Të nderuar qytetarë të Malësisë,
Nga sot pranova, kurse Kuvendi komunal miratoi, pozitën e drejtorit ekzekutiv të ndërmarrjes publike, e cila do të menaxhojë ujësjellësin e kanalizimin, tregun, parkingjet e ndriçimin publik…, kurse do të përkujdeset për mirëmbajtjen e hapësirave publike, varrezave dhe të rrugëve lokale.
Po afrohen 30 vite qëkur i kontribuoj kësaj çështje, me fjalë e shkrime, kurse nga tani, edhe me punë konkrete.
Siç dihet, krejt veprimtarinë time politike ia kam kushtuar realizimit te kerkesës jetike të malësorve për komunë të plotë, prandaj do ta çmoja si të papërgjegjshme cilindo vendim tjetër, përpos të pranoj ofertën dhe kërkesën që mu bë nga subjekti që e drejtoj, LDSH , dhe nga Forumi shqiptar, në të cilin tash sa kohë derdhim një pjesë të identitetit tonë politik.
Mora përsipër këtë përgjegjësi, i prirë nga dashamirësia ndaj Malësisë, me qellim që këtë Malësi ta bëjmë vend më të bukur, e më te mirë për të jetuar, gjithherë duke ruajtur vlerat e trashëguara, e duke vënë në dispozicion të sajë kuadrot më të mirë, të zgjedhur nga gjiri juaj. Kështu, profesionistëve të lamive të ndryshme, u jepet mundësinë e mohuar me vite e dekada, që të punojnë për vendin, e komunën, ku kanë vendosur të jetojnë. Unë ju ftoj sot, të afroheni dhe të angazhohemi të gjithë. Komuna po merr kuptim, prandaj të ndajmë përgjegjësinë, sepse gjeneratat që do të vijnë, fajin do na e hedhin të gjithëve.
Qytetarë të nderuar, suksesi i SHPK “Komunale” pra varet shumë edhe nga ju, prandaj na ndihmoni qe vizioni dhe misioni ynë të jenë edhe tuajt, fillluar nga rrugica juaj e deri te qendra e qytezes sonë; filluar nga oborri juaj e deri te majet e bjeshkëve tona. Tuzi do jet selia e këtij shërbimi, kurse objekt i përkujdesjes çdo pëllëmbë e Malësisë, të barabartë për çdo qytetar, ashtu siç e don shërbimi i parë publik i financuar nga ju, menaxhuar nga ju, e për ju, nga unë, i dëshmuar se parim kam interesin tuaj.
Ne do të kemi kërkesa dhe pritshmëri nga ju, por as ju të mos na kurrseni me kërkesa dhe kritika, sepse vetëm në koalicion me ju, mund të arrijmë që të bëhemi vërtet sherbetorë të mirë të komunës sonë.
Malësia sot ka nevojë për ata që i njohin çdo pëllëmb të trollit të sajë, e jo per ata që përtej trekëndëshit te Tuzit njohin vetem rrugën deri në Podgoricë: ka nevojë për ata që ia njohin hallet, e jo për ata që njohin vetëm interesin; me një fjalë, Malësia ka nevojë për njerëz të ditur, por mbi të gjitha, ka nevojë për Malësidashës.
Në emër të kësaj, në shërbimin tuj!
Nikollë Camaj