Në kuadër të “Ditës së shqipes”, në Rozhajë, është mbajtur një program i pasur kulturo-artistik.
Përgjatë këtij programi, u bë edhe promovimi i librit “Rrugëtimi i shqiptarëve të Rozhajës për mbijetesë nëpër kohë”, të autorëve Faruk dhe Kenan Daci.
Para të pranishmëve, fjalë rasti pati veterani i arsimit në Malësinë e Rozhajës – njëherësh recensent i librit “Rrugëtimi i shqiptarëve të Rozhajës për mbijetesë nëpër kohë”, z. Sokol Daci, sipas të cilit, u vlerësua lartë puna dhe përkushtimi i vëllezërve Daci, për zbardhjen e historisë së shqiptarëve që jetojnë në Malësinë e Rozhajës.
Bashkautori i librit “Rrugëtimi i shqiptarëve të Rozhajës për mbijetesë nëpër kohë”, z. Kenan Daci, tha se realizimi i këtij libri, ishte një rrugë e gjatë, por falë përkrahjes së bibliotekës kombëtare të Tiranës, Malit të Zi dhe atë të arkivit të Pejës, ia dolën mbanë për finalizimin e këtij libri.
Mes tjerash, autori i dytë i këtij libri z. Faruk Daci, pasi i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje, sponsorët për mbështetjen dhe komunën e Rozhajës për përkrahjen e vazhdueshme për finalizimin e këtij libri, deklaroi se populli shqiptar dha dhe vazhdon të jap kontribut për komunën e Rozhajës.
Për ta madhështuar promovimin e librit të vëllezërve Daci dhe të aktivitetit tashmë tradicional të “Ditës së shqipes”, në Rozhajë, është përkujdesur edhe ansambli folklorik autokton “Rugova”, me prezantimin e disa pikave.