Podgoricë, 27 shkurt 2026 — Njësi të policisë malazeze kanë kryer kontrolle në pronat që përdor biznesmeni Aco Đukanović, vëllai i ish-presidentit të Malit të Zi, Milo Đukanović.
Sipas raportimeve të mediave në gjuhën malazeze/serbe, aksioni është zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Themelore në Podgoricë. Kontrollet kanë përfshirë objekte në Podgoricë dhe Nikshiq, ndërsa forcat e rendit kanë rrethuar edhe ndërtesën ku banon Aco Đukanović.
Deri më tani nuk është bërë e ditur nëse gjatë bastisjeve janë konstatuar parregullsi apo nëse do të pasojnë masa të mëtejshme. Autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë mbi arsyet konkrete të aksionit, duke theksuar se hetimet janë në zhvillim.
Aco Đukanović konsiderohet prej vitesh një nga biznesmenët më të pasur në Mal të Zi. Nga ana e tij apo e familjes nuk ka pasur ende reagim publik lidhur me kontrollin e pronave.
Zhvillimet e reja pritet të bëhen publike në ditët në vijim.
— Plava e Gucia Sot

