Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi, uron qytetarët me rastin e 75 vjetorit të çlirimit të Tuzit

Ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi, Ridi Kurtezi, ka përkujtuar 15 dhjetorin e vitit 1944, duke theksuar se kjo datë është një nga ngjarjet e mëdha të luftës për çlirim të kësaj treve me tradita të lashta patriotike dhe liridashëse.

Postimi i plotë:

Të dashur bashkëkombas,Të dashur Malësorë,Sot është rasti të përkujtojmë së bashku 15 dhjetorin e vitit 1944, një nga ngjarjet e mëdha të luftës për çlirim të kësaj treve me tradita të lashta patriotike dhe liridashëse. Sot është dita të përulemi përpara sakrificës dhe vetëmohimit të partizanëve shqiptarë dhe malazezë, heronjve dhe të rënëve që morrën armët për të mos iu nënshtruar pushtuesit.

Lufta për çlirimin nga nazifashizmi nuk është e vetmja në historinë e lavdishme të këtyre trevave. Epikën, sakrificën dhe vuajtjen e popullit trim e liridashës të Tuzit e provon pikërisht kjo luftë, duke treguar se ishin bijtë e kësaj treve që me sakrifica të mëdha, u bashkuan me forcat e koalicionit anti-nazifashist.

E kujtojmë këtë ditë në kohën kur shqiptarët sot, në Ballkanin e vjetër, po shkruajnë një faqe të re të historisë së tyre të paqes dhe fqinjësisë së mirë me etnitë e tjera, e bashkë me ta, synojnë integrimin në familjen e madhe europiane. Sot pesha e shqiptarëve është e rëndësishme sepse politikat paqësore, sipas traditave të tyre shekullore, janë shembull frymëzim edhe për të tjerët.

Në këtë datë të shënuar më lejoni t’ju shpreh juve qytetarëve të Malësisë, pa dallim etnie, feje, kulture, apo bindjeje politike, urimet më të sinqerta dhe të përzemërta për të forcuar më tej bashkëjetesën harmonike mes njëri-tjetrit.

Jam mëse i bindur se, simbolika e kësaj dite të shënuar për Komunën, mesazhet që ajo pëcjell, ato të bashkëjetesës dhe lidhjeve të ngushta mes popujve tanë, do të shërbejnë si një shtysë e mëtejshme edhe për të përzgjedhurit lokalë në Tuz, që të rrisin përkushtimin për t’i forcuar më tej këto lidhje, për t’i kushtuar më shumë vëmendje nevojës së qytetarëve dhe banorëve të kësaj zone, për më shumë investime, mundësi të barabarta zhvillimi ekonomik, kulturor e social, në të mirë të të gjithëve.

Qoftë e shenjtë në shekuj kjo datë!

Ridi Kurtezi

Ambasador i Shqipërisë

Exit mobile version