Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Bashkëathetari ynë kandidat për këshilltar në një bashki të Nju Xhersit

Nga Xheladin Zeneli

Ka disa kohë që jam matur për të dhënë kontributin tim në shërbimin publik në vendbanimin tim në SHBA ,por arsyeja kryesore që deri më tani nuk e kam bërë një gjë të tillë ka qenë ajo, se gjatë 25 viteve të fundit , prioritet i angazhimit tim ka qenë aktiviteti në kumunitetin tim shqiptar në New York me rrethe.
Vendimi im për t’u kandiduar për këshilltarë i Bashkisë (Komunës) në qytetin e vendbanimit tim, Dumont në New Jersey (Nju Xherzi )në zgjedhjet e 6 Nëntorit të këtij viti,
nuk vjen nga motive për karrierë politike, por thjeshtë për disa arsy të tjera.

-Së pari që si taksapagues dhe qytetarë me përgjegjësi ,të mundohem që të jap edhe unë kontributin tim në proceset vendim-marrëse në qytetin (komunën) ku jetoj që nga viti 2004.Gjithëmonë më ka tërhequr mënyra demokratike e procesit zgjedhor në SHBA, si dhe fakti se shumica e atyre që garojnë apo kandidohen , posaçërisht në nivel të qeverisjes lokale, e bëjnë këtë në baza vullnetare dhe jo për për përfitime materiale pasi që kompensimi ndaj këshillëtarëve në shumicën e komunave është simbolik.Pra, në këtë nivel të qeverisjes angazhimi përceptohet jo si politikë, por si shërbim publik.
-Kur flitet për punën vullnetare atëherë duhet të përmendi edhe arsyen tjetër e angazhimit tim i cila ka të bëjë me ate se e ndijejë vehten të detyruar që në një mënyrë apo tjetër dhe brenda mundësive dhe kapaciteteve të mia të mundohem t’ja kthej kontributin aq të madh që ky shtet , pra SHBA ( me këtë edhe New Jersey-i si shtet i tij),në momente të rëndësishme historike ka dhënë për Shqipërinë, Kosovën dhe gjithë popullin shqiptarë.(Sa për informim, ish presidenti amerikan dhe miku i madh i shqiptarëve
Woodrow Wilson, para se të bëhej presidenti i 28-të i SHBA , për një kohë të caktuar ai ishte banor dhe governator i shtetit të New Jersey-it);
-Arsyeja tjetër e vendimit tim është se mendoj se pjesëtarët e komunitetit shqiptarë duhet të inkuadrohen edhe më shumë në jetën shoqërore politike në vendbanimet ku ata gravitojnë në diasporë.Z. Mark Gjonaj këshilltari i parë shqiptarë në Bashkinë e New York-ut, i cili pa dyshim se është bërë frymëzim për të gjithë ne, vazhdimisht në fjalimet e tia me pjesëtarët e komunitetit shqiptar, gjithënjë iu bën apel atyre për një angazhim më të madh në procesin vendim-marrës në komunat apo bashkitë e vendbanimeve përkatëse me qëllim të faktorizimit të komunitetit shqiptarë në diasporë.Kohë më parë u publikua lajmi se në Staten Island jetojnë rreth 24,000 shqiptarë apo 5% e popullsisë. Pyetja që n’a imponohet është se sa prej tyre janë të inkuadruar si pjesë e procesit vendim-marrës në organet e qeverisjes lokale,pra pjesë e komunave apo bashkive përkatëse ?.
Më vjen mirë kur ndigjoj që pjesëtarët e komunitetit shqiptar në SHBA por edhe në diasporat e tjera, angazhohen në shërbimin publik dhe në proceset shoqëroro-politike ku ata gravitojnë ,por mendoj se pjesëtarët e komunitetit shqiptarë, posaçërisht gjeneratat e reja mund të bëjnë edhe më shumë në këtë drejtim.

Pak të dhëna për bashkinë -Dumont dhe qeverisjen e saj lokale

Dumont është një qytet në veri të shtetit të New Jersey-it, në rajonin Bergen ( Bergen County), me një distancë mesatare prej qendrës së Manhhatan-it në NY prej 17 milave apo 27 km). Ka marrë statusin e bashkisë në vitin 1894 , kurse emrin nga kryetari i parë i kësaj bashkie, Dumont Clarke. Sipas regjistrimit të fundit të vitit 2010, Bashkia e qytetit Dumont-it ka rreth 17,500 banorë.Struktura demografike është sa vijon: të bardhë 75.91%, hispanik apo latin 14.76%, afrikano-amerikan 0.18% dhe të racave të tjera 9.31%. Aty jeton edhe një numër i vogël i shqiptarëve për të cilët nuk kemi të dhëna konkrete, por që me votën e tyre edhe mund të ndikojnë në zgjedhjet e Nëntorit.
Organi i qeverisjes lokale të bashkisë apo komunës së Dumont-it përbëhet nga Kryetari i Komunës dhe Këshilli Bashkiak i cili ka vetëm 6 Këshilltarë, pozita këto të cilat zgjidhen drejtë për drejti nga votuesit në baza partiake në zgjedhjet e përgjithëshme në muajin Nëntor.
Kryebashkiaku zgjidhet me mandat katërvjeçar kurse këshilltarët me mandat trevjeçar. Bashkia ka sistemin e qeverisjes lokale i cili praktikohet në një përqindje të madhe në shtetin e New Jersey-it sipas së cilit fuqinë egzekutive e posedon Këshilli dhe jo Kryetari i Bashkisë. Pra, organin legjislativ e përbëjnë 6 këshillatarët në mbledhjet e të cilëve kryeson kryebashkiaku, por i cili voton vetëm në rastin nëse votat e këshilltarëve janë të ndara në gjysmë.
Me këtë rast dëshiroj të bëj një krahasim: duke pasur parasysh faktin se gjithë kuvendi i bashkisë ( komunës) në fjalë përbëhet vetëm nga 6 këshilltarë, mendoj se sistemi i qeverisjes lokale në disa vende të Ballkanit, me theks të veçantë sistemi i qeverisjes lokale në Mal të Zi ku përfshihet edhe komuna e Ulqinit, mund të mësoj shumë nga mënyra e qeverisjes lokale në SHBA ,por kjo është një temë tjetër.
Në fund,
në listën e përbashkët në zgjedhjet e 6 Nëntorit 2018 për këshillatarë të Bashkisë e cila përbëhet nga tre kandidatë, janë edhe dy bashkëqytetarët e mi,kandidatët Stephen O’Neill dhe Joan Diore.

Me bindjen se do të kem përkrahjen tuaj të plotë, Ju falenderoj paraprakisht !

Xheladin Zeneli
Kandidat për Këshilltarë
Dumont, New Jersey
Shtator 2018

Exit mobile version