Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Fjala e ish-Presidentit të Malit të Zi, z.Milo Gjukanoviç në Forumin Rajonal “Ballkani dhe sfidat gjeopolitike të së sotmes dhe së ardhmes”

Nga Milo Gjukanoviç /Milo Đukanović

Kthimi në politikat pro-europiane, si përgjigje ndaj ringjalljes së ideve të shkuara që destabilizojnë rajonin

Situata në Ballkanin Perëndimor në vitin 2024, është në opinionin tim, shumë më e keqe se sa 10 vite më përpara.

Në vitin 2014, ne kishim pas luftës, entuziazëm.

Ishte pra periudha pas luftës në ish-Jugosllavi.

Më pas ne patëm entuziazmin europian.

Mendoj se shumica e opinionit në të gjitha vendet tona në Ballkanin Perëndimor, e dëshironin integrimin në BE.

Të gjitha vendet, përveç Serbisë, kërkonin integrimin në NATO.

Dhe ne patëm një proces dinamik të afrimit me objektivat tona europiane dhe atlantike.

Sot ne, kemi rikthyer një nacionalizëm shumë pasionant. Ne kemi pasur reforma që janë neglizhuar.

Mendoj se nuk është bërë asgjë serioze në fushën e reformave në 6 vendet e rajonit, dhe ne kemi vlera, që tashmë janë të ndryshme në vendet tona.

Këto vlera, nuk janë të gjitha vlera europiane.

Dhe nëse ne marrim parasysh incidentet që po ndodhin dhe që kanë ndodhur, ne përsëri kemi problemin e stabilitetit në rajonin tonë.

Një pikë fillimi për problemet negative në rajonin e Ballkanit, është situata gjeo-politike.

Kam qenë në jetën politike në fillim të viteve 90’, ndaj mund të shoh qartë dallimet ndërmjet shkaqeve të destabilizimit në atë kohë dhe në ditët e sotme.

Sa i takon faktit që kanë ndodhur ndryshime të mëdha në skenën gjeo-politike në atë periudhë në Europë dhe pavarësisht faktit që ato kanë kontribuar në shumë hezitime në Europë dhe në ish-Jugosllavi, unë mendoj dhe nuk mendoj se e kam gabim, dhe ka persona që kanë qenë bashkë me mua në këto procese nga ish-Jugosllavia, që kemi përjetuar luftën e cila ka rezultuar në më shumë se 130 mijë viktima, duket se sot shkaku i problemeve është në shqetësimet gjeo-politike.

Ajo që ne shohim në Ballkanin Perëndimor është një reflektim i këtyre ndryshimeve gjeo-politike.

Do të doja të fokusoja vëmendjen tuaj në dy momente.

Së pari ka pasur një hezitim dhe pastaj paralizë totale të politikës së zgjerimit të Bashkimit Europian.

Ky ishte një gabim shumë i madh.

Duke bërë këtë BE, la një hapësirë të lirë për penetrimin e interesave antieuropiane në Ballkanin Perëndimor.

Vetëm ata që janë totalisht injorantë mund të çuditen, që Rusia e përdori këtë hapësirë.

Nëse ti u jep atyre një hapësirë, ata do ta mbushin këtë hapësirë. Nuk ka vakum në gjeo-politikë.

Nëse ti nuk je aty, ata që nuk janë të dëshiruar do ta mbushin këtë hapësirë.

Pra ne patëm një ndërhyrje shumë të madhe nga Rusia, ndërhyrje shumë të fortë, e cila shkaktoi një shqetësim, apo një tronditje shumë të madhe në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Dikush mund të thotë se edhe nëse të mos ishte për këtë sjellje të BE, ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, ne përsëri do ta kishim ofensivën e Rusisë kundër Ukrainës, dhe kjo ka ndodhur në 2014 kundër Krimesë dhe të gjithë Ukrainës.

Jam dakort me këtë argument, por nëse ne do të kishim një politikë të zgjerimit të përgjegjshme nga BE, atëherë situata në rajon sot, do të ishte shumë më e mirë, dhe rajoni do të ishte më i qëndrueshëm, më rezistent ndaj politikave malinje të Rusisë kundër Ballkanit Perëndimor.

Mos harroni në 2003, ne kishim Samitin e Selanikut për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe perspektivën e tyre drejt BE, kur u propozua se duhet të përcaktojmë objektivin, qëllimin, që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëheshin anëtare të BE.

Pra, ka qenë një pranim i përgjegjshëm i të gjitha sfidave që ne do të hasnim në këtë proces.

Nëse do të kishte një zgjerim më të ndërgjegjshëm nga ana e BE, shumica e vendeve të rajonit tonë do të ishte anëtare të BE.

Dhe duhet t’i pranojmë këto sfida. Këto ishin të dukshme. Besoj, se dhe në 2010, ne konsideruam që Rusia po ndryshonte kursin, dhe “muaji i mjaltit” ndërmjet SHBA-ve dhe Rusisë po përfundonte, dhe po bëhej një kthesë e fortë nga ana e Rusisë.

Ata thanë që ideologjia liberale, i ka kushtuar shumë Rusisë dhe duhet të zëvendësohet me ideologjinë nacionaliste, dhe e shpjeguan shumë qartë, që kjo nuk do të bëhet në tavolinë, por do të bëhet në betejën e luftës.

Ne të gjithë mund të kuptonim dhe shikonim shenjat, dhe të gjithë e kuptuan që Ballkani Perëndimor është një territor tradicional, i ndjeshëm, i cënueshëm, vulnerabël, ku Rusia luan me gjeo-politikën.

Kjo situatë çoi në shkatërrimin e sistemit të vlerave në Ballkanin Perëndimor. Më kujtohet biseda që kam pasur me drejtuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ka qenë një format ku ne mblidheshim së bashku, organizohej nga përfaqësues të lartë të BE, z.Borrel, tre Presidentë, tre Kryeministra vinin aty nga Ballkani Perëndimor.

Flisnim për këtë temë shpesh dhe në një moment të caktuar mora një konfirmim shumë të qartë, të supozimeve të mia nga 2 pjesëmarrës në këtë bisedë.

Ishte Presidenti i Serbisë dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut. Të dy thanë të njëjtën gjë, që situata apo opinioni publik në vendet e tyre respektive është duke u përkeqësuar, është keq e më keq bazuar në të gjitha sondazhet e opinionit publik.

34% vetëm ishin në favor të aderimit në BE dhe ish-Presidenti i Maqedonisë së Veriut tha se ai që do të avokojë për integrimin europian, do të humbë zgjedhjet e radhës në këtë vend.

Nëse shtojmë këtu edhe faktin që Bosnjë-Hercegovina, në mënyrë të dëshpëruar është jo funksionale, dhe nuk ka asnjë lëvizje, ndërmjet negociatave ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ata janë ende pa bërë asnjë progres, përsa i takon integrimit europian.

Kjo tregon që ka një shkatërrim sezioz të sistemit të vlerave në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kjo i ka ndodhur edhe Malit të Zi.

Ne kemi pasur ndryshime strukturore të reformave.

Fatkeqësisht kjo e ka çuar situatën që Mali i Zi, që më parë ishte një model në të gjithë rajonin, anëtare e NATO-s dhe e para në negocimin e kapitujve të anëtarësimit me BE, tani ndodhet në një udhë pa krye.

Situata në Malin e Zi, në 4 vitet e fundit, tregon se nuk mungon një objektiv të qartë për të ecur përpara me kapitujt kryesorë, fondamentalë për hapjen e negociatave.

Ky rezultat është një pasojë e vullnetit politik të BE që duhet të dërgojë një mesazh.

Dhe mesazhi është që procesi i zgjerimit është i gjallë.

Sundimi i ligjit në Malin e Zi është në nivelin më të ulët, se sa ka qenë vite më përpara.

Disa vite përpara, shkelja e Kushtetutës nuk mund të imagjinohej.

Shkelja e ligjeve nga organet shtetërore në mënyrë sistematike nuk mund të imagjinohej.

Kjo po ndodh tani në Malin e Zi në mënyrë të përditshme.

Ndodh që ligjet e reja të miratohen pa një pëlqim paraprak të KE.

Komuniteti ndërkombëtar dikton dhe ka një influencë shumë të dobët, sidomos sa i takon luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Lufta kundër krimit të organizuar është e rëndësishme, por për sundimin e ligjit nuk kushton askush vëmendje.

Jo vetëm në Malin e Zi, por dhe partnerët tanë nuk i kushtojnë shumë vëmendje kësaj gjëje, dhe ky është dimensioni i dytë dhe dimensioni tretë për të cilin doja të flisja.

Do ta përsëris, nuk jam i çuditur nga politika e Rusisë dhe nuk jam i çuditur nga politika e vendeve që mbështesin Rusinë në Ballkanin Perëndimor.

Ata përdorin politikën e narrativës historike dhe si një shans, për të rivendosur nacionalizmin e madh në rajon, shohim të gjitha këto alternativat false që ofrohen.

Fillon nga teza që demokracia mund të jetë mikse dhe duhet të kemi vende entikisht homogjene për shkak të specifikave të Ballkanit Perëndimor.

Ne e kemi pasur këtë përvojë, që gjithmonë ka çuar në luftë dhe kjo gjithmonë çon tek lufta.

Nuk jam i çuditur dhe do ta them përsëri, që Moska dhe Beogradi janë dakord me këtë tezë.

Por ajo që më çudit më tepër, është që me qëllim apo pa qëllim, kjo politikë në bazat e saj merr mbështetjen dhe hapësirën nga partnerët perëndimorë, dhe për këtë kam folur disa herë.

Jam dakort me kritikën në fjalën hyrëse të zotit Meta. Është shumë e vështirë të shpjegosh, se përse kjo po ndodh.

Duhet të kemi procese të gjalla demokratike në vendet tona, dhe të përpiqemi të shkojmë në situatën ku do duhet të kemi Qeveri kombëtare të përgjegjshme, që të fillojnë të punojnë për diçka që ne kemi vendosur se duam ta bëjmë.

Dhe ajo që kemi vendosur 30 vite përpara është rruga drejt demokracisë, regjimi demokratik, anëtarësimi në BE dhe në NATO.

Exit mobile version