Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Diskriminimi i shqiptarëve edhe në përdorimin e simboleve

Shqiptarët në Republikën e Serbisë që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc vazhdojnë të përballen me diskriminim, pasi mungon rregullimi ligjor për përdorimin e simboleve kombëtare.

Shumë qytetarë të kësaj krahine shqiptare përballen nëpër gjykatat serbe për përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar. Përdorimi i simboleve kombëtare nga shqiptarët në Serbi është një e drejtë njerëzore, kombëtare dhe ekzistenciale, por ende nuk është rregulluar me dispozita ligjore. Kjo situatë vazhdon të theksojë diskriminimin, edhe në këtë aspekt kaq themelor.

Moslejimi i përdorimit të simboleve kombëtare përbën një shkelje, cenim dhe mohim të së drejtës elementare individuale dhe kolektive të shqiptarëve të kësaj krahine. Kjo ndodh përkundër faktit se më 1 dhe 2 mars të vitit 1992 u organizua referendumi për autonominë e shqiptarëve dhe, më vonë, ndodhi lufta e armatosur ndërmjet UÇPMB-së dhe forcave të qeverisë së Republikës së Serbisë.

Krahina shqiptare e mbetur padrejtësisht nën administrimin e Serbisë përballet me diskriminim të shumëfishtë. Diskriminimi manifestohet në:

Pasivizimin e adresave, një formë e heshtur e spastrimit etnik.

Përfaqësimin institucional, si në institucionet lokale ashtu edhe në ato qendrore të Serbisë.

Zinxhirin komandues të policisë, gjykatat, prokurorinë dhe administratën tatimore.

Kulturë dhe informim, si dhe në investimet për zhvillimin ekonomik.

Mungesën e një universiteti publik në gjuhën shqipe dhe mosnjohjen e diplomave nga Republika e Kosovës.

Simbolet e identitetit shqiptar gjithashtu mbeten të cenueshme. Vendosja e shtatores së Skënderbeut në qendër të Bujanocit nuk lejohet, dhe Lapidari i UÇPMB-së, i hequr me forcë nga policia në Preshevë, ende nuk është kthyer në vendin e vet. Gjithashtu, mungon një institut për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike të shqiptarëve.

Krahina shqiptare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit është një ndër rajonet më të pazhvilluara dhe më të diskriminuara në gjithë Evropën.

Për më tepër, çështja e statusit politik të shqiptarëve të kësaj krahine mbetet e pazgjidhur. Për këtë arsye, diskriminimi vazhdon jo vetëm në përdorimin e simboleve kombëtare, por në të gjitha fushat e jetës.

Autori i vështrimit është Refik Hasani.

Exit mobile version