy partizanëve ?? së bashku me Meto Hoxhiqin nga Muriqi, u lëshuan në shpellë dhe vrejtën dy trupat e vdekur të një mashkulli dhe një femre. Pranë trupave të tyre gjeten një revolver të markes « shtaner » dhe disa copa mishi të njomë dhe pak patate.Trupat ishin të padamtuar përveç se në ballë kishin nga dy vrima që të lenë të kuptosh se kishin bërë vetëvrasje. Trupat u nxorën jashtë shpellës, e u lanë aty sepse nuk erdhi askush t’i marrë. Kjo tregon se shestansit nuk kanë gjuajtur bobma në shpellë sepse sikur të kishin gjuajtur trupat e tyre do të ishin të sakatuar e gjymtuar. Vetëm nga fataliteti dhe konfuzioni aksidental i Orlandiqit, duke menduar se është i rrethuar nga çetniket e Crmnicës, çuan në vendimin e tij për të vrarë veten dhe Danica Lekiqin! Nga ana tjetër nga nxjerrja e provave është vërtetuar se shestansit kishin menduar se në shpellë gjenden hajnat të cilët vidhnin pothuaj çdo ditë bagëtinë e tyre. Në bazë të dëshmive të provuara asnjëri nga  të akuzuarit nuk ishin urdhërdhënës e aq më pak ekzekutor të personave të cilësuar si partizanë, përkundrazi dëshmia e Martinoviqit, në bazë të cilit bazohet aktgjykimi, se Lekë Perkoliqi për të shpëtuar Shestanin nga rreziku i çetnikëve dhe ballistave ka thënë se partizanëve u garantohet jeta, duhet të ishte provë lehtësuese.

Përkundër këtyre fakteve e provave Gjykata Popullore e Qarkut në Cetinë, më 26 maj 1946 shpalli aktgjykimin sipas të cilit Lekë Perkoliqi, Gjon dhe Vuk Maleviqi u dënuam me vdekje-pushkatim, Kolë Nrekoviqi me 20 vjet, Pavle Margjonoviqi me një vit , Pjetër Gjokgjuriqi me 18 muaj burg, ndërsa Gjon Vuçetiqi u lirua nga aktakuza.

Vendimi për dënimin e kryetarit dhe anëtarëve të tjerë të « Komitetit të Zonës Neutrale të Shestanit » populli i kësaj ane e priti me indinjatë të thellë. Nëse Millovani e Danica vërtetë ishin partizanë, çka donin aty kur partizanë të tjerë s’kishte, lajmëruar nuk ishin dhe asnjë veprim nuk kishin kryer! Pra, edhe pas nxjerrjes së provave nuk u vërtetua se ata ishin vërtetë partizanë ? Për këtë arsye menjëherë filloi mbledhja e nënshkrimeve për pafajsinë dhe të mirat që Lekë Perkoliqit dhe të akuzuarve të tjerë i kishin bërë popullsisë së Shestanit. Banorët e Shestanit, Ljarjes e Muriqit mblodhën 280 nënshkrime (në dosje figurojnë 85), por një ditë para se djali i Lekës, Zefi, kishte ndërmend t’i çoje nënshkrimet në Cetinë, në shtëpin e tij u paraqiten disa njerëz nga komiteti dhe OZN-ës së Tivarit dhe e marrin me vete. E kërcënuan dhe ia morën nënshkrimet. OZN-a organizoi mbledhjen e kundërnënshkrimeve por edhe përkundër kërcënimeve dhe torturave arriti të grumbullojë vetëm 20 nënshkrime. Të nënshkruarit duhet të kërkonin dënimin e Lekës me vdekje, por populli i Shestanit tregoi një vetëdije të lartë duke mos harruar të mirat që Leka ia kishte bërë atij populli.

Avokati mbrojtës iu drejtue me ankesë Gjykatës Supreme të Malit të Zi e cila më 16 korrik 1946 solli vendimin nr.124/46 me të cilin refuzohet ankesa duke e lenë në fuqi vendimin e shkallës së parë. Gjykata nuk mori parasysh provat e faktet që dëshmonin pafajësinë e të akuzuarëve. Gjykata po ashtu nuk ka marrë parasysh vetitë etnike të Shestanit, përkundrazi ato i ka marrë si rënduese në procesin e gjykimit duke i dhënë kështu gjykimit krejtësisht ngjyrë politike dhe vetinë e procesit të montuar politik. Fakti se Martinoviqi ishte lajmëruesi i parë për njerëzit e paindetnifikuar të cilët gjendeshin në shpellë dhe dëshmia e tij u muar si bazë për dënim nga njëra anë, dhe nga ana tjetër mosmarrja parasysh e deklaratave të akuzuarëve dhe  propozimit të mbrojtjes që Don Jakov Vreska, që atëherë gjendej jo shumë larg në Kroaci, të sillet si dëshmitarë sepse ai ishte përgjegjësi kryesor për gjithçka ka ndoshur gjatë okupimit në Shestan,vërteton përfundimisht se qëllimi i dënimit ishte shtypja e ndjenjës shqiptare në zonën e Shestanit.

Më 16 shtator 1946 në Bjellashka Papretina u bë ekzekutimi i aktgjykimit. Lekë Perkuliqi,Gjon Maleviqi dhe Vuk maleviqi u pushkatuan!.

Exit mobile version