Ministria e kulturës dhe mediave të Malit të Zi, në kërkesën e kryetarit të Komunës së Ulqinit z. Omer Bajraktari ka dhënë pëlqimin për propozim programin e ngritjes së monumenteve edhe emërtimin e institucioneve të rëndësishme në këtë qytet për vitin 2023, shkruan Ulqini Online.
Në këtë mënyrë u hapet rrugë ngritjes së monumenteve dhe emërtimit të insitucioneve si më poshtë:
- ngritja e përmendores së Gjergj Kastriotit Skenderbeu,
- emërtimi i bibliotekës me emrin e Gjon Buzukut,
- emërtimi i Qendrës për kulturë me emrin e Hafiz Ali Riza Ulqinakut,
- emërtimin e Maternitetit të Ulqinit me emrin e dr. Shuajb Resulbegoviqit,
- vendosjen e një busti përkujtimor të dr. Shuajb Resulbegoviqit,
- emërtimin e Shkollës së muzikës me emrin e Qamil Qamo Goranës,
- vendosjen e bustit të Mirko Srzentiqit,
- vendosja e pllakës në përmendoren e Pinjeshit me emrat e të rënëve në bombardim të Ulqinit më 7.11.1943.
Kuvendi i Komunës së Ulqinit brenda afatit 15 ditor i duhet që ti dorëzoj ministrisë gjegjëse programin për pikat e dhënies së pëlqimit.