Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Ferhat Draga – atdhetar e mbrojtës i çështjes kombëtare shqiptare, Kelmendas me origjinë nga Vuthajt

Familja e Ferhat Dragës kishte origjinën nga Vuthajt dhe i përkiste fisit të Kelmendit. Pas një periudhe, kjo familje u shpërngul nga Vuthajt dhe u vendos në fshatin Draga, i cili sot i përket komunës së Tutin.

Kjo familje zotëronte prona të mëdha dhe, me kalimin e kohës, nga fshati Draga u shpërngul në Mitrovicë, ndërsa në Shkup ndërtoi një shtëpi madhështore. Nga kjo familje fisnike rrjedhin personalitete të shquara që dhanë kontribut të çmuar për çështjen kombëtare shqiptare.

Vëllai i Ferhatit, Nexhip Draga, kishte qenë kryetar i partisë “Xhemijeti”, një organizatë politike ku bashkëpunonin shqiptarët dhe myslimanët (përfshirë edhe boshnjakët). Pas vdekjes së Nexhipit, drejtimin e kësaj partie e mori Ferhat Draga, i cili njëkohësisht ishte edhe deputet në Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene (SKS).

Ferhati zotëronte disa gjuhë të huaja dhe, për veprimtarinë e tij të palodhur kombëtare, u burgos dhe u dënua disa herë. Diskutimet e tij në Beograd, në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare, mbeten ndër momentet më të spikatura të historisë politike të asaj kohe. Ai konsiderohej si figura më e rëndësishme politike në Kosovë në periudhën midis dy Luftërave Botërore.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ferhat Draga mbajti një qëndrim të palëkundur kombëtar, duke u pozicionuar kundër regjimit komunist.

Ferhat Draga ndërroi jetë më 2 dhjetor 1944, në moshën 71-vjeçare, në Kralan të Klinës, ku edhe është varrosur.

Përkundër meritave të tij të mëdha, varri i tij ende nuk është restauruar dhe nderuar siç i takon një personaliteti të tillë të shquar të kombit shqiptar.

Për jetën dhe veprën e tij, në vitin 2017 është botuar libri “Ferhat Bej Draga, shembull atdhetarie – dokumente -”, i autorëve Jusuf Osmani dhe Asllan Murati. Libri përmban dokumente dhe të dhëna me vlera të veçanta historike, duke hedhur dritë mbi rolin dhe kontributin e Ferhat Dragës në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare.

/Plava e Gucia Sot

Exit mobile version