Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Bartja e maskave në lokalet publike të mbyllura në Mal të Zi, e detyruar prej 4 majit

Instituti i Shëndetit Publik, dje (të dielën), ka bërë të ditur se bartja e maskave në lokalet publike të mbyllura në Mal të Zi është e detyruar për të gjithë prej 4 majit, kur do të fillojë aplikimi i fazës së dytë të zbutjes së ca masave të përkohshme mbrojtëse nga koronavirusi Covid-19, të fuqizuara më parë.

Bartja e detyruar e maskave ka qenë e paraparë të fillojë dje, më 26 prill, por me kërkesë të opinionit është shtyrë për në datën e sipër cekur.

Përndryshe, të dhënat e fundit të institutit në fjalë, konfirmojnë se në 186 mostrat e testuara në laboratorët e mikrobiologjisë molekulare të tij gjatë 24 orëve të fundit, në Mal të Zi nuk është regjistruar asnjë rast i ri i diagnostikuar me virusin Covid-19.

Rezultati në fjalë, është rrjedhojë e dy testimeve laboratorike të mostrave të dyshuara në intervalet kohore: 08:30 – 17:45, në 89 persona dhe në intervalin kohor 17:45 – 08:30, në 97 persona.

Ndonëse në 24 orët e fundit nuk janë regjistruar raste të reja të infektuara me koronavirus, numri i të prekurve prej rastit të parë e deri më sot mbetet i pa ndryshuar – ai i ditës paraprake 321 (179 meshkuj dhe 142 femra), prej të cilëve 58 janë fëmijë dhe të rinj (23 të moshës 0-9 vjeçare dhe 35 të moshës 190-19 vjeçare).

Pasqyrëza e të prekurve me virusin Covid-19 nëpër komuna

Podgoricë-163,

Tuz-37,

Nikshiq-34,

Tivarë-23,

Ulqin-22,

Andrijevicë-7,

Budva-7,

Plavë-7,

Bijello Pole-6,

Herceg Novi-6,

Danillovgrad-3,

Tivat-3 dhe

Guci-3.

Meqenëse dje (të dielën) Trupi Nacional Koordinues për sëmundje infektive nuk ka mbajtur konferencën për media, në të cilën përfaqësuesit e saj raportojnë për gjendjen e përgjithshme epidemiologjike në Mal të Zi, të dhënat në këtë drejtim për situatën në 24 orët e fundit janë nga raportet e shërbimeve relevante të Institutit të Shëndetit Publik dhe të Qendrës Klinike të Malit të Zi në Podgoricë.

Në raportet e tyre thuhet se deri më sot, në Mal të Zi, me virusin Covid-19 janë infektuar 321 persona, 153 prej të cilëve janë shëruar, kurse 7 kanë vdekur. Me virusin Covid-19, momentalisht janë të infektuar 161 persona, kurse në mbikëqyrje janë 1772 qytetarë.

Prej 161 momentalisht të infektuarve, 19 sish janë të hospitalizuar në spitalet e caktuara në Mal të Zi: 4 në Spitalin e Tivarit, 3 në atë të Nikshiqit dhe 12 në Qendrën Klinike të Malit të Zi në Podgoricë. Në Qendrën Klinike në fjalë,

tetë të sëmurë janë për trajtim mjekësor në Klinikën infektive, katër të tjerë në Klinikën interne, dy prej të cilëve në përkujdesje intensive, të kyçur në respirator, gjendja e të cilëve është e keqësuar dhe janë në rrezik jete.

Në Klinikën interne të Qendrës Klinike, një i sëmur i moshës 83 vjeçare, i prekur me koronavirus, e më parë edhe me sëmundje të rënda kronike, dje ka vdekur.

Sipas të dhënave të fundit të instituteve relevante, gjendja e përgjithshme epidemiologjike në 24 orët e fundit në shtetet e Ballkanit Perëndimor ka këto përmasa:

Në Shqipëri: 736 të infektuar, 422 të shëruar dhe 28 të vdekur;

Në Kosovë: 763 të infektuar, 166 të shëruar dhe 21 të vdekur;

Në Serbi: 8042 të infektuar, 1182 të shëruar dhe 156 të vdekur;

Në Kroaci: 2030 të infektuar, 1103 të shëruar dhe 55 të vdekur;

Në Bosnje e Hercegovinë: 1565 të infektuar, 650 të shëruar dhe 60 të vdekur;

Në Slloveni: 1402 të infektuar, 221 të shëruar dhe 83 të vdekur dhe

Në Maqedoninë e Veriut: 1386 të infektuar, 500 të shëruar dhe 62 të vdekur.

Shaban Hasangjekaj

Exit mobile version