Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Shkolla “Ismet Sali Bruçaj” në Guci të Re, Shkodër, hap dyert për vitin e ri shkollor 2025–2026


Nga: Taulant Shahmani

Shkolla “Ismet Sali Brucaj” në fshatin Guci e Re, Shkodër, ka çelur dyert për vitin e ri shkollor 2025–2026, duke pritur me gëzim 140 nxënësit e saj. Me një staf prej 15 mësuesish, një mësuese kopshti dhe nën drejtimin e drejtorit Taulant Shahmani, kjo shkollë është sot një qendër e rëndësishme jo vetëm për arsimimin e fëmijëve, por edhe për jetën e komunitetit.

Shkolla mban me krenari emrin e Ismet Sali Brucajt, birit të fshatit Guci e Re, një figure të ndritur të vendit tonë, i cili u bë simbol i dijes, atdhetarisë dhe përkushtimit për arsimin. Nxënësit e kësaj shkolle janë pasqyra e historisë së vetë fshatit: shumica vijnë nga familje autoktone të fiseve shqiptare të Plavës, Gucisë dhe Vuthajve, ndërsa vitet e fundit shkolla është pasuruar edhe me fëmijë nga trevat e Dukagjinit, Tropojës, Pukës dhe më gjerë. Kjo përzierje shoqërore ka sjellë gjallëri, bashkëpunim dhe një identitet të ri, duke i dhënë shkollës dhe fshatit një karakter unik.

Gjatë vitit shkollor 2024–2025, shkolla “Ismet Sali Brucaj” u kthye në shkollë qendër, duke marrë në varësi edhe shkollën e fshatit Shtoj i Vjetër. Ky rol i ri e ka bërë edhe më të dukshëm misionin e saj: të jetë në shërbim të komunitetit. Pas mësimit, nxënësit përfitojnë nga programi i detyrave të shtëpisë, ku jo vetëm i kryejnë ato, por edhe përforcojnë njohuritë nën kujdesin e mësuesve.

Në kuadër të Shkollës Qendër Komunitare, përveç punës me nxënësit, janë zhvilluar edhe kurse për të rinjtë e të rejat e fshatit. Në kursin mbi bazat e kompjuterit u diplomuan 15 studentë, ndërsa në kursin e rrobaqepësisë 10 nëna dhe vajza fituan aftësi të reja profesionale. Gjithashtu, prej 8 vitesh mësuesit e shkollës organizojnë kampe verore me nxënës në fund të muajit qershor.

Një vend të veçantë zë programi “Arte dhe Zeje”, i cili synon të zhvillojë talentet dhe aftësitë e nxënësve dhe të rinjve. Përmes klubeve të pikturës, muzikës, qëndistarisë, bujqësisë dhe sportit, fëmijët dhe të rinjtë kanë mundësinë të mësojnë, të krijojnë dhe të shprehen lirshëm.

Këto programe janë mbështetur nga Ministria e Arsimit, ZVAP Shkodër, Bashkia Shkodër, organizata bamirëse dhe partnerë të tjerë që bashkëpunojnë me shkollën tonë, duke bërë që ajo të mbajë dyert e hapura çdo ditë nga ora 07:30 e mëngjesit deri në 16:00 pasdite.

Mesazh për nxënësit dhe bashkëkombësit
Me zemër të hapur urojmë që ky vit shkollor të sjellë dritë, dije dhe suksese për çdo nxënës të shkollës sonë.

Në të njëjtën kohë, përcjellim përshëndetjen më të ngrohtë për të gjithë shkollarët e Plavës, Gucisë, Vuthajve dhe për vëllezërit e motrat tona kudo që ndodhen.

Të bashkuar nga gjuha, tradita dhe dashuria për vendlindjen, ne mbetemi një trup i vetëm, ku fëmijët tanë janë lulëzimi i së ardhmes.

Shkolla jonë do të vazhdojë të jetë jo vetëm vatër e dijes, por edhe simbol i krenarisë kombëtare dhe urë që lidh brezat, duke mbajtur të gjallë dashurinë për atdheun dhe vendlindjen tonë të dashur.

Taulant Shahmani drejtor i shkollës

Exit mobile version