Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Bajraktari i shkruan Trump: Siguroni gjykim të drejtë në Hagë

Veprimtari dhe biznesmeni shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, ka dërguar një letër zyrtare Presidentit amerikan, Donald Trump, ku shpreh shqetësimet e tij për zhvillimet në Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe kërkon që Shtetet e Bashkuara të garantojnë një proces të drejtë gjyqësor për ish-udhëheqësit e Kosovës që po mbahen në Hagë, përfshirë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në postimin e tij në platformën X, dhe Facebook, Bajraktari thekson se është thelbësore që SHBA-ja të angazhohet për të siguruar që Dhomat e Specializuara të respektojnë standardet më të larta ndërkombëtare për gjykim të drejtë. Ai ka cilësuar si “propagandë dhe pretendime sensacionale” akuzat për trafikim organesh ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke theksuar se ato nuk janë mbështetur në prova.

Bajraktari gjithashtu kërkon që administrata amerikane të bëjë thirrje që të respektohen garancitë kushtetuese për të gjithë të akuzuarit, të inkurajojë aleatët e NATO-s dhe partnerët e BE-së për të riafirmuar përkushtimin ndaj drejtësisë ndërkombëtare, dhe të afirmojë publikisht legjitimitetin e luftës për liri të Kosovës, duke bërë të qartë se SHBA-ja nuk e barazon luftën mbrojtëse të UÇK-së me spastrimin etnik të Serbisë.

Ky hap i Bajraktarit pasqyron presionin e komunitetit shqiptaro-amerikan për një proces gjyqësor transparent dhe të drejtë ndaj ish-udhëheqësve të Kosovës, ndërsa Dhomat e Specializuara vazhdojnë hetimet dhe procedurat në Hagë.

Exit mobile version