Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Dënimet e pasluftës nga Jugosllavia titiste ndaj shqiptarëve të Plavë Gucisë ‘në emër të popullit’ pa prova të fajësisë!

Nga Hajrullah Hajdari

Avdyl Gjonbalaj nga Vuthaj, djali i Husës dhe Galës, e lindur Hasangjekaj, 61 vjeç, menjiherë pas kapitullimit të Jugosllavisë u angazhua në ushtrinë shqiptare dhe mori gradën komandant çete. Prokurori Publik i Qarkut të Bjelo Polës, më 11 maj 1946 kundë tij ngriti aktakuzën nr.371/46   me të cilën akuzohej se si anëtarë i formacioneve policore së bashku me ushtrinë shqiptare, në muajin tetor 1943 kishte marrë pjesë në luftimet kundër partizanëve dhe kjo u cilësua si vepër penale kundër popullit dhe shtetit. Gjyqi Popullor i Qarkut në Bjello Pole, më datën 24 korrik solli aktgjykimin nr.31/46 sipas të cilit Avdyli u shpall fajtor dhe u dënua me 5 vjet heqje lirie dhe humbjen e të drejtava politike dhe qytetare për 1 vjet. Aktgjykimin ishte bazuar në dëshmitë e dëshmitarëve Marija Baboviq,Masha Malagiq, Rexha Hot dhe Vlladimir Dragoviq, por pa i përshkruar dëshmitë e tyre. Shumë dëshmitarë (të gjithë malazezë), sigurisht nën presionin e OZN-ës, gjatë procesit gjyqësor i kishin ndryshuar deklaratat e tyre të dhëna gjatë procesit hetues, duke u munduar në çdo mënyrë të rëndonin të akuzuarin. Dëshmitari Millan Sekulloviq në hetuesi kishte deklaruar se ka dëgjuar, nderësa në procesin gjyqësor deklaroi se personalisht e ka parë të akuzuarin duke ndezë shtëpitë, ndërsa Vlladimir Dragoviqi në hetuesi kishte deklaruar se nuk e ka parë të akuzuarin të ketë  marrë pjesë në djegjen e shtëpiave por ashtu i kishin thënë të tjerët, ndërsa në seancën e nxjerrjes së provave deklaron se ai vetë e ka parë! Deklaratën e kishte ndryshuar edhe Marija Dragoviq. Pra, në procesin kryesor nuk  u provua asnjë fakt direkt i kryerjes së veprës penale nga i akuzuari.. E gjitha kjo e bënë aktgjykimin jo serioz, të manipuluar dhe politik, aq më tepër kur i akuzuari kishte dhënë fakte se nuk kishte marrë pjesë direkte në veprimet për të cilat akuzohet.

Për ngjarjen në fshatin Cecun dhe Gjuliqe u akuzua edhe Rustem Rugova(c), nga Vishnjeva, i biri i Salihut dhe Hyrës, e lindur Qosaj, 42 vjeç. Prokurori Pubkik i Qarkut në Bjello Pole, më 10 maj 1946 ngriti aktakuzën nr.372/46, për veprën penale të paraparë në nenin 3, pika 3 e Ligjit mbi veprat penale kundër popullit dhe shtetit. Rustemi akuzohej se si “vullnetar” ka bashkëpunuar me bandat e Ramo Hotit të cilët në tetor të vitit 1943, në fshatin Cecun dhe Gjuliqe kanë djegur shtëpi e kanë vrarë njerëz të pafajshëm, ndërsa në qershor të vitit 1944 ka marrë pjesë në vrasjen e partizanit Mirko Baboviq! Gjyqi Popullor në Bjello Pole, më 21 janar 1947, solli aktgjykimin nr. KZP.50/46 sipas të cilit Rustem Rugova shpallet fajtor dhe dënohet me  heqje lirije 14 vjet dhe humbjen e të gjitha të drejtave politike dhe qytetare për 2 vjet. Përseri gjatë gjithë procedurës provuese nuk u gjet asnjë provë direkte për kryerjen e veprës penale nga i akuzuari dhe çdo gjë bazohet në parandjenja apo iluzione të caktuara. Dëshmitë e disa malazezëve se nuk e kishin parë të akuzuarin të kryente veprën penale për të cilën akuzohet nuk u morën në shqyrtim. I akuzuari nuk pranoi aktakuzën në asnjë pikë të saj dhe përmendi faktin se në ngjarjen e vitit 1944 ai i kishte ndihmuar të plagosurit duke ibartë me kalin e vet, të cilin fakt në mënyrë indirekte e pranoi edhe një nga të plagosurit. Aktgjykimi u bazua vetëm në dëshmitë e disa malazezëve, çka e bënë ate të manipuluar dhe të politizuar.

Hamo Pjetroviq, tregtar nga Guci, djali i Medos dhe Fatmes, e lindur Mujak, 43 vjeç,u akzua për një spijunazhë qesharake. Në të vërtetë, sipa aktakuzës të Prokurorit Publik nr.116/47, 30 shtator 1947. tregtari në fjalë në prani të Avdyl Balidemaj i kishte shitur 12 bateri për radio Mihailo Bullatoviqit. Tregtari kishte dyshuar se 12 bateri nuk mund të ishin për radion e shtëpisë, si kishte deklaruar blerësi, por sigurisht për ndonjë nevojë më të madhe dhe për këtë arsye e kishte lajmëruar kryetarin e komunës Alim Prushin, pra e kishte spijunuar Bullatoviqin. Nga shkresat e lëndës mund të konstatohet se kjo ngjarje ishte tërësisht e montuar. Bullatoviqi në seancën kryesore deklaroi se bateritë ia ka dhënë Ibroja, i vëllau i Hamos, e më parë kishte deklaruar se në dyqan ishte vetëm Hamoja, ndërsa Avdyl Balidemaj i cili kishte qenë prezent në dyqan deklaroi se Ibroja nuk ka qenë prezent të cilin fakt e vërteton edhe i akuzuari. Megjithatë, Gjyqi me vendimin K.nr.116/47, datë 28 nëntor 1947, të akuzuarin e shpallë fajtor dhe e dënon me 18 muaj burg dhe humbjen e të drejtave politike dhe qytetare për 1 vjet.

Sokol Dedushaj, djali i Sadrisë dhe Sheqerës, e lindur Halilnikaj, 70 vjeç, nga Vuthaj, u akuzua nga Prokurori Publik i Qarkut në Bjello Pole (K.nr.118/47-30 nëntor 1947) për të njëjtën vepër penale si edhe Hasan, Zymer e Sadik Kukaj. Duhet të përmendet se në aktakuzen dhe aktgjykimin kundër Kukajve si datë e aksionit në shtëpinë e Alo Gjurkoviqit dhe vrasjës se pesë malazezëve është marrë 23 korrik 1941, ndërsa në rastin e Sokol Dedushaj për të njëjtën vepër, kundër të njëjtëve njerëz, nga e njëjta gjykatë merret data 20 korrik 1941.Sipas aktakuzës, datë dhe numër si më lart, Sokol Dedushaj është iniciatori dhe ekzekutori kryesor për vrasjen e 5 malazezëve, ndërsa aktgjykimi KZP.nr.9/45 si iniciator kryesor nxjerr Hasan Kukaj i cili shpallet fajtor dhe dënohet me 20 vjet burg. Gjyqi Popullor i Qarkut në Bjello Pole, e pranoi aktakuzën në tërësi dhe më 28 nëntor 1947 solli aktgjykimin K.nr.117/47 sipas të cilit Sokol Dedushaj dënohet më 20 vjet burg dhe 5 vjet heqjeje e të drejtave politike dhe qytetare. Arsyetimi i këtij aktgjykimi është i shkurtër, i thatë dhe i ligësht. Kësaj radhe aktgjykimi bazohet pothuajse në tërësi në deklaratën e gruas të të vrarit Llonçareviq (Sanda) dhe të vrarit Fatiq (Pere), dhe të Alo Gjurkoviqit,dëshmia e të cilit në aktgjykimin 9/45 nuk u pranua si provë,pasi sipas aktgjykimit në fjalë i kishte ndryshuar dëshmitë e dhëna në hetuesi, ndërsa deklaratat e grave apo familjarëve e të vrarëve të tjerë nuk përmenden. I akuzuari nuk e pranoi akuzën duke ofruar fakte se ditën kritike ka qenë i sëmurë në shtëpinë e tij, por gjykata nuk e mori parasysh. E gjithë kjo kontraditë,mungesa e dëshmive të gjendjës faktike, numri i vogël i dëshmitarëve dhe  përmbajtja kontraverze dhe e thatë e aktgjykimit, tregon se dënimi nuk ka për qëllim ndëshkimin e veprës së vërtetë penale, por dënimin sa më të ashpër për të gjithë ata që ndjehen shqiptarë.  

Për kryerjen e vepres penale të paraparë në neni3, pika 3 e Ligjit mbi veprat penale kundër popullit dhe shtetit, e cila tani më ishte bërë e zakonshme për dënimin e shqiptarëve, Prokuria Publike e Qarkut të Bjellopoles më 28 janar 1948, ngriti aktakuzën nr.162/47 kundër Prelë Nikaç, nga fshati Dragijë, djali i Kolës dhe Lules, e lindur Bruçaj, 73 vjeç, Gjelosh Nikaç, nga Guci, djali i Prelës dhe Prentes, e lindur Perkaj30 vjeç, Gjon Nikaç, Dragije,djali i Prelës dhe Prentës, e lindur Perkaj, 24 vjeç, Zef Nikaç, nga Doli, djali i Lulashit dhe Pashkës, e lindur Palushaj, 47 vjeç dhe Gjokë Nikaç, nga Doli, djeli i Dedës dhe Prentës, e lindur Dedivanaj, 40 vjeç. Ato akuzohen se mënjëherë pas kapitullimit të ish-Jugosllavisë në prill të vitit 1941, janë lidhur me fashistat shqiptarë e veçanërisht me famëkeqin Prenk Calin,me të cilin edhe më herët kanë qenë në lidhje dhe së bashku kanë punuar në organizimin e pushtetit fashist në Guci, ndërsa pas ardhjes së trupave fashiste italiane kan punuar në organizimin e formacionit “vullnetarët”. Prelë Nikaç në fillim të gushtit 1941 u emrue komandir apo “kapobandë” dhe ka bashkëpunuar me armikun kundër Luftës Nacional-Çlirimtare,ndërsa në fund të vitit 1944 ishte kapobandë i të gjitha formacioneve të armatosura vullnetare në territorin e Gucisë.Prela akuzohet se banditet e tij kanë marrë pjesë në vrasjen e Beqo Bashiqit, Jusuf Rexhepagiqit,Vojo Novoviqit e Alo Hotit dhe së bashku me  Gjeloshin kanë denoncuar Salih Radonçiqin, Osman Çekiqin dhe Salih Shujakun të cilët më pas janë internuar. Gjoni akuzohet se gjatë luftës i është bashkangjitur “vullnetarëve” dhe për dezertimin nga Brigada e V Malazeze, në të cilën ka qenë i mobilizuar, në janar të vitit 1945. Ndërsa “faji” i Zefit dhe Gjokës ishte se në vitin 1944 u bënë pjesë e formacionit “vullnetarët” dhe kanë marrë pjesë në kapjen dhe vrasjen e Beqo Bashiqit dhe të tjerëve. Ndërkaq, të gjithë akuzohen se në nëntor të vitit 1944 kanë ikur në pyll dhe janë fshehur në territorin e Gucisë dhe Shqipërisë ku kanë qendruar deri në arrestimin e tyre më 24 nëntor 1946.

Nga analiza e dosjeve gjyqësore të rastëve të trajtura më lart është dëshmuar se dënimet dhe vrasjet janë bërë “në emër të popullit”, pothuajse pa asnjë provë për kryerjen direkte të veprës penale kundër popullit dhe shtetit nga të akuzuarit. Përkundrazi çdo aktgjykim kundër të akuzuarëve shqiptarë është bazuar në iluzione të caktuara që më parë nga OZN-a, nën presionin e të cilës gjyqi ishte i detyruar të vendoste. Këto dënime ishin të rrezikshme edhe për faktin se shovenizmi malazez ndaj shqiptarëve në krahinën e Plavës dhe Gucisë ishte shumë i theksuar, kështu që dënimet e tilla e inkuarjonin edhe më shumë OZN-ën! Në letrën e sekretarit të qelisë partiake në Plavë, dërguar Komitetit të Qarkut të LKJ-së në Andrijevicë, më 19 shkurt 1945 ndër të tjera thuhej: “Ende ka shovenizëm i cili i ka rrënjët e thella në popull, sidomos të pravosllavët, ata thellësisht i urrejnë vetëm se janë myslimanë ( e shqiptarë), pa marrë parasysh se a janë apojo të mirë, nuk mund t’i paramendojnë. Urrejtja dhe kërcënimet kanë ndikuar që disa (myslimanë) të arratisën..”. Pra, shqiptarët ishin të detyruar të marrin masa për ruajtjen e trojeve të tyre etnike. Pikërisht shqiptarët u dënuan pse po ruanin veten dhe trojet e tyre! 

Sipas Hasan Gjonbalaj (Vrasjet dhe burgosjet e shqiptarëve në krahinën e Plavës dhe Gucisë, nëntor 1944-dhjetor 1945) nga OZN-a dhe bashkëpunëtorët e tyre janë pushkatuar 114 veta, ndërsa u dënuan me me burg  57 veta. Nga këto të dhëna lirisht mund të konkludojmë se masat dhe veprimet e OZN-ës ndaj shqiptarëve në Mal të Zi, në krahinën e Plavës dhe Gucisë ishin vërtetë më të rënda se kudo tjetër.

Exit mobile version