Alternativa Shqiptare – Dega Guci dënon ashpër heqjen e bustit të Isuf Çelajt në Vuthaj dhe fton subjektet politike shqiptare në komunë të veprojnë me unitet e përgjegjësi. Më poshtë reagimi i plotë.
REAGIM MBI HEQJEN E BUSTIT NË VUTHAJ
Të papranueshme veprimet e pushtetit lokal në Guci, duke rrëzuar bustin e Isuf Çelajt në Vuthaj. Përveç problemeve ekonomike të evidentuara prej kohësh—nga infrastruktura, te organizimi për Ditën e Komunës, e deri te manifestimi qesharak i 1 gushtit në Sheshin “Ali Pashë Gucia”—tashmë në radhë erdhi edhe busti në Vuthaj.
Arsyetimi i Ministrisë së Kulturës, e cila i ishte drejtuar komunës edhe më herët se “busti është pa leje”, nuk qëndron: u garantojmë se leja ka qenë më së paku problem; problemi ishte dhe mbetet historia—ajo shqiptare. Tendenca për ta njollosur figurën me akuza të pabaza, se i njëjti kishte kryer krime ndaj civilëve, është e përgatitur mirë nga qarqe antishqiptare, përderisa në atë kohë ai nuk ishte më gjallë. Reagimi i menjëhershëm i komunës, në orët e para të mëngjesit, për ta hequr bustin, duket se ka qenë i koordinuar.
I kërkojmë publikisht Lëvizjes për Guci të tregojë se nuk ka dy karrige më të mëdha se interesi kombëtar: të dalë nga pushteti lokal aktual dhe të rrëzojë këtë pushtet të brishtë—meqë është e mundshme matematikisht, pasi kjo Lëvizje e bën shumicën prej 16 (nga 30 gjithsej).
Është momenti i fundit të ulemi të gjithë dhe të formojmë shumicën e re, me Kryetar Komune shqiptar! Çdo veprim tjetër—ose mosveprim—do të thotë se po kryhet me bashkërendim.
ALTERNATIVA SHQIPTARE – DEGA GUCI
Guci, 15 gusht 2025

