Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Dr.Nail Draga: ROLI I AUSTRO-HUNGARISË NË SHKOLLIMIN SHQIP NË MAL TË ZI (1916-1918)

1. Hyrje

Për opinionin e gjerë është e njohur se pas vendimeve të Kongresit të Berlinit (1878), vise dhe vendbanime shqiptare iu dhuruan Malit të Zi. Një veprim i tillë ndodhi edhe pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912/13), sepse kufiri i Malit të Zi u zgjerua nga lindja duke aneksuar territore të reja të cilat ishin të banuara me popullsi shqiptare. Me vendosjen e administrimit të ri, pushteti malazez çështje parësore kishte ndryshimin e strukturës etnike të popullsisë, duke marrë parasysh se shqiptarët ishin homogjenë në viset e tyre autoktone.

Andaj, për t’ia arritur qëllimit, pushteti aktivizoi dy metoda: kolonizimin e viseve dhe vendbanimeve shqiptare, si dhe asimilimin përmes arsimimit në gjuhën sllave. Të vetëdijshëm për rrethanat e krijuara, shqiptarët u përpoqën të rezistonin sa kishin mundësi, por një numër i konsiderueshëm u shpërngulën duke u vendosur në Shqipëri, kryesisht në Shkodër.

Por, në rrethana të reja gjatë Luftës së Parë Botërore, në viset shqiptare në Mal të Zi, Monarkia Austro‑Hungareze hapi shkollat e para në gjuhën shqipe. Ishte ky një veprim i qëllimshëm i pushtetit për të fituar simpatinë e shqiptarëve, që pati jehonë pozitive në aspektin arsimor, kulturor e kombëtar, sepse në shkollat e hapura nga Ulqini e deri në Rozhajë tingëlloi bukur gjuha shqipe si asnjëherë më parë. Një veprim i tillë për shqiptarët nuk ishte befasi, duke marrë parasysh rolin vendimtar të Monarkisë Austro‑Hungareze në Pavarësinë e Shqipërisë.

Përveç literaturës së konsultuar, burim i veçantë është edhe gazeta Posta e Shqypnies (1916–1918) që dilte në Shkodër, me kryeredaktor P. Gjergj Fishtën, e cila ka përcjellë me kujdes ngjarjet e ndryshme, e në veçanti ato arsimore, gjatë kësaj kohe tek shqiptarët në Mal të Zi.

Dr Nail Draga

2. Interesimi i Austrisë për shqiptarët

Ndikimi austriak në Shqipëri ishte i lidhur edhe me të drejtën e mbrojtjes së kultit dhe të kishës së krishterë në Perandorinë Osmane, të siguruar me një sërë traktatesh ndërkombëtare. Duke filluar nga paqja e vitit 1615, e nënshkruar ndërmjet Perandorit Matie dhe Sulltan Ahmetit II, duke vazhduar me ato të viteve 1681, 1699, 1718, 1739, 1791, mori përvijim ajo që njihet si politika e Kultusprotektoratit. Perandoria Austro‑Hungareze kishte të drejtën e kontrollit të zbatimit të këtyre traktateve dhe në vitin 1837 Papa ia kaloi Austrisë mbrojtjen e të drejtave të katolicizmit në Shqipëri. Në kuadrin e Kultusprotektoratit, Vjena zhvilloi një veprimtari të gjerë kulturo‑arsimore, shkencore, fetare dhe propagandistike.

Politika arsimore austriake dhe rritja e ndikimit të saj në zhvillimet arsimore e kulturore ndër disa kombësi lidhet dhe ndihmohet edhe nga disa dispozita ligjore të qeverisë së Vjenës. Në vitin 1848 ajo hartoi ligjin, sipas të cilit “…në shkollat fillore fëmijët duhet të mësohen në gjuhën e tyre amtare”. Një gjë e tillë u përforcua me dispozitat ligjore të vitit 1849.

Kurse neni 17 i ligjit shtetëror austriak i datës 21.12.1867 për problemet e arsimit theksonte se “çdo kombësi ka të drejtë të ruajë dhe kultivojë individualitetin e vet kombëtar dhe gjuhën e vet popullore” dhe se “në ato vise ku disa kombësi jetojnë së bashku, shkollat duhen rregulluar në atë mënyrë që në to të kultivohet edhe gjuha e kombësisë tjetër”.

Edhe pas krijimit të Perandorisë Austro‑Hungareze, më 14 nëntor 1868, në disa dispozita ligjore (si ajo e vitit 1876) trajtohet çështja e arsimit dhe e të drejtave të pakicave kombëtare. Ndikimi kulturor austriak ndër shqiptarët dhe në Evropën Lindore lidhet edhe me lëvizjen “Mbi autonominë kulturore kombëtare”, mjaft e përhapur para Luftës së Parë Botërore. Sipas kësaj teorie, kombësitë e ndryshme në territorin e një shteti duhet të formojnë lidhjet e tyre kombëtare, të cilat duhet të përqendrohen në çështjet kulturore dhe zhvillimin arsimor; kjo lidhej me interesat e kulturës austriake, por njëherazi ndihmoi edhe zhvillimin e kulturës kombëtare të kombësive të tjera.

Në kuadrin e kësaj politike dhe këtyre synimeve, Austro‑Hungaria e përqendroi vëmendjen në ndërtimin, rindërtimin dhe mirëmbajtjen e kishave, në përgatitjen e klerit katolik dhe në hapjen e shkollave për shqiptarët. Deri në shpalljen e Pavarësisë, Austro‑Hungaria vetëm në Vilajetin e Shkodrës subvenciononte 47 shkolla fillore, nga të cilat 10 femërore.

Por rrethanat e zhvillimit arsimor në periudhën 1916–1918 nuk duhen shpjeguar vetëm me shkaqe fetare e kulturore, sepse rol primar kanë pasur faktorët ekonomikë, politikë e ushtarakë. Austro‑Hungaria ishte e interesuar për të siguruar rrugën detare të Adriatikut, për të hedhur një këmbë të sigurt për zgjerimin në Ballkan e drejt Lindjes. Zhvillimet luftarake ia kërkonin që të kishte siguri e qetësi në prapavijë dhe, mundësisht, të tërhiqte shqiptarët në luftë përkrah vetes.

Prandaj, zhvillimet arsimore në periudhën 1916–1918 janë, nga njëra anë, shprehje e synimeve politike, ushtarake, fetare e kulturore të Monarkisë Austro‑Hungareze dhe, nga ana tjetër, shprehje e dëshirave dhe të kërkesave të popullit shqiptar që të shkollohet në gjuhën e vet amtare.

3. Hapja e shkollave në gjuhën shqipe (1916–1918)

Në janar të vitit 1916 Austro‑Hungaria e okupoi Malin e Zi. Pas vendosjes së pushtetit të tyre administrativ, shqiptarët njohën disa liri që i kishin të mohuara nga ana e Malit të Zi, si: përdorimin e flamurit kombëtar, pjesëmarrjen në administratën civile lokale, arsimimin në gjuhën shqipe etj.

Me kërkesat e popullatës shqiptare dhe me interesimin e komandave ushtarake austro‑hungareze, filluan të hapeshin shkollat në gjuhën shqipe në viset shqiptare në Mal të Zi, nga Ulqini në jug e deri në Plavë në veri (Ulqin, Salç, Ljare, Tuz, Dinoshë, Priftën, Triesh, Arzë, Plavë, Vuthaj, Martinaj dhe Rozhajë). Deri në fund të qershorit të vitit 1917 funksionuan 23 shkolla në gjuhën shqipe (Posta e Shqypnies, nr. 67, 28.7.1917, f. 4).

Komanda austro‑hungareze urdhëroi që të mësohej gjuha shqipe në të gjitha ato vende ku gjendeshin shqiptarë, në mënyrë, siç shkruante shtypi, “qi shqyptarët të mbesin shqyptarë e kurgja tjetër” (Posta e Shqypnies, nr. 57, 23.6.1917, f. 4).

Nuk ka dilemë se për të hapur shkolla në gjuhën shqipe, përveç lokaleve, mjeteve shkollore e teksteve mësimore, mungonin edhe mësuesit. Këtu duhet shtuar edhe problemet ekonomike, por ishte dëshira për të sfiduar rrethanat e kohës, ku shkolla shqipe bëri hapat e para.

Në këto rrethana, për të siguruar mësues, komanda austro‑hungareze mobilizoi arbëneshët e Zarës, të cilët i vuri para alternativës: “O ushtar në front, o mësues në shkollat shqipe në Mal të Zi”. Shumë prej tyre pranuan detyrën e mësuesit, ku punuan me shumë pasion, duke lënë emër të mirë në kujtesën e nxënësve dhe të prindërve, si: Kristo Peroviqi (që njëherazi kryente detyrën e inspektorit në shkollat shqipe), Josip Rela, Zef Duka, Nikollë Peroviqi, Stjepan Moroviqi, Mirash Kërstiqi, Vladimir Kërstiqi, motër Eleonora Moroviqi.

Në disa shkolla ka pasur edhe mësues vendi, sikurse ishin Gjon Gjekë Lucaj dhe Kolë Prelokë Gegaj nga Trieshi, të cilët kanë qenë të angazhuar në Malësi. Po ashtu duhet cekur edhe angazhimin e priftërinjve në procesin mësimor, sikurse ishin padër Jak Salçi në Ulqin e Salç, famullitari Pjetër Angelio Gaudio në Ljare, i lindur në Itali, por që fliste mirë gjuhën shqipe, si dhe Luigj Bushati nga Shkodra, i cili ishte meshtar i kishës së Traboinit në Malësi të Madhe. Ndërsa në Rozhajë mësimin e ka zhvilluar një shqiptar që ishte në shërbimin ushtarak austriak, i lindur në Drenicë.

Në këtë kohë transferimi i mësuesve prej një shkolle në tjetrën ka qenë dukuri e zakonshme. Për shembull, Josip V. Rela ka punuar në Arzë, Guci dhe në shkolla të tjera. Dukuri e ngjashme ka qenë edhe me mësuesit e tjerë.

Përmbajtja e mësimit ka qenë: leximi, shkrimi, gramatika (prej klasës së dytë), aritmetika, historia, dituria e natyrës, gjeografia, vizatimi, punëdore, kënga dhe besimi.

Nxënësit nuk kishin abetare, fletore, lapsa, libra të tjerë për kryerjen e detyrave shkollore dhe shtëpiake. Pajisja me mjete mësimore ka qenë punë e vështirë. Për furnizimin e shkollave dhe të nxënësve me mjete mësimore meritë të madhe kanë pasur mësuesit e tyre, por u kanë dhënë ndihmë të madhe edhe Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Shtjefën Gjeçovi e të tjerë.

Nxënësit ndiqnin rregullisht shkollën dhe e kishin të siguruar një shujtë në ditë. Ndërsa nxënësit e varfër kishin të siguruar falas fletoret dhe lapsat. Mësuesit e këtyre shkollave, me angazhimin në procesin mësimor si dhe me sjelljen ndaj nxënësve e prindërve të tyre, gëzonin autoritet të madh.

Është me rëndësi të ceket me këtë rast kontributi i një mësuesi vendas, që i përkiste periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare: mësuesi i nderuar Gjon Gjekë Lucaj, i cili ka mbetur shembull i përkushtimit arsimor dhe kombëtar në Malësi dhe më gjerë. Bëhet fjalë pikërisht për vitin shkollor 1917/18, që është vit historik për banorët e Malësisë, përkatësisht të fshatit Dinoshë (Grudë), sepse atë vit Gjon Lucaj, për herë të parë, çeli shkollën shqipe në Dinoshë dhe zhvilloi mësimin një vit shkollor. Mësimin e zhvillonte në godinë private, në kushte tejet të vështira. Godina nuk kishte kushte elementare higjienike e pedagogjike për zhvillimin e mësimit. Por, me nismën e mësuesit të shkathët dhe të popullit të etshëm për shkollë, kushtet u përmirësuan sadopak dhe mësimi zhvillohej rregullisht.

Mësuesi i zellshëm u mësonte nxënësve këto lëndë: gjuhë amtare, histori, gjeografi, aritmetikë, muzikë etj. Meritë e posaçme e Gjonit është se pasuroi përmbajtjen e mësimit të gjuhës amtare, të historisë, të gjeografisë, të muzikës me frymën patriotike, si në procesin mësimor, ashtu edhe në aktivitetet jashtëshkollore në periudhën 1916–1918. Duhet të theksohet se Gjoni çmonte të gjitha lëndët mësimore, por përparësi u jepte atyre që ofronin më shumë përmbajtje për rritjen e patriotizmit.

4. Gazeta “Posta e Shqypnies” për shkollën shqipe

Të dhëna në lidhje me procesin arsimor në gjuhën shqipe në viset shqiptare në Mal të Zi, siç kemi cekur më lart, na ofron gazeta Posta e Shqypnies (1916–1918), e cila doli në Shkodër nën drejtimin e kryeredaktorit P. Gjergj Fishta. Këtu paraqesim fragmente me interes për të kuptuar rrethanat e kohës kur kanë vepruar këto shkolla në viset shqiptare.

Me mjaft interes është shkrimi me titull “Shkolla shqype n’ Ulqin”, ku, ndër të tjera, shkruhet:

“Nji mik i joni na shkruen prej Ulqinit: Me 17 t’ Frorit mrrina ktu n’ Ulqin, ku, por saa dola prejë karrocet, m’ rrethuen nji tubë djelmnië bashkatdhetarë, prejë t’ cillve u ndië brohoria: rrnoftë Austro‑Hungaria! rrnoftë Shqypnia! njaq qi mue m’u lkund zemra prejë gzimit, kahë shifshe gazmendin e tyne per lirië e dashtnië per atdhee. N’e nesret dola neper gjytet, gjithkund m’raa me vuu n’oroë nji entuzjazm t’ vertetë per jetë t’ ree qi kaa zanë fill per ket popull, i cili mjeroj per 40 vjet n’ robniët Malitzii. Por gzimi i em maa i madhi kje m’ atëherë, kur fati i bardhë m’qiti me u ndeshë m’ Drejtorin e shkollës s’ gjytetit, Z. Kristo Peroviq, qi asht nji Shqyptaar prejë Boro Erizzo nget Zadret. Mas dishirit t’ em, z. Drejtori me nji herë m’ prini e m’ çoj me paa shkollen, e u gzova në shpiirt, tujë u vertetue me syy t’ mii se msimi epej krejt n’ gjuhë shkype. Kush e kishte mendue para ksajë vjete, se n’ Ulqin mund do t’ vehej kurr gjuha shqype per gjuhë msimi nder shkolla t’ Ulqinit!”

Nuk ka dilemë se ky ishte një moment emocional, duke marrë parasysh se shkolla shqipe në Ulqin filloi punën më 1 shtator 1916. Më tej shkruhet se:

“punë qi m’ raa me paa e ndië n’ at shkollë, ndieva edhe kto vjerrsha prejë nji vajzet gjashtë vjeç, qujtun emnit Mahmude:

Zot i dashtun, qi per fmië,

Kee dishmue gjithmonë dashtnië,

Epna die e mend të holla,

Qi t’ jetojëm si na mson shkolla.”

Dhe në fund:

“Tujë ndië kta vjerrsha, thashë me vedi: masi ky fmië lutka Perendiën, qi me i dhanë die e mend per me jetue si mson shkolla, paa dyshim se, tujë këë qi n’ Ulqin shkolla bahet shqyp, edhe ajo do t’ dalë shqyptare; pse n’ shkollë trajtohet karakteri i nierit. Per ket arrsy, prap po tham se Shqyptarët e vertetë do t’ ja u dijnë per nderë ket perparim t’ shkollës të Ulqinit z. Majorit Kroboth e z. Dr. Kristo Pero, t’ cilit aq mirë i kan kuptue nevojët e vendit, edhe po dijnë me i vue si e lypë arrsyja.”

(Posta e Shqypnies, nr. 27, 10.3.1917)

Për hapjen e shkollës në Plavë kemi një letër ku thuhet:

“Qe se edhe per ne erdh çasti qi aq fort patem pritë e dishrue. Neper kujdes t’ qeverisë s’ përgjithtë ushtarake, na kje çue edhe neeper msues shkollet nji shqyptaar i rii Z. S. Krstiq, i cili, me 30 t’ prillit, na çili shkollen. Se saa i madh kje, per ket rasë t’ bukur, gzimi i gjith katundit t’ onë, mujt m’ u paa, maa mirë se kurr, m’ at nade n’t’ cillen u mush shkolla me njata fmi t’ cillet e kishin me detyrë – detyrë aq shejte, – me ndjekë msimet. Gzimi i jonë, porsi prind qi jena, kje edhe fort maa i madh, kur ndime msuesin se u nepte fmive t’onë msim m’ t’amlen e t’ dashtunen gjuhen t’ onë, gjuhen shqype. Fmiet e vogjel, por nder ta janë disaa edhe t’ rritun, shkojën në shkollë me gzim, si me gzim mundohena edhe na veë me i çue, sado qi n’ kto kohë t’ ngushta kishin me mujtë me i shtii n’ punë, e me dobië t’ madhe, edhe tu shpia.

Për shkollë, per ket bekim shejt na perket t’ gjithve m’ u mundue deri ku t’ mundena e m’ u shkrii, masi gm maa t’ madh nuk mujtem me ndie zemrat t’ona, se tujë paa qi fmiët t’ onë po kan rasë m’ u msue n’ gjuhë t’ parve t’ onë.”

(Posta e Shqypnies, nr. 52, 6.6.1917)

Në lidhje me funksionimin e shkollave në Malësi të Madhe, shtypi i kohës jep edhe këtë informacion:

“Kto shkolla shqyptare t’ Malciës s’ Madhe, si gjithkund njeti, janë myllë per kta dy muej veer. Por para se me u myllë, Komandari i Becirkut, Dr. Bugo Peternell, desht me u gjetë vetë nder sprovime, per me paa perparimin qi kishin baa fmia e shkollës s’ Tuzit e t’ Traboinit, e cila kjo vetem, kaa 50 zansa. Prejë sprovimesh u duk se fmia kishin perparue mirë fort nder kndime, njaq qi Berci komandanti met fort i kondenuem, e u pergzue me Famullitar t’ Traboinit, fort t’ Ndertin A. Luigj Bushatin, msuesin e asajë shkolle, si edhe me t’ Ndertin zotnië Msues t’ shkollës s’ Tuzit – nji Shqyptaar prejë Borgo Erizzo nget Zaret – per kujdes qi kishin pasë per msim t’ fmivet. E na gzohëna n’ nji mndyrë t’ posaçme me z. Becir komandantin qi aq interesë t’ madhe kaaa diftue per msim e gjytetnim t’ bijvet t’ komit t’ onë; pse si e diim, ky zotnië, per me baa qi fmia t’ ndjekin edhe maa me zell e cenë shkollen, per gjith ditë u kaa qitë buken e mjesditës tujë u diftue n’ ket mndyrë dyy herë bamirsi i tyne: per msim e zhdrivillim t’ mendes e per t’ majtiun t’ jetës.”

(Posta e Shqypnies, nr. 57, 26.6.1917, f. 4)

Gazeta Posta e Shqypnies njofton se më datën 8 qershor 1918, nxënësit e qytetit të Ulqinit dhanë provimet e fundit të vitit, ku morën pjesë shumë zotërinj, zyrtarë, ushtarë e civilë dhe shumë zonja të nderuara. Pas provimeve, “Një kangë shqipe këndue nji zanit prej xansavet shqiptar, gzoj zemrat e gjithë atyne që dishrojnë përparimin e kombit shqiptar” (Posta e Shqypnies, nr. 53, 19.6.1918).

Bëhet me dije se në shumë raste, në ceremonitë e mbylljes së vitit shkollor merrnin pjesë komandantët e zonave ku ishin shkollat. Komandanti ushtarak i Malësisë së Madhe, dr. Hugo Peternell, pasi mori pjesë në provimet e zhvilluara në shkollat e Tuzit e Traboinit, mbeti tepër i kënaqur se “kishin përparue mirë fort nder këndime” (po aty, nr. 57, 23.6.1917).

5. Ndërprerja e punës së shkollave shqipe

Me kapitullimin e Austro‑Hungarisë ndërpritet puna e shkollave shqipe në trojet shqiptare të administruara nga Mali i Zi, si në Dinoshë, Priftën, Tuz, Arzë, Triesh, Ulqin, Ljare, Plavë, Guci, Vuthaj, Martinaj e Rozhajë.

Nga të dhënat e publikuara për këtë periudhë kohore del qartë se shqiptarët e mbështetën shkollën shqipe sepse ajo ishte risi: për të parën herë mësohej në gjuhën amtare, me përmbajtje dhe program mësimor për historinë, gjeografinë dhe muzikën kombëtare. Pra, ishte e kundërta e asaj që mësohej në gjuhën sllave‑serbe, ku mësohej vetëm për sllavët – të huaj dhe të imponuar për shqiptarët.

Në një situatë të tillë, mësuesit e këtyre shkollave gëzonin autoritet të madh; andaj kanë pasur mbështetje të madhe nga prindërit e nxënësve dhe popullata vendore.

Ndërsa pas vitit 1918, për shqiptarët e këtyre viseve erdhën kohë të vështira, sepse vazhdoi politika e pabarazisë praktike ekonomike e shoqërore, përkatësisht ajo asimiluese e sllavizuese, duke mos lejuar arsimimin në gjuhën shqipe. Ishte koha e hegjemonizmit të Mbretërisë serbo‑kroate‑sllovene, që më vonë u quajt Jugosllavi, e cila zgjati deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore (1941–1944), kur, përsëri, në këtë kohë, okupatorët italianë i hapën shkollat me mësim në gjuhën shqipe – çështje kjo që meriton trajtim të veçantë.

6. Përfundim

Ndonëse në kushte të vështira shoqërore‑ekonomike, pa mjete mësimore e tekste shkollore, pa infrastrukturë shkollore adekuate, ishte pasioni i mësuesve ai që nuk kurseu asgjë për të arritur qëllimin e misionit të tyre: arsimimin e shqiptarëve duke u mësuar për të parën herë lexim e shkrim në gjuhën shqipe.

Në rrethana të tilla nuk ka dilemë se ishte dashuria e madhe për gjuhën shqipe nga ana e prindërve dhe nxënësve që sfidoi rrethanat e kohës. Edhe pse këto shkolla punuan një kohë të shkurtër, pa dyshim ishte një kontribut me vlerë për arsimin e shqiptarëve dhe zgjimin e dashurisë për gjuhën shqipe, kulturën dhe historinë e popullit shqiptar. Andaj koha e Austro‑Hungarisë dhe e mësuesve të angazhuar në procesin mësimor, në shkollat në gjuhën shqipe, do të kujtohen përherë me admirim, sepse ata vunë gurthemelin e parë të mësimit në gjuhën e bukur shqipe në viset shqiptare në Mal të Zi.

Literatura e konsultuar

  1. Vehbi Hoti, Luigj Gurakuqi për shkollën shqipe dhe arsimin kombëtar, botoi: “Camaj‑Pipa”, Shkodër, 2002.
  2. Prof. dr. Vehbi Hoti, Aspekte të zhvillimit të arsimit shqip në Ulqin dhe në trevat e tjera në Mal të Zi në periudhën e Luftës së Parë Botërore, në Ulqini në rrjedhat e kohës, botoi: ART CLUB, Ulqin, 2000.
  3. Dr. Palokë Berishaj, Shkollat dhe arsimi i shqiptarëve në Mal të Zi deri në vitin 1918, KOHA 5–6/1985.
  4. Dr. Palokë Gj. Berishaj, Gjoni e Agroni në shërbim të arsimit dhe shkencës, botoi: Shoqata “Nikollë Ivanaj”, Tuz, 2003, f. 62–62.
  5. Dr. Palokë Berisha, Zhvillimi i shkollës dhe arsimi i shqiptarëve në Mal të Zi prej vitit 1878–1988, botoi: ART CLUB, Ulqin, 1997.
  6. Gazeta Posta e Shqypnies, Shkodër (1916–1918).
  7. Elmaz B. Plava, Plava e Gucia në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare (Kujtime dhe dokumente historike), botoi: Marin Barleti, Tiranë, 2002.
  8. Hasan I. Gjonbalaj, Paria e Krahinës së Plavës dhe Gucisë (1878–1945), botoi: Drenusha, Prishtinë, 2009.
  9. Nail Draga, Shqiptarët në Mal të Zi, botoi: Art Club, Ulqin, 1994.
  10. M. Sirdani, Për historinë kombëtare, Hylli i Dritës, nr. 5, Shkodër, 1936.
  11. Haxhi Lajçi, Shkolla në Dacaj dhe në Buxhov (Malësia e Rozhajës) 1943–2013, Rozhajë, 2014.
  12. Eleni Kocaqi, Si e krijoi Austro‑Hungaria shtetin shqiptar, botoi “Emal”, Tiranë, 2012.
Exit mobile version