Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Filmi “DUA”, kandidat i Kosovës për Oscar, shfaqet në Nju-Jork

Nju-Jork – Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju-Jork organizoi mbrëmë një mbrëmje të veçantë kulturore, gjatë së cilës u shfaq para publikut njujorkez filmi “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për çmimin prestigjioz Oscar, në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”.

Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues diplomatikë të shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), zyrtarë amerikanë, dashamirës të kinematografisë, si dhe një numër i madh bashkatdhetarësh nga komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të pranishmit i përshëndeti me një fjalë rasti ambasadori Blerim Reka, ndërsa pas përfundimit të shfaqjes u zhvillua një diskutim i veçantë mbi filmin, me pjesëmarrjen e regjisores Blerta Basholli dhe aktorëve Yllka Gashi e Kushtrim Hoxha.

Filmi “DUA”, i rrëfyer përmes syve të një vajze të re, sjell në ekran një histori të vërtetë të fëmijërisë në Kosovë, në prag të luftës së viteve 1998–1999.

Përmes një rrëfimi emocional dhe domethënës, filmi trajton kujtesën kolektive, përjetimet e fëmijëve dhe sfidat e një periudhe të rëndë historike për popullin e Kosovës, duke i përcjellë këto përvoja edhe te publiku ndërkombëtar.

Shfaqja e filmit në Nju-Jork përbën një tjetër mundësi për promovimin e kinematografisë kosovare dhe njohjen e historisë së Kosovës përmes artit filmik.

Organizatorët shprehën mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit që iu bashkuan kësaj mbrëmjeje, duke i uruar filmit “DUA” suksese në rrugëtimin e tij drejt çmimeve Oscar.

Exit mobile version