Site icon PLAVA E GUCIA SOT

“Der Standard”: Grenell shfrytëzon krizën e coronavirusit, sjell trazira politike në Kosovë

Gazeta austriake “Der Standard” i ka kushtuar një shkrim zhvillimeve të fundit në Kosovë, përkatësisht rolit të të dërguarit të posaçëm të presidentit Donald Trump, Richard Grenell, për dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas mediumit austriak, përcjell Telegrafi, “ambasadori i Trumpit për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dëshiron të arrijë një marrëveshje Kosovë-Serbi, me çdo çmim”.

Madje, po sipas këtij mediumi, Grenell po e shfrytëzon krizën e coronavirusit, për të shtyrë një gjë të tillë.

Dhe siç vlerëson ky medium, si pasojë e veprimeve të tij, Grenell ka sjellë trazira politike në Kosovë.

Në shkrimin e “Der Standard”, përmendet edhe vizita e javës së kaluar e ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni nga LDK në Washington, ku u takua me Grenell.

“Nga atje gjërat lëvizën shumë shpejt. Grenell padyshim dëshiron të rrëzojë qeverinë e (Albin) Kurtit në mënyrë që ai të mund të zbatojë shpejt marrëveshjen midis presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe presidentit kosovar Hashim Thaçi”.

Në dy vitet e kaluara, shkruan më tej, “Der Standard”, lobistë të shumtë – përfshirë nga Austri – janë përfshirë në nxitjen e këtij plani, të cilin mediumi austriak e quan jo transparent dhe famëkeq.

“Grenellit ‘i intereson’ vetëm presidenti amerikan Donald Trump, i cili është i vendosur të tregojë një sukses të politikës së jashtme para zgjedhjeve të vjeshtës. Prandaj Grenell supozohet të sjellë një marrëveshje ‘historike’ midis Kosovës dhe Serbisë. Sidoqoftë, kjo nuk është e mundur me kryeministrin aktual Albin Kurti – në mënyrë të shpejtë dhe veçanërisht në mungesën e transparencës. Për sa i përket përmbajtjes, Kurti kurrë nuk do të lejonte një shkëmbim territoresh, bazuar në kritere etnike si pjesë e marrëveshjes, siç duan lobistët rreth Trump”, shkruan “Der Standard”.

Dhe lidhur me zhvillimet e fundit politike në Kosovë, gazeta austriake thotë se “…pas largimit të Agim Veliut nga kryeministri Albin Kurti, një pjesë e LDK-së duan të paraqesin një mocion mosbesimi”.

“Koalicioni midis LDK-së dhe VV-së është tani në një fund. Sepse mocioni i mosbesimit me siguri do të marrë shumicën”, shkruan ndër tjerash mediumi austriak.

Exit mobile version