Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Bajram Kelmendi – Avokati që sfidoi Millosheviqin dhe u flijua për Kosovën

Screenshot

Nga Qelë Qelaj, New York

JETA DHE VEPRA PATRIOTIKE E 

Bajram (Sokol) Kelmendi

“Jeta nuk mund të quhet ‘jetë’ nëse nuk ka brenda vetes një vuajtje të pashterrshme.”

(Bajram Kelmendi)

Bajram (Sokol) Kelmendi lindi në vitin 1937 në fshatin Stakaj të Rugovës, në kufi me Malin e Zi. Ishte fëmija i tretë i Sokol Çelës dhe Nife Nikqit – Kelmendi, bijë e familjes së njohur patriotike të Haxhë Mustafës nga Shtupeqi i Madh.

I ati, Sokol Çela, njihej për bujari dhe atdhedashuri, virtyte të trashëguara brez pas brezi, sidomos nga gjyshi Çelë Shabani, kryehero dhe komandant i luftës së Nokshiqit, i dekoruar për heroizëm. Bajrami u rrit me këngët e trimërisë dhe vallet burrërore të Rugovës heroike, me tingujt e lahutës, me legjendat e lashta dhe me historinë e prijësve si Çelë Shabani, Sali Jaha, Zhujë Selmani, Sak Fazlia, Demë Isufi, Rexhë Avdia e shumë të tjerë.

Ai lindi në një nga periudhat më të errëta të historisë sonë kombëtare, në kohën e represionit serbo-malazez ndaj Kosovës, kur kufijtë shqiptaro-shqiptarë ishin të mbyllur hermetikisht. Gjyshi i tij, Zhukë Haxhia, ishte ndër luftëtarët e orëve të para të rezistencës kombëtare, duke vazhduar traditën e familjes në mbrojtje të atdheut.

Fëmijëri pa fëmijëri

Si hakmarrje ndaj veprimtarisë së familjes, OZNA dhe UDB-ja serbe e internuan familjen në burgun e Gjilanit. Kjo bëri që Bajram Kelmendi të mos kishte një fëmijëri të rregullt dhe as mundësi të plotë shkollimi. Që në moshë të hershme ai përjetoi burgosje e persekutim, duke e bartur gjatë gjithë jetës urrejtjen ndaj padrejtësisë dhe pushtuesit.

Në vitin 1950, mësuesi i njohur Shefqet Kelmendi hapi klasat e pestë dhe të gjashtë në mejtepin e xhamisë së Trestenikut. Kjo periudhë ndikoi thellë tek Bajrami, i cili nga respekti për mësuesin e tij, ndryshoi mbiemrin nga Çelaj në Kelmendi – mbiemër që e mbajti me krenari deri në vdekje.

Megjithë vështirësitë, ai përfundoi me sukses të shkëlqyeshëm “Shkollën e Karagaçit” dhe më pas vazhdoi gjimnazin real. Në vitin 1956 u regjistrua në Shkollën Normale në Gjakovë.

Burgosja dhe përndjekja

Në verën e vitit 1957, shtëpia e tij në Lutogllavë u rrethua nga forcat e sigurimit serb. Bajrami u arrestua dhe u dërgua në burgun famëkeq të Karagaçit, ku qëndroi nën hetime për 15 muaj dhe përjetoi tortura të rënda. U dënua me 18 muaj burg dhe më pas iu ndalua e drejta e shkollimit në Kosovë.

I privuar nga çdo mundësi arsimimi e punësimi, ai u kthye në fshat dhe punoi në bujqësi. Por etja për dije nuk iu shua.

Rrugëtimi drejt drejtësisë

Në vitet ’60, pas një ndryshimi ligjor që lejonte pranimin në fakultet përmes provimeve pranuese, Bajrami iu nënshtrua testimit para akademikëve si Ali Hadri dhe Fehmi Agani, duke e kaluar me sukses të shkëlqyeshëm. Ai u regjistrua në Fakultetin Juridik, në kuadër të Universiteti i Beogradit.

U martua me Nekibe Kolicen – Kelmendi dhe u bë baba i tre fëmijëve: Kastriotit, Kosovarës dhe Kushtrimit.

Në vitin 1968 punoi si bashkëpunëtor profesional në Gjykatën Supreme të Kosovës. Në vitin 1970 diplomoi me nota të shkëlqyera, kreu provimin e jurisprudencës dhe u licencua si një ndër avokatët e parë shqiptarë në Kosovë.

Zëri i së vërtetës

Bajram Kelmendi ishte ndër themeluesit e KMLDNJ-së në Prishtinë dhe për një kohë edhe kryetar i saj. Ai mbrojti me guxim procese të montuara politike, përfshirë edhe procesin e Paraqinit, duke demaskuar manipulimet e regjimit serb.

Më 3 maj 1998, ai dorëzoi kallëzim penal kundër Slobodan Milošević në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, në Beograd dhe në Tribunalin e Hagës, për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Ai ishte ndër zërat më të fuqishëm që alarmoi botën demokratike për mizoritë në Kosovë dhe u shpreh i gatshëm të përballej me Millosheviqin në Hagë.

Screenshot

Flijimi për atdhe

Në natën e fillimit të bombardimeve të NATO-s, më 24 mars 1999, forcat paramilitare serbe hynë me dhunë në shtëpinë e tij në Prishtinë dhe arrestuan Bajram Kelmendin bashkë me dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin. Të nesërmen, ata u gjetën të pushkatuar.

Mbi pllakën përkujtimore në vendin e vrasjes qëndron epitafi:

“Është nder dhe krenari të vdesësh për atdhe.”

Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, deklaroi:

“U vra njeriu më i rrezikshëm për Serbinë dhe Millosheviqin.”

Jeta dhe vepra e Bajram (Sokol) Kelmendit mbetet një testament i gjallë i qëndresës, drejtësisë dhe sakrificës për liri. Ai ishte avokati i popullit, zëri i së vërtetës dhe simbol i guximit intelektual e kombëtar në kohët më të vështira të historisë së Kosovës.

#Histori #Kosova #PavarësiaEKosovës #Rugova #Lufta #NATO

Exit mobile version