Dje, e premte, u mbajt seanca e dytë e strukturës së re lokale, ku u rizgjodh Kryetari i Komunës, Sanell Baliq, dhe Nënkryetari i Kuvendit, Fadil Ulaj. Të dy u zgjodhën me 17 vota pro dhe 12 kundër, nga gjithsej 30 vota.
Përveç kësaj, një javë më parë u bë edhe konstituimi i Kuvendit, ku u certifikuan mandatet dhe u zgjodh Kryetari i Kuvendit, Edvin Bekteseviq, nga Lidhja Evropiane (ES – Evropski saves – SD SDP LP), pozitë që më herët mbahej nga shqiptarët. Ai mori 22 vota pro.
Zgjedhjet e 15 shtatorit sollën një rezultat ku koalicioni rreth Kryetarit të Komunës (BS & ES) fitoi 14 mandate, Forumi Shqiptar 7 mandate, DPS 6 mandate, Lëvizja për Guci 2 mandate, dhe Demokratët (Becic) 1 mandat. Duke marrë parasysh se Kuvendi ka gjithsej 30 mandate, shumica e thjeshtë është 16. Koalicioni i kryetarit aktual ishte i varur nga shqiptarët, pasi nuk kishte asnjë mundësi për koalicion me DPS-në. “Çelësi ishte tek shqiptarët”, deklaroi Asdren Celaj, i dyti në Lëvizjen për Guci. Forumi Shqiptar gjithashtu insistonte për pozitën e Kryetarit të Komunës, duke theksuar se shqiptarët “kanë çelësin” (po citoj).
Në përbërjen e re, Koalicioni me 14 mandate nuk ftoi në bisedime Forumin Shqiptar. Një ditë para konstituimit të Kuvendit, Asdren Celaj bëri një prononcim ku njoftoi se kishin arritur një marrëveshje dhe kishin marrë 2 nga 5 pozitat kryesore: Nënkryetarin e Komunës dhe Nënkryetarin e Kuvendit. Kjo ngjalli reagime kundërshtuese, ku u theksua se pozita e Nënkryetarit të Kuvendit komunal “nuk njihet si funksion sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale” dhe është thjesht vullnetare.
Sipas informacioneve nga Lëvizja, në këtë mandat ata do të mbulojnë edhe Drejtorinë e Investimeve.
Nga Forumi Shqiptar ka pasur reagime lidhur me faktin se si shqiptarët mund të ndihmojnë kryetarin aktual të ketë shumicën, duke humbur pozitat që ata mbanin në mandatin 2020-2024:
• Kryetari i Kuvendit
• Nënkryetari i Komunës
• Sekretariati i Urbanizmit
• Sekretariati i Inspektimit
• Sekretariati i Policisë Komunale
• Drejtoria e Investimeve
• Drejtoria e Organizatës Turistike
• Ndihmës Sekretari për Bujqësi
Ndërsa Shërbimi i Mbrojtjes dhe Shpëtimit dhe Sekretariati i Kuvendit u përkisnin shqiptarëve, por nuk kishte kuadro që plotësonin kushtet ligjore për këto pozita.