Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Ambasada e SHBA’së në Beograd për “shiptari”-n e Vulinit: Ne dimë për rreziqet e shkaktuara nga fjalimet fyese

Gjykata e Lartë në Beograd ka refuzuar ta shpallë fajtor Ministrin Aleksandër Vulin për përdorimin e termit fyes “shiptari” për pakicën shqiptare që jeton në Serbi. Kësisoj, gjykata ka legalizuar termin pezhorativ ndaj shqiptarëve. Nga ambasada amerikane në Beograd është thënë se përdorimi i emrave nënçmues për t’i përshkruar grupet e pakicave shkaktojnë rreziqe dhe përçarje të vazhdueshme. 

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka thënë se Gjykata i ka dhënë tashmë edhe fuqi juridike institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes, mosdurimit dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e atyre në Serbi në veçanti.

Zyrtari për media i ambasadës amerikane në Serbi, James Hagengruber, ka thënë për Express se gjykatat amerikane nuk thonë se cilat terma janë ligjorë apo fyes, por që, sipas tij, përdorimi i emrave nënçmues për pakicat sjellin rreziqe. 

“Liria e të shprehurit është një vlerë themelore e Shteteve të Bashkuara. Kongresi ynë nuk ligjëson se cilat lloje të fjalimeve vlerësohen si fyese dhe gjykatat tona nuk thonë se cilat terma janë ligjorë apo fyes. Por ne dimë nga përvoja jonë kombëtare për rreziqet, dhimbjen dhe përçarjen e vazhdueshme të shkaktuara nga fjalimet fyese, në veçanti nga përdorimi i emrave nënçmues për t’i përshkruar grupet e pakicave”, thuhet në përgjigje.

Exit mobile version