Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” me seli ne Ulqin ka botuar këto ditë librin “Gjurmë që (nuk) heshten” të autorit Nikollë Berishaj.
Shkrimtari, studiuesi, përkthyesi, publicisti dhe veprimtari Nikollë Berishaj ka botuar së fundmi librin “Gjurmë që (nuk) heshten”, një përmbledhje e studimeve, refleksioneve dhe eseve, në të cilat autori shpreh shqetësimin për çështje dhe tema nga fusha të ndryshme.
Për nga natyra, libri është një metazhanër dhe siç thekson në vështrimin e tij shkrimtari i njohur Agron Tufa, libri është një lloj guide kulturologjike.
“Libri është konceptuar sipas shqetësimeve të autorit në disa rrathë koncentrikë: Në rrethin e parë hyjnë shpluhurosja e disa personazheve (personaliteteve), vepra e të cilëve ose vazhdon të jetë e anatemuar si inerci e politikave të sotme post-totalitare, ose janë lënë në harresë nga përtacia shpirtërore intelektuale, plus paragjykimeve të reja… Rrethin e dytë në problematikat që shqyrton Berishaj e përbëjnë trashëgimia dhe raporti propagandistik i diktaturës ideologjike komuniste kundrejt klisheve kulturore ‘bardhë e zi’, fatkeqësisht të gjithëpranuara nga cektësia intelektuale shqiptare… Rrethit të tretë të librit i takojnë shkrimet nga intenca të ndryshme kulturore ndërdisiplinore (përkthimi, piktura, Malësia në raportin dinamik ‘qendër – periferi’, gjuha e paragjykuar si inerci totalitare dhe gjuha e pastër e Malësisë), deri te memuaristika tejet interesante mbi veprimtarinë e shoqatës së shqiptarëve të Sllovenisë, ku autori ka qenë pjesë e këtij kontributi patriotik e kulturor…”
Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me mbështetjen e Komunës së Tuzit, Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, ndërsa është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë. Lektor i librit është Fran Camaj.
Nikollë Berishaj është autor i librave: “Sub rosa dictum” (poezi), “Kush e vrau besën” (roman), “Antologji e poezisë bashkëkohore sllovene”, “Fjalor sllovenisht-shqip dhe shqip-sllovenisht”. Nga sllovenishtja, malazezishtja (kroatishtja/serbishtja/boshnjakishtja) në shqip dhe anasjelltas ka përkthyer mbi 70 vepra. Është laureat i Çmimit “Pretnar” në vitin 2013, çmimit më të lartë të Sllovenisë për përkthime të letërsisë sllovene në gjuhë të tjera të botës (në shqip), i përcjellë nga titulli i nderit Ambasador i letërsisë dhe i gjuhës sllovene dhe i kulturave sllave. Është i përfshirë po ashtu në Fjalorin enciklopedik “Novi slovenski biografski slovar”, botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Sllovenisë. Ka qenë redaktor i disa revistave studentore në Lubjanë si dhe ka prezantuar në periodikë e festivale të ndryshme të poezisë disa shkrimtarë shqiptarë, sllovenë etj.
Ulqin, më 12. 08. 2021 SHAI “Art Club”