Bilanci ekonomik dhe politik i partive shqiptare në Mal të Zi
esad
Faji ka emër! Emri i fajit mban emrin e politikanëve shqiptarë Në këto ditë përvëluese të korrikut Ulqini është i mbushur (jo i stërmbushur) me turistë të huaj e të vendit. Kryesisht pushimet veriore në Ulqin i kalojnë ata që Ulqinin e kanë zgjedhur si destinacion të tyre për të kaluar pushimet verore që 30 vjet e më parë, pra ata që janë të dashuruar me natyrën e bukur, plazhet fantastike më rërë të imtë, mikpritjen ulqinake, jetën e natës e ndonjë tjetër. Por, ka edhe mysafirë që për herë të parë takohen me Ulqinin dhe ofertën e tij dhe natyrisht ata janë më kërkues!
Faturat e energjisë elektrike në Komunën e Ulqinit më të lartat në Mal të Zi Ndërkaq, ulqinakët janë të preokupuar me problemet e përditshme ekonomike por edhe politike. Ndodhë që në këto ditë përvëluese të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm! Mund të ndodhë, por arsyetimi se kjo ndodhë për shkak të mungesës së energjisë elektrike është irrituese, por edhe nënçmuese për qytetarët ulqinakë që me rregullsinë më të madhe i paguajnë faturat e energjisë elektrike, si askund tjetër në Mal të Zi. Po, si askund tjetër sepse sipas njoftimit të zyrtarëve të Korporatës Elektroenergjetike të Malit të Zi mesatarja më e lartë e shpenzimit të energjisë elektrike për familje në muajin qershor 2024 (vazhdimisht, pothuajse gjatë gjithë viteve është kështu) pikërisht është në Ulqin. Si është e mundur që ulqinakët shpenzojnë më shumë energji se kryeqendra e turizmit Budva (e krijuar artificialisht në fillim pa parametra përkatëse ekonomike e në dëm të kontributit të Ulqinit), se Tivati në ekspazion e turizëm të lartë apo Herceg Novi, Kotorri e Tivari. A thua ulqinakët janë budallenj apo KEMZ-së dhe politika e Malit të Zi tolerojnë vjedhjen e energjisë elektrike, në shkëmbim të votës apo ndonjë interesi?! Kjo nuk po ndodhë vetëm sivjet, kjo është përhershme! A e kanë ngritur ndonjëherë këtë çështje, jo pak të rëndësishme për xhepat e qytetarit tonë, ekspertët komunalë apo ata që na përfaqësojnë në Parlamentin apo Qeverinë e Malit të Zi?! Nuk kam njohuri se (s’e) kanë bërë, por nëse jo, atëherë këtë e kanë obligim, së paku moral, ndaj zgjedhësve të tyre. Qytetari duhet të mbrohet! Nga ana tjetër shtrohet pyetja pragmatike: Ulqini, sipas statistikave zyrtare është me indeksin e konkurrencës mbi mesataren e Malit të Zi (104,80), qytetarët e saj na qenkan aq të pasur sepse shpenzojnë më së shumti energji elektrike, ndërsa rrezikojnë fitimin e titullit “qytet” në kuptimin administrativ?! A e dini ju politikanë shqiptarë se investimet e KEMZ-së në komunën e Ulqinit janë në një nivel shumë më të ulët, jo vetëm në marrëdhënie me kontributin e qytetarëve, por me investimet në komunat tjera! Plotë 18 vjet KEMZ-ja maltretoi keqas qytetarët e paguesit e rregullt, sidomos të rajonit Kodra deri në Shnjergj. ku mesatarja vjetore e ndërprerjes së rrymës, në shekullin XXI, ishte 2,40 h në ditë, e kjo nuk ngjan as në bjeshkë as në kodrina, por buzë detit! Pra kanë munguar investimet! Politikanë, a e dini se mungesa e investimeve të tilla nga shteti zvogëlon indeksin zhvillimor të komunës përkatëse?!
Dy investime të papërfunduara më shumë se 20 vjet Lexova sot në portalin “Standar”, por edhe në RTVMZ-së se kolonat e automobilave nga Ada në Bunë deri në Ulqin janë kilometrike të gjata. Asgjë e re, pamje të zakonshme e 15 viteve të fundit! Tollovi e trafik në rrugët tona ka kudo. Sikur kilometrat e gjata të krijuara në aksin e përmendur rrugor të vinin si pasojë e mbipopullimit me turistë, vetë turistët dhe qytetarët tanë do e kuptonin këtë fenomen, Por këto ditë Ulqini nuk është aq i stërmbushur me turistë që të shkaktojnë tollovi e çrregullime në komunikacion. Arsyet e kësaj gjendjeje s’kemi ku t’i kërkojmë tjetër, përveçse te ata që janë të obliguar me ligj e kushtetutë të kujdesen për të mirat komunale si pjesë e pandashme e jetës së qytetarëve. E kush tjetër përveç tek ata që mbledhin e mbushin buxhetin shtetëror me të ardhurat që krijojnë qytetarët dhe ekonomia, në rastin konkret në territorin e Komunës së Ulqinit. Pra, mungon infrastruktura rrugore. Edhe portali në fjalë i cekë problemet e kësaj gjendjeje kaotike, edhe pse çdo ulqinaku, turisti të vendit apo të huaj që ndonjëherë e ka vizituar Ulqinin, i është e njohur e ashtuquajtura “ngushticë” që pengon e ngadalëson qarkullimin normal të automjeteve. Investimi i shtetit, ura e madhe përballë komplekseve hoteliere në Plazh të Madh, e lënë përgjysmë, më qëllim apo jo, është “pika e zezë” e aksit rrugor në fjalë dhe turizmit në Ulqin. Edhe në aspektin e sigurimit në komunikacionin rrugor mospërfundimi i lakut rrugor me qasje nga të dy drejtimet paraqet rrezikshmëri për automjetet dhe këmbësoret, pra është obligim që ky projekt të përfundohet. Është papërgjegjësi edhe e politik-bërësve shqiptarë në Mal të Zi. Nuk e di se diku mund të ketë si bulevardi “Teuta” në Ulqin, investim i papërfunduar i shtetit po ashtu për më shumë se 20 vjet! Në anën e majtë të bulevardit në drejtim të urës në fjalë sot e kësaj dite nuk ka trotuar dhe paraqet rrezik permanent për shfrytëzuesit e rrugës, sidomos për këmbësorët! Sa është e arsyeshme kjo gjendje? Mjafton një analizë (cost benefit), por edhe më e thjeshtë, e një periudhe jo më shumë se katërvjeçare e të ardhurave të realizuara nga të gjitha burimet dhe investimeve kapitale në Komunën e Ulqinit. Në periudhën 2019-2023, sipas Bankës Qendrore të Malit të Zi, investimet direkte në Mal të Zi kanë qenë 4,38 miliardë €, prej të cilave vetëm në vitin e fundit 1,15 miliardë! Po sa qindarka nga kjo shumë janë investuar në Komunën e Ulqinit?! Ka mundësi që politikanët shqiptarë në Mal të Zi e dinë këtë shumë, ndërkaq qytetarët e kanë të qartë, për keqardhjen e tyre, se ka zero (0) investime. Në rubrikën “Histori suksesi” (Investitor.me) nuk ka asnjë histori suksesi në trojet shqiptare në Mal të Zi, ndërsa investimet janë një ndër indikatorët kryesorë të indeksit zhvillimor në përgjithësi, prandaj ky indikator mund të jetë i kobshëm për statusin administrative të Ulqinit. Hyrja e mysafirëve apo turistëve në Ulqin bëhet nga dy drejtime tokësore, sepse fatkeqësisht hyrja nga deti, edhe përkundët premtimeve galoponte, nuk është e mundur. Duke mos dashur të nënvlerësoj as hyrjen nga perëndimi (kahja e Tivarit) as nga lindja (kahja e Shkodrës), dua të them se deshëm ne apo jo duhet të pranojmë se kjo nga lindja është, tani për tani, ajo që sjellë më shumë mysafirë apo turistë në Ulqin. Por takimi i parë i mysafirit-turist me qytetin është “mozotmëkeq”! Rruga nga “Kalamper”-i deri të Shtëpia e Shëndetit paraqet rrezik të përhershëm për këmbësorët, sepse edhe këtu mungon trotuari, ka gropa e janë zënë sipërfaqet e lira, kalimi është i vështirësuar. Kjo rrugë as më pak e as më shumë i përngjan një hyrjeje në qytet të shekullit XIX. Pra, dy investime të shtetit në Komunën e Ulqinit në 20 vitet e fundit mbeten të papërfunduara dhe paraqesin rrezik të përhershëm të dyfishtë: Rrezikojnë jetën e njerëzve dhe dëmtojnë rëndë nivelin zhvillimor të Komunës së Ulqinit, duke e lënë të fundit ndër komunat bregdetare, madje rrezikojnë edhe statusin e këtij qyteti mijëvjeçar ilir.
Bilanci ekonomik dhe politik pas 34 vjetëve, nevojë e shqiptarëve. Këto janë probleme ekonomike dhe politike me ndikim direkt në jetën e qytetarëve dhe standardin jetësor të tyre. Kështu duhet të mendojnë politikanët tanë, në këtë frymë duhet të veprojnë. Faji është jetim, por ka emër! Emri i fajit mban emrin tuaj politikanë shqiptarë. Nuk mundet një njeri apo parti e vetme të jetë përgjegjëse për gjendjen tonë, për turizmin tonë të mjerueshëm, për nivelin tonë zhvillimor. Bilanci ekonomik dhe politik është nevojë e kohës, ai duhet të vendoset në fokusin dhe obligimin tuaj politikanë! Të ndarë asgjë, të bashkuar mund të nisim një rrugëtim në të mirën e për të mirën e shqiptarëve në Mal të Zi!