Nga RAMIZ LUSHAJ
Ripublikim:
Shkruar më: Dielë, 04.07.2013
7 prilli i sotëm për shqiptarët etnikë në dy anët e Atlantikut diellnon në simbolikën e vet emrin meritor “Dita e Fondacionit Plavë-Guci”, sepse në “kryeqytetin e botës” – në Nju Jork të Amerikës, në “Tempullin e Demokracisë”, po mbahet Kuvendi juaj Vjetor, që përbën realisht një ngjarje kombëtare të jehonshme. Në dy vitet e fundit ky Fondacioni juaj dinjitar është kthyer lartësisht e mrekullisht në një organizatë nga më risoret, aktivet e cilësoret në historinë e shoqërisë civile shqiptare, prej kohës epike e intelektuale të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Kjo është meritë reale e secilit prej jush, anëtarëve atdhetarë e veprimtarë të Fondacionit Plavë-Guci, dhe e udhëheqësisë së tij, që meriton mirënjohje kombëtare. Ju e kremtuat me madhështi 100-vjetorin e Pavarësisë më 25 nëntor 2012. Ju u përballët me qëndrime e veprime kundërshqiptare të shtetit të Malit të Zi ndaj krahinës së Plavë-Gucisë dhe shqiptarëve të saj etnikë. Ju protestuat në janar 2012 në Nju Jork kundër terrorit serb dhe spastrimit etnik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ju grumbulluat fonde për hapjen e Rrugës së Hotit mbi liqen të Plavës. Ju treguat humanitet atdhetar e njerëzor ndaj rasteve në nevojë nga treva juaj. Ju kontribuat me publikime elektronike për historinë e kulturën e Plavë-Gucisë dhe problematikat e perspektivat e saj. Ju kryet edhe nga dy piknike në vit, të shoqëruara me veprimtari sportive, etj., dhe me stimuj. Ju bëtë aq sa mundët dhe do të bëni edhe më shumë.
Fondacionin dhe veprimtaritë tuaja i kam ndjekur në gazetën amerikane New York Daily News, në gazetën kombëtare Bota Sot(Zvicër e Amerikë), në të përditshmen Republika në Tiranë, Zhurnalnë Shkup, Voal Online Zëri i Shqiptarëve në Zvicër, Fjala e Lirë në Londër, Tribuna Shqiptare në Kanada, Prishtina Press, etj.
Në këtë “Ditë të Fondacionit Plavë-Guci” do të isha i padrejtë dhe i pasaktë nëse nuk do të thoja një fjalë të vetme për “motorin e ndezur” të Fondacionit si zotërinjtë Esad Gjonbalaj, Alex Selimaj, Sadri Mehaj e të tjerë dhe për vëllezërit atdhetarë kontributorë: Selimaj, Gjonbalaj, Prelvukaj, Mehaj, Ahmetaj, Balidemaj, Dedushaj, Hasangjekaj, Kukaj, Ulaj, Vuçetaj, Qosaj, Rugova, Goçaj, etj.
Kjo “Ditë e Fondacionit Plavë-Guci”, kjo ngjarje e sotme me arritjet tuaja kombëtare, humanitare e kulturore si fondacion, është kënaqësi dhe krenari edhe për ne bashkëkombësit tuaj në metropolin shqiptar të Tiranës; në Preshevë, ku po ringrihet gjigandi Memorial për UÇPMB-në; në Mitrovicën që po jetëson sfidën e bashkimit të dy brigjeve shqiptare të Ibrit; në Deçiq, ku dje u festua 102-vjetori i ngritjes së Flamurit Kombëtar Shqiptar nga Dedë Gjo’ Luli; në Shkupin dardan, ku shqiptarët po ringrejnë vetveten edhe në historinë bashkëkohore; në Çamëri, që pret Rezolutën nga Parlamenti Shqiptar.
Fondacioni juaj ka një emër të madh historik, një emër biblik shqiptar, një emër të krenarisë kombëtare shqiptare: Plavë-Guci, që dikur kësaj “republike iliriane” të pavarur i kanë pas thirrur “Arbania e Vogël”.
Në Plavë-Guci, në Luftën e Nokshiqit, për herë të parë dhe të fundit, shqiptarët i thyen vendimet e Shtatë Fuqive të Mëdha të Europës. Kjo ishte lufta e parë frontale e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku morën pjesë 12.000 shqiptarë nga Plavë-Gucia e Sanxhaku, nga Peja e Presheva, nga Shkodra e Ulqini, nga Tepelena, Dibra e Ohri, etj.
Kjo ishte hera e parë dhe lufta e parë në Nokshiq në dhjetor 1879 që shqiptarët ngritën 20-30 flamuj kombëtarë shqiptarë në frontin luftarak kundër “shtatë krajlive”. Sot në fondet etnografike të Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë, flamuri kombëtar shqiptar më i vjetër për nga koha dhe vjetërsia është flamuri i Plavë-Gucisë, që i përket vitit 1881.
Lufta e Nokshiqit në Plavë-Guci është “parathënia” e betejave për Pavarësinë Kombëtare Shqiptare, udhënisja e Flamurit Kombëtar Shqiptar, siç e fjalëthonë edhe vargjet:
“Si dy male i rrijnë historisë / Nokshiqi e Vlora e Pavarësisë.”
Këto realitete historike që po i them unë në këtë “Ditë të Fondacionit Plavë-Guci” i kanë thënë qyshse në fillim të shekullit të kaluar gazetat amerikane:
• New York Daily Tribune, më 20 prill 1903, shkruante: “Malësorët e Plavë-Gucisë janë trima e të pathyeshëm. Nëse s’i përmend ata, s’ke thënë asgjë për Shqipërinë.”
• The Sun, më 28 korrik 1907, shkruante: “Malësorët e Plavës e të Gucisë po shkruajnë historinë e tyre…Sigurisht, rezistenca e famshme e kësaj popullsie ndaj tentativave të Malit të Zi për ta pushtuar dhe këmbëngulja e tyre për të mos iu bindur madje as autoritetit e vendimeve të gjashtë Fuqive të Mëdha Europiane, duket se kishin tërhequr vëmendjen e shtypit edhe përtej detit, duke bërë që t’u kushtonin atyre një vëmendje të veçantë…Malësorët e Plavë-Gucisë konsiderohen se janë më krenarët dhe më luftarakët dhe mbahen si më të pashmit e më besnikët…”.
Nëse do të kisha fuqi presidenciale për të dhënë një dekoratë të lartë “Nderi i Kombit”, unë do ta vendosja atë në gjoksin e krahinës etno-historike të Plavë-Gucisë.
Sot, së bashku me ju, anëtarët veprimtarë kombëtarë të Fondacionit Plavë-Guci, kremtoj këtë 7 prill 2013, sepse Fondacioni Plavë-Guci po frymon Shqip dhe po veprimtaron Shqiptarisht.