Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Diploma dymijëvjeçare e ushtarëve që luftuan edhe në Dardani

Fragmenti i pjesës së përparme të dipolomës ushtarake të gjetur në Rashçë

Fragmenti i pjesës së përparme të dipolomës ushtarake të gjetur në Rashçë

NJË ZBULIM I RRALLË I ARKEOLOGJIK  NGA RASHÇA E SHKUPIT

Diplomat ushtarake të kohës romake janë gjetje mjaftë të rralla në vendet e rajonit e më gjërë, ndërsa në rajonin e Scupit, ku në fillim të mijëvjeçarit të parë të erës sonë ishte e vendosur një qendër e madhe e ushtrisë romake pos kësaj është gjetur vetëm edhe një dokument i këtillë epigrafik që është edhe dokument i rëndësishëm juridik.

Naser FERRI

Një fragment i diplomës ushtarake prej bronci me dimensione: 15 x 12 x 0,2 cm. e kishte  gjetur z. Abedin Krosi, arsimtar i pedagogjisë ne pension, mes viteve 1986 dhe 1990 rastësisht në fshatin Rashçë, komuna e Sarajit, në rajonin e Shkupit, afër shkollës fillore të fshatit, në lokalitetin e quajtur “ara e Shaban Likës”. Prej kohës së gjetjes e deri tash z.Krosi e kishte ruajtur me xhelozi këtë gjetje në shtëpinë e tij familjare në të njëjtin fshat.Ky fragment me tekst në gjuhë latine të skalitur mbi të është  vetëm një pjesë e diplomës ushtarake, e cila në origjinal duhej të ishte e përbërë nga dy pllaka të shpuara me nga tri vrima dhe të lidhura mes veti me tel.

Përmbajtja e tekstit

Teksti me shkronja të madhësisë 7 mm,nuk është komplet dhe nga ai janë ruajtur 17 rreshta, është i skalitur  në fushën e profiluar me shkronja të bukura kapitala në faqen e parë  horizontalisht, ndërsa në anën tjetër i njëjti tekst është shkruar në 14 rreshta (mungon një pjesë e tekstit) me shkronja më të thjeshta vertikalisht.Diploma është e punuar në mënyrë tejet kualitative prej bronci të cilësisë së lartë dhe për këtë arsye nuk është ndryshkur kështu që  në të dyja anët pjesët e ruajtura të tekstit janë mjaft mirë  të lexueshme edhe pse në shpinë është i dëmtuar dhe mungojnë pjesët e tekstit.

Teksti në faqen e parë të diplomës është i skalitur me shkronja të mëdha të shtypit, lehtë të lexueshme dhe të bukura kapitala:

1IMP CAESAR VESPASIANVS AVGVSTVS

PONTIFEX MAXIMVS TRIBVNIC POTESTAT

VIIII IMP XVIIII PP CENSOR COS VIII

PEDITIBVS ET EQVITIBVS  QVI MILITANT IN CO

5 HORTIBVS SEX I CRETVM I ET II BRACARAV

   GVSTANORVM II CALCHIDENORVM VII GALLO

RVM VBIORVM QVAE SVNT IN MOESIA SVB SEX

VETTVLENO CERIALE QVI QVINA ET VICENA STI

PENDIA AVT PLVRA MERVERANT ITEM REMI

10GIBVS QVI MILITANT IN CLASSE QVAE EST IN

   PROVINCIA EADEM SVB EODEM QVI SENA ET VI

CENA STIPINDIA AVT PLVRA  MERVERANT QVO

RVM NOMINA SVBSCRIPTA SVNT IPSIS LIBE

RIS POSTERISQVE EORVM CIVITATEM

15DEDIT ET CONVBIVM CVM VXORIBXS QVAS TVNC

   HABVISSENT  CVM EST CIVITATAS IIS  DATA AVT  SIQVI

……………………..SQVAS……………………………..

Në rreshtin 12 është shënuar gabimisht STIPINDIA në vend të STIPENDIA (nominativus pluralis -emërorja e shumësit  nga stipendium= page vjetore e ushtarëve),  në rreshtin 10 E në vend të F, dhe në rreshtin 15 CONVBIUM në vend CONNVBIVM (trajta e drejtë), e gabim mund të jetë edhe numri XVIIII në rreshtin  e tretë të tekstit.

Teksti lexohet si vijon:

Imperator Caesar Vespasianus Augustus/pontifex maximus tribunicia potestate/VIIII imp(erator) XVIIII P(ater) P(atriae), censor co(n)s(ul) VIII/. Peditibus et equitibus qui militant in co/5hortibus sex I Cretum I et II Bracarau/gustanorum II Calchidinorum VII Gallo/rum (I?) Ubiorum quae sunt in Moesia sub Sex(to)/ Vettuleno Ceriale, qui quina et vicena sti/pendia aut plura merverant, item remi/ 10gibus qui militant in class(is) F(laviae)quae est in/ provincia eadem sub eodem qui sena et vi/cena stipendia aut plura merverant qvo/rum nomina subscripta sunt ipsis libe/ris posterisque eorum civitatem/ 15dedit et con(n)ubium cum uxoribus quas tunc/ habuissent cum est civitas iis data aut siqui /caelibes essent cum iis postea duxissent dum taxat singulii singular Ante Diem…).

Për shkak të dëmtimit rreshti 17 dhe përfundimi i tekstit në këtë faqe janë rekonstrukuar në bazë të analogjive më diploma të tjera ushtarake të lëshuara në kohën e perandorit Vespasian).

Përkthimi i teksit është :

Perandori Cesar Vespasian Augusti, kryeprift, me pushtet të tribunit për të nëntën here, Imperator për të gjashtën here, Baba i Atdheut, censor, konsul për herë të tetë, këmbësorëve dhe kalorësve të cilët kanë shërbyar në gjashtë kohortat: I Cretum I Bracaraugustanorum, II Bracaraugustanorum, II Calchidenorum, VII Gallorum, Ubiorum (ndoshta cohors I Ubiorum) në Mezi nën komandën e Sextus Vettulenus Cerialis, të cilët kanë fituar (merituar) 25 e më shumë paga vjetore e po ashtu edhe rremëtarëve (galeotëve) të cilët kanë shërbyer 26 ose më shumë vite në flotën Classis Flavia Moesica, nën komandantin e njëjtë, emrat e të cilëve janë të shënuara më poshtë (Perandori Vespasian i liron dhe), ua jep atyre, fëmijëve dhe pasardhësve të tyre të drejtat qytetare romake dhe të drejtën në martesë ligjore me gratë të cilat i kishin pasur para ditës kur iu është dhënë civiteti ose nëse janë beqarë me ato gra me të cilat janë martuar (pas demobilizimit) ose do të martohen më vonë.

Në faqen tjetër është i skalitur po i njëjti tekst, por në drejtim horizontal me shkronja të kualitetit më të dobët dhe më pak të bukura se në faqen e parë :

 

1IMP CAESAR VESPASIAN…

PONTIFEX MAXIMVS TR….

VIIII IMP XVIIII PP C….

PEDITIBVS ET EQVITIBVS  QV…..

5TIBVS SEX I CRETVM I ET II BR….

RVM II CALCHIDENORVM V……

RVM VBIORVM QVAE SVNT IN MOESIA …..

CERIAL E QVI QVINA ET VICEN….

PLVRA MERVERANT ITEM RE…

10LITANT IN CLASSE QVAE ES…..

DEM SVB EODEM QVI SENA ET V…

AVT  PLVRA  MERVERANT Q….

SVBCRIPTA SVNT  IPSIS

dhe mungojnë katër rreshtat e fundit respektivisht  pjesa vijuese e tekstit:

( LIBERIS POSTERISQVE EORVM CIVITATEM

DEDIT ET CONVBIVM VXORIBXS QVAS TVNC

HABVISSENT  CVM EST CIVITATIS DATA AVT  SIQVI

CAELIBES ESSENT CVM IIS QVAS POSTEA DVXISSENT DVM TAXAT SINGVLI

SINGVLAS A(nte) D(iem)…).

Fragmenti i pjesës së pasme të dipolomës ushtarake të gjetur në Rashçë

 

e po ashtu në të dy pjeset mungojne  të dhënat e datimit sipas çiftit të konsujve, dëshmia që vërteton origjinalitetin e dokumentit (të kopjuar nga pllaka e bakrit në kodrën Kapitol të Romës dhe të vërtetuar) emrat, firmat, vendbanimet si dhe të dhënat tjera personale të dëshmitarëve (zakonisht origjinalitetin e dokumentit e garantonin 7 sosh) të cilat, pa dyshim,  duhet të kenë qenë të shënuara në pllakën tjetër e cila nuk është gjetur,

 

Diplomat ushtarake-dokumente të rëndësishme juridike

Diplomat ushtarake (diplomata militaria) pos që janë artefakte epigrafike, në fakt paraqesin dokumente të rëndësishme juridike të karakterit publik meqë ishin çertifikata zyrtare që lëshohëshin të bazë të dekreteve perandorake, me të cilat dëshmohej shërbimi i përfunduar ushtarak dhe më të cilët ushtarëve të liruar të njësiteve ndihmëse dhe të marinës luftarake (pas përfundimit të shërbimit ushtarak (veteranëve) u garantohëshin shumat e fituara (stipendia) gjatë shërbimit, të drejtat e caktuara dhe beneficionet e tjera të fituara me rastin e demobilizimit (të drejtat qytetare dhe eventualisht përfitimet tjera materiale në patundshmëri apo në të holla).Pas përfundimit të shërbimit ushtarak, ushtari peregrin (i huaj, me origjinë joromake), tashmë i demobilizuar,  i cili me rastin e rekrutimit i kishte pranuar të gjitha kushtet e parapara të shërbimit ushtarak, e në mesin e tyre edhe mënyrën e jetesës romake dhe gjuhën latine si dhe formulën onomastike romake me tri emra (praenomen, nomen gentile ose gentilicium, cognomen) i fitonte të drejtat qytetare romake (civitas), të drejtën e martesës ligjore (ius connubium ose connubii) dhe beneficionet tjera eventuale varësisht nga meritat e tyre gjatë shërbimit apo edhe nga mëshira e disponimi i perandorit i cili i lironte me dekret (zakonisht 75 deri 100 denarë argjendi shpërblim shtesë pos pagave të fituara vjetore).

Këto llojë dokumentesh gjatë një periudhe të caktuar kohore u lëshohëshin ekskluzivisht ushtarëve që shërbenin në njësite ndihmëse (alae, cohortae) dhe në flotën e marinës luftarake perandorake, ndërsa ushtarët e legjioneve nuk kishin nevojë për dokumente të këtilla meqë kushti kryesor për shërbim në legjione ishte të janë qytetarë me të drejta qytetare romake dhe me rastin e lirimit automatikisht fitonin të drejtën e martesës ligjore nga e cila për një kohë të caktuar ishin të privuar.

Ekziston mendimi që diplomat ushtarake nuk i gëzonin të gjithë ushtarët e njësiteve ndihmëse dhe të gjithë pjesëtarët e marinës luftarake  por vetëm ushtarët e merituar „ab virtutem“, meqë përndryshe numri i zbuluar i diplomave ushtarake do të kishte qenë shumë më i madh.Ka mundësi edhe që diplomat me shpesh i janë lëshuar ushtarëve pjesëtarë të kalorësisë meqë ata ishin më shumë të angazhuar nëpër fhata luftarake dhe për këtë arsye kishin edhe më shumë mundësi ta dëshmojnë guximin dhe aftësitë luftarake dhe në bazë të angazhimit e meritave luftarake edhe kishin më shumë mundësi për tu shpërblyer me diploma.

                         Historiku dhe koha e përdorimit të diplomave ushtrake

Sipas burimeve historike ushtria romake, e cila  e kishte krijuar Perandorinë e shkëlqyer Romake,  ishte bërë institucion profesional shtetëror me pagesë pas reformave të konsulit Gaius Marius (157-86), gjatë periudhës së  Republikës Romake (509-27 p.e.s.), respektivisht në vitin 107 p.e.s., ndërsa  diplomat ushtarake kishin filluar të lëshohen në kohën perandorake gjatë sundimit të perandorit Klaud (Claudius, 41-54 të erës sonë), dhe çdo vit Gjyqi Suprem Perandorak u lëshonte diploma një numri të caktuar të ushtarëve të liruar nga shërbimi ushtarak.Gjatë periudhës së sundimit të perandorit Vespasian puna rreth ndarjes së diplomave kishte kaluar nga Roma nëpër zyrat e administratës provinciale.Duke filluar nga koha e sundimit të perandorit Hadrian (Hadrianus, 117-138) teksti i zakonshëm deri atëherë u desht të modifikohej, meqë nga koha e tij në njësitet ndihmëse kishin filluar të pranohen rekrutet të cilët qysh më herët i gëzonin të drejtat qytetare romake, kështu që diplomat ushtarake në atë kohë garantonin vetëm fitimin e të se drejtës në martesë ligjore.

Ndarja e diplomave ushtarake ishte ndërprerë gjatë sundimit të perandorit Komod (Commodus, 180-192) për pjesëtarët e këmbësorisë dhe kalorësisë ndërsa për pjesëtarët e flotës të marinës  luftarake perandorake dokumentet e këtilla kishin vazhduar të lëshohen deri në shekullin III të erës sonë, respektivisht deri në publikimin e ediktit Constitutio Antoniniana të perandorit Karakala (Caracalla, 211-217) të vitit 212 më anë të te cilit iu ishin shpërndarë të drejtat qytetare romake të gjithë qytetarëve të lirë të Perandorisë Romake, kështuqë ndarja e të drejtave qytetare me anë të diplomave e kishte humbur kuptimin  fare dhe diplomat kishin dalur definitivisht nga përdorimi.

Edhe pse në përgjithësi janë grup mjaft i rëndësishëm i mbishkrimeve, në Mezi të Epërme pjesë e cilës ishte Dardania në kohën romake, diplomat janë gjetur në numër të kufizuar dhe shpeshherë jokomplete (mungon njëra ose tjetra nga 2 pllakat) diplomash nëpër qendra të mëdha ushtarake (Viminacium, Singidunum, Scupi).

Pos fragmentit të diplomës ushtarake të gjetur më Rashçë, në territorin dardan është gjetur edhe një fragment i diplomës tjetër i zbuluar në vitin 2009 po ashtu në Scupi, që daton nga koha e perandorit Antonin Piut (Antoninus Pius, 138-161) respektivisht nga viti 151 të erës sonë.

Në pllakën tjetër, e cila mungon në rastin tonë, duhej të ishin të shenuara të drejtat e fituara (duke përfshirë të drejtën në martesë legjitime -ius connubium, madje edhe me gra pa të cilat nuk kishin drejta qytetare), po ashtu dëshminë e origjinalitetit DESCRIPTVM ET RECOGNITVM EX TABVLA AENEA QVAE FIXA EST ROMAE IN CAPITOLIO  IN PODIO ARAE GENTIS IVLIAE (përshkruar dhe verifikuar nga pllaka e bakrit e cila është e vendosur në  Kapitol të Romës, në bazamentin e altarit të fisit Julius) si dhe emrat, vulat dhe shënimet mbi identititetin dh origjinën  e 7 dëshmitarëve garantues). Për fat të keq as emrat e ushtarëve, e as emrat e çiftit konsullor si dhe emrat e dëshmitarëve –garantues të origjinaltetit të këtij dokumenti nuk janë ruajtur në gjetjen nga Rashqa, meqë mungon pllaka tjetër e diplomës me tekst në të cilin këto të dhëna kishin qenë të shënuara.

Komandanti që përmendet në këtë diplomë kishte qenë Sex(tus) Vettulenus Cerialis,  (në tekst emri i tij është në rasën dhanore: Sex.Vettuleno Ceriali)  gjatë kohës së  sundimit të perandorit Vespasian kishte qenë së pari guvernator dhe komandant ushtarak në provincën e trazuar Palestina, ku kishte luftuar kundër hebrenjëve dhe ku përmendet në tekst të një mbishkrimi të vitit 67 të erës sonë, kurse prej aty kishte arritur në Mezi në vitin 69/70 si komandant i Legio V Macedonica e cila ishte rikthyer në Mezi pas pjesëmarrjes në luftën kundër hebrenjve në Jude, respektivisht pas shuarjes së kryengritjes së madhe të hebrenjve dhe pas shkatërrimit të shtetit hebraik.Si duket perandori  Vespasian, fal meritave të tij në këtë luftë, e kishte avancuar këtë komandant ushtarak  në post të guvernatorit (legatus) të Mezisë meqë Vettulenus Cerialis përmendet si komandant ushtarak dhe guvernator i provincës në një diplomë ushtarake  nga Taliatae (Donji Millanovac, Serbi) të vitit 75  si dhe në një tjetër diplomë nga Debelc (Bulgari)  të vitit 82 të erës sonë, dhe këto poste i kishte mbajtur deri në vitin 86 kur si guvernator i Mezisë përmendet Caius Oppius Sabinus.

Njësitet në të cilët kishin shërbyer ushtarët e pensionuar

Gjashtë njësite ushtarake në të cilat kishin shërbyer ushtarët e liruar përmendën në tekstin e kësaj diplome: Cohors I Cretum (ushtarët e cilës ishin rekrutuar në Kretë të Greqisë), I Bracaraugustanorum dhe II Bracaraugustanorum (të dyja këto të rekrutuara në Hispani, respektivisht në territorin e Portugalisë së sotme), II Calchidinorum (me ushtarë të rekrutuar nga siujdhesa në Greqi Veriore), VII Gallorum (me ushtarë nga Galia-Francë), Ubiorum (ndoshta cohors I Ubiorum e rekrutuar nga fisi Ubii në Germani të Poshtme) si dhe Flota (marina) luftarake danubiane.Kohortat ndihmëse të ushtrisë romake i kishin nga 480 ushtarë (pas vitit 82 të erës sonë nga 1000 ushtarë) këmbësorë (pedites) ose kalorës (equites) dhe për shërbim në këto njësite rekrutoheshin ekskluzivisht qytetarët e Perandorisë pa të drejta qytetare romake, të cilat i fitonin pas kryerjes së shërbimit. Në njësite ndihmëse rekrutoheshin ushtarët nga territoret e fiset e caktuar por sipas nevojës këto njësite plotësoheshin edhe me ushtarë të rinj nga vendet ku shërbenin.

Në diplomë bashkë me këmbësorët e kalorësit e 6 kohortave, përmendën edhe ushtarët e demobilizuar të flotës luftarake perandorake (Classis Praetoria), respektivisht rremëtarët e pjesës së saj lumore Classis Flavia Moesica (e cila kishte vepruar në lumin Danub në Mezi si pjesë e Legio VII Claudia, me detyra të vëzhgimit, furnizimit dhe të përkrahjes së njësiteve tokësore), komandant i së cilës kishte qenë po ashtu Sextus Vettulenus Cerialis, si komandant i suprem ushtarak dhe guvernator i provincës Moesia (Mezia). Kjo flotë ishte themeluar fill pas themelimit të provincës Mezia (në kuadër të te cilës kishte hy territori i ish Mbretërisë Dardane në kohën e sundimit të perandorit August (27 p.e.s.-14 të e.s.), ndërkaq dukët se epitetin Flavia e kishte fituar në kohën e perandorit Vespasian dhe ky mund të jetë rasti më i hershëm ku flota lumore danubiane e Mezisë përmendet si Classis Flavia.

Rëndësia e dokumenteve të këtilla

Origjinali i çdo diplome ushtarake ruhej në Romë ndërsa secili veteran  me rastin e  pensionimit  të rregulltë (honesta missio- pensionim i rregulltë me ndër, për dallim nga missio ignominosa- largim i turpshëm nga ushtria, si ndëshkim për shkelje të rënda të rregullave të shërbimit, pa fitim të te drejtave qytetare dhe të benefiteve të tjera ) e merrte nga një kopje për nevoja personale.

Pjesën e parë të teksit të çdo diplome ushtarake e bënte cursus honorum i perandorit aktual i cili i kishte demobilizuar, liruar  dhe pensionuar ushtarët dhe ua kishte dhënë të drejtat qytetare, emri i njësitit ose i njësiteve  në të cilët kishin shërbyer ushtarët, emri i komandantit ushtarak nën të cilin kishin shërbyer,  dëshmia mbi përfundimin e shërbimit 25 (për këmbësorë dhe kalorës nëpër kohorta ndihmëse) ose 26 vjeçar për marinarë, këmbësorë e rremtarë të marinës perandorake, shërbimi në të cilën konsiderohej i nivelit më pak prestigjioz (meqë në marinë rekrutohëshin qytetarët e lirë nga shtresat më të ulta shoqërore por edhe skëllëvërit e liruar) në krahasim me shërbim në gardën elite pretoriane (cohortes praetoriae-njësite të truprojave personale të perandorit në të cilën bënin pjesë ushtarët më të mirë të përzgjedhur nga e tërë ushtria romake ku shërbehej vetëm 16 vite dhe kishte mjaft beneficione të tjera), ose në legjione e në njesite ndihmëse të ushtrisë romake.Pas kësaj shënohëshin të drejtat e fituara qytetare romake për ushtarët dhe pasardhësitë e tyre duke përfshirë edhe ius connubi, të drejtën në martesë legjitime, pas kësaj emri i ushtarit (veteranit, në diploma të lëshuara ekskluzivisht vetëm një ushtari- zakonisht oficeri apo nënoficeri) ose i veteranëve të liruar bashkërisht si  në rastin e diplomës tonë (e cila është dokument kolektiv mbi lirimin nga ushtria i një numri të konsiderueshëm të ushtarëve dhe pjesëtarëve të marinës), me të dhëna identifikuese dhe me emra të vendlindjeve të tyre. Para fundit shënohej dita, muaji dhe emrat e çiftit konsulor si datim i saktë i dokumentit  dhe emrat e 7 qytetarëve të lirë me të drejta qytetare romake, të cilët dëshmonin dhe garantonin origjinalitetin e dokumentit (diplomës).Teksti i diplomave zakonisht përfundonte me cekjen e vendit ku rruhej origjinali i diplomës në fjalë (kodra Kapitol në Romë).

Përndryshe, gjetjet e diplomave ushtarake janë më të shpeshta në territorin e provincës së Panonisë dhe buzë lumit Danub, ku për një kohë të gjatë  pos legjioneve VII Claudia e IV Flavia, ka qëndruar edhe një numër i madh ushtarësh i njësiteve ndihmëse dhe i flotës së marinës luftrake romake  me qëllim të mbrojtjes së kufinjve të Perandorisë.

Veçoritë e diplomës ushtarake nga Rashça

Diploma e gjetur në Rashçë të Shkupit është një dokument i përbashkët (kolektiv) mbi lirimin nga ushtria dhe pensionimin e një numri të caktuar të ushtarëve, emrat e të cilëve për fat të keq, si edhe emri i pronarit të diplomës, nuk janë ruajtur meqë mungon pllaka tjetër e diplomës me emra të ushtarëve.

Pas përfundimit të  shërbimit të rregulltë profesional usharak ushtarët e liruar kishin mundësi ti vazhdojnë kontratat e veta të shërbimit dhe ta vazhdojnë shërbimin ushtarak në njësite të posaçme të veteranëve, meqë duke marrë parasysh faktin që ushtarët e rrinj rekrutohëshin në moshën 17-18 vjeçare dhe se pas kryerjes së shërbimit të rregulltë (16, 25 ose 26 vjeçar),  arrinin moshën  33-35 ose 42-44 vjeçare (varësisht nga gjinia e ushtrisë) dhe formën e mirë fizike elemente këto të cilët ua krijonin kushtet për ta ushtruar këtë profesion edhe disa vite të tjera të ardhshme.Oficerëve të lartë ndërkaq karriera ushtarake ua hapte dyertë e karrierës së mëtutjeshme në administratë shtetërore ku kishin mundësi të ushtrojnë poste të larta  e madje edhe ta arrijnë fronin perandorak siç kishte shumë raste të njohura, madje edhe meperandorë ish-ushtarë me origjinë iliro-dardanë (Deci, Klaudi II, Kvintili, Aureliani, Probi, Konstantini I, Konstantini II, Joviani, Valentiniani,Valensi, Diokleciani, Justini I, Justiniani e mjaft të tjerë)

                                Datimi i diplomës dhe përkatësia etnike e ushtarit-pronarit të saj

Edhe pse mungojnë dita, muaji i lirimit dhe emrat e konsujve që janë element i sigurt për datimin e një dokumenti të këtillë, në bazë të të te dhënave nga teksti, respektivisht në bazë të cursus honorum të perandorit Vespasian.

Përndryshe perandori Vespasian (69-79 të erës sonë) i cili përmendet në këtë diplomë, emri i plotë perandorak i të cilit ishte IMP CAESAR VESPASIANVS AVG dhe IMP VESPASIANVS CAESAR AVG, kishte ushtruar postin e tribunit për herën e nëntë (Trib pot VIIII ) nga 1 janari deri më 1 korrik të vitit 76 të erës sonë, Imperator kishte qenë për herë të nëntëmbëdhjetë në vitin 78 dhe në postin e konsulit ishte zgjedhur për herë të tetë në vitin 76 të erës sonë.

Koha kur perandori Vespasian kishte qenë tribun VIIII dhe  konsul VIII  nuk  korrespondon me vitin kur ka qenë Imperator XVIIII, gjë që mund të jetë edhe pasojë e ndonjë gabimi teknik-ortografik) dhe diploma mund të datohet mes 1 korriku 76 dhe 1 korriku 77 të erës sonë.

Meqë ushtarët e demobilizuar të zgjedhur (sipas meritave) e merrnin nga një ekzemplar të diplomës si dëshmi të obligimeve të kryera dhe të beneficioneve të fituara, mund të supozohet se pronari i kësaj diplome mund të ketë qenë ushtar me origjinë dardane, i cili me merita e me sukses të dalluar kishte kryer shërbimin ushtarak në ndonjërën nga 6 kohortat e përmendura, dhe pas përfundimit të shërbimit profesional ushtarak (25 vjeçar ose më shumë) ishte kthyer në vendlindje me vetëdeshirë  ose sipas urdhrit perandorak për të qenë rezervë ushtarake në rast të ndonjë rreziku apo ndonjë tjetër nevoje eventuale.

Vlen të përmendet se në fshatin Rashçë,  në afërsi të lokalitetit ku ishte zbuluar diploma në fjalë, gjendën dy tuma  ilire të quajtura “Tumat e Rashçës”, të pahulumtuara, njëra nga të cilat është dëmtuar me rastin e hapjes së rrugës së fshatit dhe edhe sot vërehen gurët nga konstruksionet e varreve dhe eshtrat njerëzore të shkapërderdhura brenda saj.

Po ashtu në oborrin e z.Abedin Krosit gjenden edhe tri stela mjaft të dëmtuara  mbivarrore me tekste vështirë të lexueshme në gjuhën latine, e pos këtyre në këtë fshat janë gjetur edhe gjetje të tjera rasti, gjë që dëshmon pritjet dhe mundësinë e zbulimeve të reja arkeologjike gjatë gërmimeve sistematike apo të rastit në këtë lokalitet të rëndësishëm.

Një pllakë e ruajtur e diplomës ushtarake (tjetra mungon) nga Muzeu Arkeologjik i Zagrebit me të cilën ishin liruar ushtarët që kishin shërbyer

 

 

Exit mobile version