Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Bumerangu i lëçitjes nga trungu kombëtar

Popujt e mençur kanë afruar, integruar dhe asimiluar brenda degëve dhe trungut të tyre grupe të tjera etnike.
Kjo bëri që ata të krijojnë shtete të fuqishme, madje ekspansioniste e hegjemoniste, si dhe të fitojnë epitetin e kombeve të mëdha, të mirë-organizuara e të civilizuara.

Ndërkaq, popujt e pa-mençur kanë përbuzur, lëçitur dhe ndarë nga trungu edhe degët e tyre qenësore etnike.
Në këtë mënyrë ata ia dhanë ajkën më të mirë popujve të tjerë duke i forcuar rivalet kundër vetvetes.
Prandaj, këta popuj inferiore, kurrë njëherë nuk arritën të krijojnë shtete të fuqishme, e mos të flasim për hegjemoni dhe ekspansion eventual kundër të tjerëve.
Përkundrazi, ata u bën pre e krijesave që lindën apo u forcuan nga leqitjet e përbuzura nga vetja e tyre.
Veç kësaj, të tillëve u mbeti nofka e kombeve të vogla, të copëtuara, të keq-organizuara dhe të pa-civilizuara.

Po ku jemi ne shqiptaret si kategori kombëtare?

Teoritë e ndryshme rreth nocionit “komb”, përkundër dallimeve, kanë disa kërkesa përkufizuese të unifikuara. Prej tyre janë: gjuha, tradita, kultura, territori, karakteri psikologjik; të gjitha këto karakteristika të përbashkëta ose të përafërta.
Megjithatë, përkundër zyrtares, thuajse të gjitha “kombet shtete” (nocioni francez) kanë përmbytur dhe asimiluar kategori, grupe, shtresa dhe etni të tjera brenda trungut të tyre, madje edhe duke zhdukur popuj të tere nga faqja e historisë.
Pra tek kjo kategori e kombeve, veç karakteristikave te mësipërme, mungon edhe veçoria e asimilimit, respektivisht, forcës së asimilimit, tjetërsimit dhe ngjizjes së popujve të mundur në trungun e kombit fitues dhe ngadhënjyes mbi ta.
Se në cilën kategori jemi ne shqiptarët, e në cilën fqinjët tanë të mëdhenj (serbët, grekët), kjo nuk do koment.
Ne kemi përqafuar konceptin gjerman të nocionit komb, ama jo edhe mençurinë e tyre.
Gjermanë ka edhe jashtë shtetit të tyre amë, mirëpo ata janë të fuqishëm kulturalisht, ekonomikisht dhe politikisht atje ku jetojnë, qoftë si entitet, qoftë si etnitet.
Kjo nuk vlen për ne shqiptarët; ne jemi dëshmuar të fortë vetëm jashtë trungut-territorit tonë, jo edhe brenda tij.
Dhe këtu nuk është krejt e keqja.
Fatkeqësia më e madhe është se fqinjët tanë morën për mostër konceptin francez për kombin, e qe akoma po tregohet fatal për ne që zgjodhëm kategorinë e nocionit humbës.
E gjithë kjo nuk po na mjafton!
Disa kategori njerëzish nga mesi jonë, që “përcaktojnë” opinionin e brendshëm si dhe rrjedhat kromozomiale të kombit, qofshin ato edhe “Y”, pavarësisht diapazonit të cekët e jo-perspektiv që kanë, marrin kompetenca për të hedhur, për të lëçitur, e për t’ju dhënë të tjerëve gjithçka që është jashtë egos së tyre rreze-shkurtër; madje edhe nëse kjo na kthehet me goditje bumerangu të dyfishtë, qoftë si popull, si komb apo si shtet.

/Adem Breznica, profesor i historisë/

Exit mobile version