Të nderuara deputete dhe deputetë të Parlamentit të Kosovës,
ky moment nuk është çështje partie liderësh apo emrash. Ky është një vendim që prek shtetin, qytetarët, ekonominë dhe të ardhmen e vendit.
Kosova ka nevojë për stabilitet dhe për një qeveri funksionale. Buxheti duhet të miratohet që institucionet të punojnë normalisht, projektet të mos bllokohen dhe qytetarët të mos paguajnë çmimin e krizave politike.
Edhe bashkësia ndërkombëtare e ka një kufi të durimit. Partnerët tanë presin një shtet serioz me institucione të plota dhe të përgjegjshme. Pa qeveri dhe pa buxhet të miratuar, Kosova nuk mund të jetë partner i barabartë në tavolinat e bisedimeve dhe në proceset integruese. As bota nuk pret pafund.
E dimë të gjithë se edhe nëse vendi shkon në zgjedhje, ndryshimet në numra zor se do të jenë të mëdha. Vitet e fundit kanë treguar një vetëdije të qëndrueshme politike te qytetarët, dhe është pak e besueshme se rezultati do të ndryshojë në mënyrë thelbësore. Siç thotë populli: çfarë mbjell, atë do të korrësh. Edhe pas zgjedhjeve, skena politike do të jetë pothuajse e njëjtë dhe problemet do të kthehen aty ku janë sot.
Ndërkohë, situata në veri mbetet e brishtë. Kërcënimet dhe provokimet vazhdojnë. Kosova nuk mund të përballojë vakum institucional në një moment kur kërkohet qetësi, vendimmarrje dhe koordinim i qartë.
Prandaj, sot kërkohet mençuri, jo inat politik.
Kërkohet përgjegjësi, jo kalkulim partiak.
Kosova ka nevojë për vendime, jo për shtyrje.
Votoni Qeverinë.
Votoni buxhetin.
Votoni të mirën e vendit.
Çdo votë ka peshë për të ardhmen e fëmijëve të Kosovës. Qytetarët nuk kërkojnë mrekulli, kërkojnë funksionim. E mira e Kosovës duhet të jetë mbi çdo interes personal apo partiak.
Me respekt dhe shpresë se fiton arsyeja dhe përgjegjësia kombëtare.
Zoti e bekoftë Kosovën.
Me respekt,
Deli Balidemaj

