Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Anëtari i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane: PRESIDENTI HASHIM THAÇI E KEQJA ME E MADHE E KOSOVËS NË 20 VITET E FUNDIT

Agim Alickaj

Rrënimi i demokracisë dhe përpjekja për instalim të diktaturës

Agim Aliçkaj*

Asnjëherë, nuk kam menduar që me opinionet, analizat dhe intervistat e mija, në shtypin shqiptar, të bëhem një njeri që gjykon ose paragjykon dikë. Por, as nuk mund të qëndroj e të mos jap një opinion apo koment pikërisht, kur shoh që diçka simbas mendimit dhe bindjes time nuk ecën ashtu si duhet, ose nuk është ashtu si do të dëshironim të gjithë të ishte, në të mire të Kosovës.

Reagimi i ditëve të fundit të Kryeparlamentares së Kosovës znj. Vjosa Osmanit, përmes një shkrimi në Facebook, që ka thënë se “Si sot 7 vite më parë, Thaçi solli për votim në Kuvend marrëveshjen e tij me Dacic, të cilën e quajti njohje të Kosovës nga Serbia. Marrëveshja, në fakt, krijoi Asociacionin e Komunave Serbe, legalizoi strukturat kriminale të Veriut, i futi strukturat e sigurisë së Serbisë në institucionet tona, krijoi sistem jo unitar gjyqësor e ofroi amnisti për serbët që kishin kryer krime. Atëherë votova KUNDËR, e bindur që kjo nuk ishte as njohje e as marrëveshje finale dhe vetëm hapte rrugë për shkelje të tjera të rënda në dëm të shtetësisë e sovranitetit të vendit”.

Kjo ishte shumë e qëlluar dhe më nxiti që të bëj komentin tim si vijon:  “E nderuara Kryetare e Parlamentit te Republikës se Kosovës, znj. Vjosa Osmani, Hashim Thaçi është padyshim e keqja me e madhe qe i ka ndodhur Kosovës në 20 vitet e fundit, ndoshta edhe gjatë gjithë historisë. Ka shume shpjegime për këtë po si mërgimtar nuk dëshiroj të merrem me to. Një gjë është e qartë, Vucici është duke bërë lojë me te dhe nëpërmjet tij me fatin e Kosovës. Thaçi nuk e ka të qartë se Serbia nuk ndalet me asnji marrëveshje deri sa nuk e kupton me 100% se nuk ka shance për grabitje të metutjeshme të tokave shqiptare. Pas shfrytëzimit dhe shtrydhjes mirë e gjuajnë në plehra si një lecke atë dhe sipas nevojës edhe vet Vucicin. Dalin me kerkesa të reja me politikanë të rinj , plus referendumin e kanë mjetin e fundit për t’i shkelë marrëveshjet. Unë nuk e përkrah asnji parti por liderët e aftë dhe të fortë si Ju i çmoj, i admiroj dhe i përkrah pa rezervë. Ka shumë si unë dhe numri po shtohet dita-ditës. Prandaj, ju lutem qendroni deri në fitore sepse jeni në rrugë të drejtë dhe popullin me shumicë e keni pas jush. Politikanët e korruptuar dhe të deshtuar i kanë përpelitjet e fundit, kurdo herë duhet të ballafaqohen me votën e popullit dhe do të humbin me turp. Grenellat janë të përkohëshëm. Amerika do të kthehet prapë në anën tonë, në anën e së drejtës. Shendet, suksese dhe respekt te pafund”!

Gabimet dhe keqbërjet e Presidentit Thaçi (not my president anymore) janë të shumta, mjafton të përmenden “fusnota” në Deklaratën e Pavarësisë, humbja e tokave me demarkacione, mosmarrja e liberalizimit të vizave, heqja dorë nga vëllazërit tanë të Kosovës Lindore, korrupsioni, varfëria e pafund dhe zbrazja e Kosovës. Më e keqja është se ai beson në vetvete se është “shpëtimtari” i Kosovës, se ai është më i mënçur se të gjithë dhe se populli i tij është naiv dhe nuk i kupton “të mirat e tij”. Dhe kështu nuk di të ndalet. Takimi i djeshëm me përfaqësuesit e partive politike të Kosovës për formim të një qeverie antidemokratike ishte tragji-komike. Po a ka kund logjikë të interpretohet Kushtetuta se kinse partia e dytë apo e dhjetë paska të drejtë të krijojë qeveri, vetëm nëse ia arrinë për t’i blerë numrat?!  Nëse lejohet kjo presidencë atëherë Kosova kurrë nuk do të ketë qeveri stabile. Sepse partitë e tjera do të jenë gjithmonë të interesuara për ta rrëzuar të parën dhe për ta marrë pushtetin. Kjo gjë do të përbënte shkelje të rëndë të demokracisë dhe vullnetit të popullit. Përpjekja e Thaçit për instalim të diktaturës në Kosovë është shumë e rrezikshme. Gjykatës Kushtetuese nuk mund t’i besohet sepse mund të jetë e influencuar dhe e friksuar se kinse “kështu po kërkon Amerika”.  Përdorja e kartës së Amerikës për të rrëmbyer pushtetin është levizja e fundit e Thaçit në politikë. Populli i Kosovës nuk do ta pranojë kurrë këtë sepse i ka kuptuar mashtrimet e tij. Kur ai ta kupton se vetëm populli i vendit të vet mund ta mbaj në pushtet dhe askush tjetër, përfshirë edhe Amerikën, për te do të jetë shumë vonë.  Ekziston rreziku që vendi të katandiset në kaos të paparë me trazira dhe destalizim të pafund. Vetëm zgjedhjet e lira demokratike mund ta qetësojnë popullin e trazuar dhe të nënçmuar në mënyrë drastike, asgjë tjetër.

Thaçi nuk është i vetëm në këto punë të liga. Bashkëfajtorë me të janë të gjithë ata politikanë, edhe të partive të tjera, që ia mundësuan të abuzojë me Kosovën pandalë, sidomos në 12 vitet e fundit të pavarësisë së kufizuar. Nga të gjithë këta befason më së shumti kryetari i LDK-së Isa Mustafa me garden e vjetër të kompromentuar deri në palcë. Me djallëzinë e tij, dhe akrobacitë që ka bërë dhe po bënë për interesa personale, po e çon Kosovën drejt shkatërrimit. Këtu dëshiroj të sqaroj se nuk e gjykoj njësoj anëtarësinë e gjërë të këtyre partive. Ka në mesin e tyre kuadro të aftë dhe patriotë, por fatkeqësisht të këqinjt jua kanë marrë anën. Duhet shpresuar se në vitet në vijim, ata do të forcohen dhe t’i largojnë politikanët e këqinj nga udhëheqja. Kështu do tu hapen rrugët për tu bërë opozitë e fortë dhe konstruktive, me mundësi që në të ardhmen, me programet dhe punët e veta në interes të shtetit, të konkurrojnë në mënyrë serioze për pushtet. Dëshiroj të shtoj, se kam qenë përkrahës i flakët i rezistencës paqësore të presidentit të urtë dhe trim Ibrahim Rugova dhe më vonë i luftës heroike të UÇK-së të komandatit legjendar Adem Jashari me luftëtarët dhe heronjt e tjerë të kombit, përfshirë edhe Batalionin a lavdishëm Atlantiku nga Amerika. Është zhgënjyese që pasardhësit e tyre të përfshirë në vende udhëheqëse të partive të ndryshme politike me një pjesë të vogël militantësh të zhurmëshme, e kanë devijuar rrugën e tyre. Këtë do ta paguajnë shtrenjtë me humbje të elektoratit në zgjedhjet e ardhshme.

E çmoj shumë guximinë, mençurinë dhe patriotizmin pro-Amerikan dhe pro-Shqiptar të Bordit të Lobit Shqiptaro-Amerikan të prirë nga Joseph DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, për dalje me Deklaratë Publike në këto ditë vendimtare për Kosovën, me të cilën, ndër të tjera kërkohet nga Presidenti Trump ta lirojë nga detyra e ndërmjetësuesit  të dialogut Kosovë-Serbi, Ambasadorin Richard Grenell. Natyrisht që as ai as Administrata e Presidentit Trump nuk janë fajtor për dështimet njëzet vjeçare në Kosovë. Pra, fajet i kemi vetë që nuk e ndërtuam dhe forcuam shtetin tonë. Ambasadori ka faj se e mori këtë punë me hile, me bisedime sekrete dhe duke anuar haptazi nga Serbia. Shihet se e ka pranuar pa kurrëfarë analize kritike dhe lexim të historisë, versionin e Serbisë se kinse “serbët janë viktimë, se ju ka bërë e padrejtë me bombardimet e NATO-s, se kjo e padrejtë duhet përmirësuar nga Amerika dhe se shqiptarët janë të paaftë për të ndërtuar shtet”. Gabim tjetër shumë i madh i tij është se, i ka marrë si të vërteta gënjeshtrat e Thaçit se ai ka mbështetje të mjaftuar në Kosovë për ta realizuar marrëveshjen me Vucicin. Kjo nuk është asgjë tjetër veçse ndarje e Kosovës me qëllim të krijimit të shteteve etnikisht të pastërta “pa probleme nacionale” duke e realizuar ëndrrën serbe për ”Serbi të madhe” dhe njëkohësisht ëndrrën e Thaçit për sundimtar të përjetshëm në nji shtet, i cili mjafton të ketë territor siç thuhet nga ana jonë “veç sa livadhet e Sadik Ramëve”. Gabimi më i rëndë i Ambasadorit Grenell është ndërhyrja flagrante në punët e brëndëshme të Republikës së Kosovës, me përkrahjen e klasës politike të korruptuar, të dështuar dhe të refuzuar nga populli i Kosovës për të rrëzuar qeverinë demokratike të shpresës dhe anti-korrupsionit, të liderëve më të votuar nga populli,  Kryeministrit Albin Kurti dhe Kryeparalamentares Vjosa Osmani, pa ju dhënë mundësi fare për ta treguar veten me punën e tyre. Por, të gjithë ata do ta kuptojnë shumë shpejt se populli i Kosovës dhe mbarë kombi shqiptar nuk pranon më kurrë t’i japë Serbisë asnjë pëllëmbë toke. Ka ardhë koha për një mobilizim të përgjithshëm kudo, në trojet tona etnike dhe diasporë, sidomos në Amerikë, për të ja ndalë turrin furtunës së rrezikëshme Vuçiç-Thaçi-Grenell. Ekziston mundësia që Presidenti Trump as që është i informuar drejt për pështjellimet e tyre në Ballkan, të cilat janë kundër interesave strategjike Amerikane.

Ambasadori Grenell, ushtrues detyre i Drejtorit të Inteligjences më të madhe në botë, ka informata dhe mund ta ketë kuptuar se veprimet e tij kanë dështuar për shkak se nuk e ka përkrahjen e popullit të Kosovës, por nuk dëshiron të tërhiqet për interesa personale dhe mundësisë së humbjes së prestigjit, ndoshta edhe të karrierës diplomatike. Mjafton të ndjekim faqen e tij të twiterit dhe komentet e shqiptarëve, të cilët me shumicë absolute i kritikojnë veprimet e fundit të tij në Kosovë. Me këtë rast dëshiroj t’i lus bashkëkombasit e mi të vetëpërmbahen nga ofendimet dhe sulmet personale ndaj tij. Kjo nuk na ndihmon aspak në çështjen tonë të drejtë.

Historia na mëson se populli shqiptar e ka filluar rezistencen dhe luftën për liri në momentin kur është okupuar nga forcat terroriste serbe dhe okupator të tjerë. Për liri e kan dhënë jetën bijtë dhe bijat më të mira të kombit. Asnjë individ dhe asnjë subjekt brenda dhe jashtë Kosovës nuk ka të drejtë të mendojë dhe të deklarojë se ai i vetëm e ka sjellë lirinë e Kosovës. Amerika na ka ndihmuar ta fitojmë lirinë por nuk ka të drejtë të na marr atë. Kombi shqiptar e don me të drejtë, me zemër dhe pa hile Amerikën, por e don lirinë më shumë se Amerikën dhe më shumë se jetën. Nuk ka forcë në botë që mund ta shtypë dëshirën e një populli për të jetuar i lirë.

*Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës

Exit mobile version