Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur rreth mesnatës së kaluar Malin e Zi, ku është ekzekutuar me armë zjarri një nga anëtarët e lartë të klanit mafioz malazez “Skaljar“.
Mediet malazeze raportojnë se është vrarë Miliq Minja Shakoviç. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23.40 në Budva, ku sipas informacioneve jozyrtare, ai është ekzekutuar nga një person i veshur me këmishë të bardhë, teksa ishte i ulur në një lokal.
Një burim i tha “Vijesti” se një person që ishte ulur në tavolinën pranë tij, i cili nuk ishte i maskuar, ka qëlluar Shakoviç.
Një burim tjetër thotë se Shakoviçi ishte ulur në një tavolinë në rreshtin e parë të lokalit përballë shëtitores, kur një burrë me këmishë të bardhë dhe kapele iu afrua dhe qëlloi disa herë në drejtim të tij. Sipas burimit, policia ka gjetur një këmishë dhe një kapele.
Sipas mediave, për shkak të luftës së gjatë mes klanit mafioz Skaljar” dhe “Kavac”, Shakoviç ishte shumë i kujdesshëm. Ai dilte rrallë nga shtëpia, duke përdorur vetëm një makinë të blinduar dhe duke lëvizur vetëm i shoqëruar nga badigardë.
Milic Minja Shakoviç në dokumentet e policisë konsiderohej si një anëtar i lartë i “klanit mafioz të skaljar”, por edhe drejtues i degës së bandës në Podgoricë, i cili ka qenë disa herë në shënjestër të vrasësve nga klani rival gjatë viteve të fundit.
Shakoviçi i mbijetoi një atentati më 8 shtator 2017, pasi u qëllua me pesë plumba teksa ndodhen në një lokal në qendër të Podgoricës, dhe po priste të merrte makinën nga lavazhi.
Në mesin e dhjetorit 2017, dy muaj pasi i kishte mbijetuar plagëve të marra, Shakoviç raportoi në polici se po ndiqej nga një burrë me biçikletë nëpër rrugët e Zagoricës, i cili dyshohet se kishte ardhur për ta vrarë.